“Sikur”. Poezia me mesazhe kuptimplota nga Rudyard Kipling që ia vlen të lexohet…

Gjuhësi Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

Sikur t’mund ta ruash mendjen nga dergja edhe at-here
Kur krejt bota e çmendur fajin kopil ta lë mbas dere;
Sikur t’mund t’i besosh vetes se ende ke burrni e nder
Kur krejt bota e flliqur hedh mbi ty rrena, bajga dhe vrer;
Sikur t’mund ta mundësh pritjen duke u mbajtur te shpresa,
A kur t’hedhin hi syve, t’hakmerresh duke shkepur drita,
A kur t’kafshon urrejtja, ta mëkosh dashurinë pa thersa
E prap t’mos dukesh fort fisnik pleqnar i kamur n’urtina.

Sikur t’mund t’ngarkohesh deri n’qiell me flori dhe lavdi
E për dy pika lot t’i humbasësh a t’ua vesh flakën,
T’mbetesh rrasë n’diell, nga fillimi t’ia nisësh përsëri
Pa t’shkuar ndërmend me than një gjysëm fjale për mandatën;
Sikur t’mund të prehesh si yll n’krahët e punës sate për jetë
Edhe pse t’u ka tha syri, dora, këmba, zemram mendja
E pa u rrëzuar të ecësh buzë greminës ditën e terrtë,
T’i biesh përmjet tmerrit pa u trembur hiç nga vdekja.

Sikur t’mund të ëndërrosh pa u mbytur në gjumë edhe në ëndrra,
Sikur t’mund t’mendosh pa t’u robnuar truri edhe gjuha,
Sikur t’mund t’lundrosh mespërmes detit me gaz edhe brenga
Pa t’u dehur shpirti e pa të futur frika në tuta;
Sikur t’mund ta shohësh t’vërtetën që the të shfytyruar,
Kthyer në kurthe ku batakçiu kap me lak të marrët,
A t’përballosh rrënimin e veprës sate t’pranuar
E prap t’ngrihesh dhe pa barna t’ia mbyllësh mundit plagët.

Sikur t’mund t’rrosh me qenin pa mësuar të lehësh flliqshëm
Apo t’jetosh pa ardhur era egërsirë;
Sikur t’mund t’qeshësh faqe miqsh e armiqsh njëlloj hijshëm,
Sikur t’mund t’i duash krejt njerzit pa dreqni e pa tepri,
Sikur t’mund t’ia marrësh me vrap e djersë minutës shpirtin,
E sekondat e saj t’i kthesh në djepe punësh t’arrira,
Toka do t’jepet para teje e ka me ta dhanë gjirin,
Do t’jesh njeri, biri im, dhe kjo na qenka më e mira!

Share: