Shkrimtari Primo Shllaku ishte një ndër të ftuarit e kësaj puntate të emisionit “Provokacija”.
Në një diskutim mbi gjuhën shqipe, ai tha se standardi që ne përdorim sot është një zgjedhje ushtarake.
Sipas tij, në vitin ku u mblodh kongresi nuk na duhej standardi sepse kuptoheshim.
“Kongresi i ’72 ishte një zgjedhje ushtarake, jo një zgjedhje kulturore, sepse kujtdo duhet ti dhimbte dora.
Me çfarë kam kuptu unë nga reflektimit në lidhje me Eqerem Çabejn, të cilit pa dyshim do t’i takonte nderi të ishte në krye të pilotimit të kësaj nisme, dhe i takoi dikujt tjetër që ishte komisar, tregon se kemi të bëjmë me një zgjedhje ushtarake.
Në atë kohë ne nuk na duhej standardi. Ne gjuhën e kishim.
Mirëkuptim dhe kuptim njëri-tjetrit ia kishim në shkallën optimale dhe u bë një zgjidhje e cila i hapi të gjitha anomalitë që ka tosknishtja, ja hapi dyert për t’u ba normë, dhe me gjithë gegnishten me ruajtjen e formave, u përjashtua.
E keqja më e madhe ishte se nuk mbaroi puna aty.
U tha tjetër gjë dhe u realizua tjetër gjë. Ishte pjesë e propagandë.
Otellos iu vu emri Bardhosh. Imagjinoni tek tragjedia Otello, dikush ta thërrasë Otellon hajde këtu Bardhosh”, tha Shllaku.
Sipas Shllakut, “ne na duhet një gjuhë që duhet t’i ketë embrionalisht të dyja. Se si duhet të jetë ajo, këtë nuk e di.
Gabimi që është bërë i ka dhënë një goditje të rëndë kulturës shqiptare”.
Për sa i përket ditëve të sotme, shkrimtari theksoi se sfida nuk mbetet më tek gjuha, por te shkrimi.
“Sfida nuk është më gjuha. Problemi është a di me shkruar mirë! Ky është problemi.
Kam dasht me u than të tjerëve që ne jemi brenda atdheut tonë, brenda shtëpisë tonë dhe nëse nuk mund të çojmë çfarë do lloj flamuri, ngjyrën e tjegullave mund ta bëjmë si të kemi qejf”, tha Shllaku.