Kontejnerë që përmbanin kokainë me vlerë më shumë se 10 milionë euro janë konfiskuar nga Departamenti i Doganave të dielën në port në Maltë, sipas autoriteteve vendase.
Pas sasisë prej 91.2 kg të kapur të dielën më 7 prill dhe asaj prej 24 kg të kapur të martën, të dielën (14 prill), pas një operacioni që zgjati disa orë deri në orët e para të ditës së sotme (e hënë, 15 prill), zyrtarët e Departamentit të Doganave zbuluan një tjetër sasi prej 91.25 kg kokainë nga tre kontejnerët në Freeport në Maltë, shkruan independent.com.mt.
Në orët e para të së dielës, njësia e monitorimit të kontejnerëve doganor përzgjodhi disa kontejnerë për skanim. Pas skanimeve paraprake, të marra nga Ekipi i Skanimit të Doganave, janë vërejtur parregullsi në tre kontejnerë, në njërin prej të cilëve u zbuluan pakot me drogë të fshehura. Një kërkim fizik konfirmoi dyshimet paraprake.
Sipas mediave vendase, kontejneri i parë dhe i tretë po kalonin përmes Maltës, ndërsa vinin nga Amerika e Jugut, në rrugën drejt Durrësit, në Shqipëri, por nuk është e qartë nëse Durrësi ka qenë destinacion përfundimtar. Ndërsa kontejneri i dytë, i cili gjithashtu vinte nga Amerika e Jugut, kalonte në portin maltez për të shkuar në Selanik, Greqi.
Operacioni ishte rezultat i një bashkëpunimi midis punonjësve të Departamentit të Doganave, Policisë dhe Malta Freeport. Çështja u mor në dorë nga Skuadra Anti Drogë e Policisë, të cilët po kryejnë hetimet. Prokuroria po udhëheq hetimin e ndihmuar nga një ekip ekspertësh të Policisë.