88 vjet më parë lindi nobelisti Tomas Transtromer, poeti suedez i simbolikës së thellë

Histori Kulturë Reportazh / Profil

Nga profesor Agim Vinca

Poeti i shquar suedez,Tomas Transtromer është fitues i Çmimit Nobel për letërsi për vitin 2011. Transtromeri ishte shkrimtari i shtatë suedez që e mori këtë çmim prestigjioz prejse është themeluar ai në vitin 1901. Para tij me këtë çmim, nga shkrimtarët e vendit që e akordon atë, janë lauruar edhe Selma Lagerlof (1858-1940) në vitin 1909, Karl Haidenstam (1859-1940) në vitin 1916, Erik Karlfeld (1864-1931) në vitin 1931, Fabian Lagerkvist (1891-1974) në vitin 1951 dhe Ejvind Xhonson e Hari Martinson (bashkë) në vitin 1974. Siç mund të shihet, Çmimi Nobel iu dha një shkrimtari suedez pas plot tridhjetë e shtatë vjetësh.

Në arsyetimin e Akademisë Suedeze, ndër të tjera, thuhej se laureati është poet, i cili,”nëpërmjet imazheve të ngjeshura e të transparente, na ofron një qasje të re e të freskët ndaj realitetit”.

Suedia sot është në zi për poetin e imazheve të ngjeshura dhe të qasjes së re e transparente ndaj realitetit të saj dhe jetës në përgjithësi.

Po kush është Tomas Transtromer?

Tomas Transtomer (Tranströmer) është një nga poetët më të mëdhenj bashkëkohorë në Evropë. Ka filluar të krijojë qysh në vitet ’50 të shekullit të kaluar, kur botoi përmbledhjen e parë me poezi me titull Shtatëmbëdhjetë vjersha (1954). Qysh në këtë libër ra në sy talenti dhe përkushtimi i tij ndaj poezisë, por edhe veçoritë e shprehjes së tij artistike, të cilat ai do t’i zhvillojë akoma më shumë në të ardhmen, në vëllimet: Fshehtësitë e udhëtimit, Qiell i përgjysmuar, Vigjëlim, Kuartet, Sheshi i egër, Për të gjallët dhe të vdekurit, Kujtimet më ftojnë, Lirika suedeze, Gondola e dhembjes etj. Ndërlidhja me jetën e përditshme, të vështruar në një sens të fshehtë e misterioz, është një nga veçoritë kryesore të poezisë së Transtromerit. Poezia e tij ka një lloj mistike, që lidhet me mitin dhe ëndrrën e jo me fenë dhe besimin. Mësues të Transtromerit në poezi ishin simbolistët, të cilët te realiteti i jashtëm shihnin simbolikën e botës së brendshme të njeriut. Simbole të shpeshta të poezisë së tij janë: lumi, deti, uji, hija, udhëtimi. Deti tek ai herë i ngjan realitetit konkret, detit natyror, e herë është simbol i ndërdijes së njeriut, gjë që ta kujton teorinë e Jungut mbi arketipet.

Psikolog me profesion, Transtromeri përqafoi teorinë e Jungut mbi simbolet si shtresë e përbashkët e ndërdijes kolektive për ta ndërlidhur të fshehtën në psikën e “unit” lirik me ndërdijen kolektive, që i ka rrënjët që nga parahistoria.

Por në poezinë e mëvonshme imazhet e tij poetike do të afrohen gjithnjë e më shumë me motivet e jetës së përditshme, kështu që në opusin e tij hasen jo pak edhe poezi të tilla të cilat vetë poeti i quan ”poezi rrëfyese”.

Në letërkëmbimin e tij me poetin amerikan Robert Blaj, Transtromeri shkruan: “Të shkruash do të thotë t’i hysh në thelb realitetit, të cilit i vjen ende era tym dhe barut”. Ndërkaq, studiuesi suedez Stefan Bergsten, në librin e tij kushtuar krijimtarisë së Transtromerit me titull Fshehtësia ngushëlluese (Den trösterika gatan), thotë se për të si poet është e huaj çdo dogmë.

Në planin figurativ ai ka afërsi edhe me surrealizmin si rrymë letrare, me  poetët më përfaqësues të tij, por është më i hapur e më pak sektar se ata.

I pyetur, në një konferencë për shtyp (në Strugë, në gusht të vitit 2003), se cilët janë poetët e tij të preferuar, Transtromeri qe përgjigjur: Hari Martinsoni (poet dhe tregimtar suedez, nobelist dhe ai), surrealistët francezë ( në përgjithësi, pa e përmendur asnjërin me emër), Elioti dhe Valjeho (Cezar Valjeho, 1893-1938, poet latino-amerikan, me kombësi peruan, por me bindje kozmopolit, që brodhi nëpër vende të ndryshme të Evropës: Francë, Spanjë, Bashkim Sovjetik dhe vdiq në Paris).

