Franz BABINGER (1891–1967). Historian, osmanolog dhe ballkanolog. Lindi në Vajden (Weiden) të Bavarisë (Gjermani). Qëkurse kreu studimet për orientalistikë në Universitetin e Berlinit, iu kushtua studimit të çështjeve të historisë e kulturës osmane dhe të historisë islame në përgjithësi. Fryt i kërkimeve të tij shumëvjeçare në fushat e mësipërme janë një varg monografish, botimesh dokumentare, artikujsh studimorë etj. Vend qendror në korpusin e veprave të B. zë monografia “Mehmed der Eroberer und seine Zeit”, 1953 (“Mehmet Pushtuesi dhe koha e tij”), e cila është ribotuar dhe përkthyer në një varg gjuhësh, duke e bërë atë të njohur në të gjithë botën.
Për kontributin në lëmin e studimeve për Perandorinë Osmane Babinger është zgjedhur anëtar i 12 akademive dhe shoqatave studimore të vendeve të ndryshme. Brenda qarkut të studimeve të B. një vend të rëndësishëm zënë edhe disa çështje të rëndësishme nga historia osmane dhe paraosmane e Shqipërisë si “Die Gründung von Elbasan”, 1931 (“Themelimi i Elbasanit”), “Das Ende der Arianiten”, “Udhëtimi i Evlija Çelebiut në Shqipëri” etj., që e vënë Babinger në rendin e albanologëve.
Mbështetur mbi dokumentet veneciane shkroi Das Ende der Arianiten [“Fundi i arianitëve”] (1960), botuar dy herë edhe në shqip. Kësaj teme iu rikthye edhe në Konferencën e Parë të Studimeve Albanologjike (1962, bot. 1965) në Tiranë. Vepra e fundit e Babinger-it ishte përgatitja për botim dhe pasurimi me të dhëna e shënime i bibliografisë së njohur të A. Petroviç-it për Skënderbeun Scanderbeg (Georges Castriota). Essai de bibliographie raisonnée...(1881), botim anastatik (1967), e cila ishte bazë e shfrytëzuar deri atëherë dhe më pas mbi Skënderbeun.
Schriftenverzeichnis. Würzburg (1938), titullohet bibliografia e punimeve personale të realizuara deri në këtë vit, hartuar nga vetë Babinger-i e cila përmbledh rreth 500 tituj artikujsh e veprash shkencore. Deri sa vdiq aksidentalisht në Durrës më 1967, kjo bibliografi u pasurua vazhdimisht.
Babinger e ka vizituar tri herë Shqipërinë: më 1928 gjatë një udhëtimi studimor në Ballkan, më 1962, si pjesëmarrës në Konferencën I të Studimeve Albanologjike dhe më 1967 si i ftuar i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Pikërisht gjatë kësaj vizite të fundit, Babinger ndërroi jetë në Durrës, më 23 qershor 1967. https://redaktori.net/ Marrë me përshtatje e shkurtime nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar