Gazetarja e ekonomisë, Ola Xama ka denoncuar sot dhunën e ushtruar ndaj saj në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Statusi i plotë i gazetares Ola Xama, i publikuar në rrjetin social Facebook
Personi që shihni në foto është punonjës i Gardës së Republikës, i cili sot më ka dhunuar verbalisht dhe fizikisht kur unë isha në krye të detyrës time si gazetare, për të ndjekur punimet në Komisionin e Ekonomisë.
Kameramanët dhe më shumë se 10 kolegë të mi ishim duke pritur jashtë, në korridorin e Kryesisë së Kuvendit, për të pyetur guvernatorin e Bankës së Shqipërisë lidhur me ngjarjen e grabitjes së Aeroportit të Tiranës. Personi që shihni në foto, më kapi forcërisht krahun dhe më tërhoqi, kur unë nuk e kisha mendjen, me arsyetimin se po pengoja rrugën.
Askush, as policia, as Garda e Republikës, as Kryetari i Kuvendit, nuk ka të drejtë të prekë askënd me dorë, dhe jo më të dhunojë! Ai mund të më kërkojë me mirësjellje të largohem, por jo të më prekë më dorë!
Personi në foto nuk më kërkoi të largohesha, thjesht më tërhoqi nga krahu duke më shtrënguar fort dhe duke më shkaktuar dhimbje, e pasi i thashë që nuk të drejtë të më prekësh me dorë, por nëse të kam penguar punën mund të më thuash të largohem, filloi të ulëriste. U desh ndërhyjra e disa kolegëve të mi, që ai të pushonte.
Unë nuk dua që të viktimizohem me këto që po shkruaj, por kam vendosur që sot, që të publikoj çdo pengesë që na krijohet në profesionin tonë, me shpresën se nëse gjërat thuhen, do të ketë zgjidhje dhe parandalim për ngjarje që mund t’i ndodhin dikujt tjetër! Kjo është hera e dytë që përsëritet një episod i tillë me mua, po në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, por herën e parë nuk e denoncova pasi mendova se ishte rast sporadik, sot e kuptoj që bëra gabim! Nëse nuk i themi ngjarjet, do të pasojnë te tjetra!