Vetë gjuha bëhet shumë herë temë e poezisë së Transtromerit. Ai lindi dhe u formua si poet në kohën e debatit të madh për filozofinë e gjuhës, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Qëndrimi i tij ndaj gjuhës duket herë-herë ambivalent, skeptik dhe optimist njëkohësisht, por, ndryshe nga shumica e bashkëkohësve të tij, ai flak skepticizmin dhe shpreh besimin e vet të patundur ndaj gjuhës si mjet shprehës dhe si fenomen kompleks.

Në këtë kontekst, mund të thuhet se kurdo që poezia e tij ngrihet mbi opozicionin: gjuha-heshtja, gjuha është vlerë pozitive, kurse heshtja jo. Në vitin 1990, pas një sulmi në tru, Transtromeri e humbi aftësinë e të folurit. Por as pas kësaj kohe ai nuk pushoi së shkruari. Nuk e ndërpreu, madje, as komunikimin e drejtpërdrejtë me publikun, të cilin e zhvillonte me ndihmën e bashkëshortes së tij, Monikës, e cila është në gjendje ta “lexojë” gjuhën e tij “specifike”. Ai beson në një gjuhë, që quhet gjuhë e brendshme ose mentale. Ky lloj gjuhe jeton edhe në fazën e afazisë, sëmundje kjo prej së cilës kanë vuajtur edhe Bodleri dhe Semjuel Xhonsoni. (Tek ne Xh. Spahiu).

Humori, thonë kritikët, është po ashtu një tipar i poezisë së Transtromerit. Humori i tij, i cili manifestohet jo rrallë si ironi, fshikullon kryesisht klerikët dhe politikanët. Në poezinë Formula udhëtimi (Nga Ballkani-55), duke portretizuar funksionarin politik ballkanas, Transtromeri shkruan se qielli i tij është i ngushtë si një minare, ndërsa në poezinë Miqve përtej një kufiri flet për gjendjen në vendet ku mbretëron censura dhe përgjimi, me sugjerimin që të lexohet “mes rreshtash”, derisa të vijë dita që në dhomat e hoteleve të mos ketë më mikrofona përgjues, kohë kjo që poeti e përcakton “pas dyqind vjetësh”.

Transtromeri shkruan një poezi gjuhësisht të ngjeshur dhe të kondensuar. Nuk është çudi, prandaj, që një nga format e tij të preferuara poetike është edhe haiku japonez.

Në vitin 2003 këtij poeti iu dha çmimi “Kurora e artë” i Mbrëmjeve Poetike të Strugës. Kam qenë pjesë e ekipit që mori këtë vendim dhe kam votuar për të pa hezitim. Në verë të atij viti ai mori pjesë në festivalin e njohur poetik të Strugës në Maqedoni, ku mbajti edhe një konferencë shtypi dhe mori çmimin në mbrëmjen finale “Urat”, kurse pak kohë më vonë vizitoi edhe Shqipërinë me rastin e botimit të librit të tij me poezi të zgjedhura me titull Perandoria e barit, në përkthim të poeteshës së njohur shqiptare Natasha Lako, e cila i përktheu në shqip poezitë e tij nga origjinali suedisht.

Një vëllim i përbashkët i poezive të Transtromerit dhe të poetit finlandez Paavo Haviko, i botuar në Prishtinë në vitin 1986, në përkthim të Zymber Elshanit, pat kaluar pothuajse krejtësisht i pavërejtur.

Poezia e Tomas Transtromerit është përkthyer në rreth pesëdhjetë gjuhë të botës, kurse autori i saj është bartës i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve letrare.

Tomas Transtromeri jetonte në Stokholm, ku edhe do ta ketë banesën e tij të përhershme.

 

PËR MIQTË MATANË KUFIRIT

Nuk ju shkrova aq sa duhet. Të gjitha ato që nuk jua thashë

U frynë e u frynë si një balon i vjetëruar

E u zhdukën ngadalë larg në qiellin e natës

 

Kjo letër tani është te censuruesi. Ai ndez llambën e tij.

Nën dritën e saj fjalët e mia hidhen si majmunët në kafaz,

Që tunden e shkunden, ndalen dhe tregojnë dhëmbët.

 

Lexoni mes rreshtave. Do të takohemi pas dyqind vjetësh,

kur mikrofonat nëpër muret e hoteleve do të jenë harruar

e më në fund të fjetur, do të jenë shndërruar në fosile.

 

(Nga anglishtja: Doruntina Vinca)

 

Tomas Transtromer (1931-2015), vjershën e mësipërme e shkroi pas një vizite në Ballkan (Ish-Jugosllavi) në vitin 1979.

Share: