Si çdo familje besoj, edhe ne kemi një sirtar të posaçëm ku ruajmë sende të rëndësishme për jetën tonë. Mes tyre ndodhet edhe një zarf, i cili edhe pse nuk është i mbushur me pará, ka vlerë të madhe. Mbi të shkruhet “Shoku i Braktisur”. Është dorëshkrimi i romanit për fëmijë me të njëjtin titull shkruar në vitin 1957 nga Bedri Dedja.
Sot më 13 prill bëhen 15 vite kur gjiganti i letërsisë për fëmijë, pedagogu i dashur i psikologjisë e pedagogjisë i plot brezave të mësuesve, Mjeshtri i Madh Bedri Dedja u nda nga jeta.
Siç ne ruajmë 4 fletore në dukje të thjeshta, të zakonshme, e në brendësi me një shkrim dore të bukur e me një shqipe të pastër, të mbushur me mesazhe mbi kultivimin e kulturës së shoqërisë, jam e bindur se shumë prej jush ruajnë në kujtesë përrallat dhe romanet plot humor, me emra origjinalë personazhesh, (Usta I Paudhi, Kokëfirifiu) me bosht filozofik edukimi ndërthurur bukur me realizmin, të cilat mund të kenë ndihmuar në hedhjen e themeleve të zhvillimit tuaj psikologjik apo më vonë edhe profesional.
Personalitete të njohura të letrave shqipe, të mësimdhënies, të artit, gazetarisë, sportit apo shkencave dikur në një fazë kur jeta i ka kryqëzuar rrugët me atë të Profesor Bedriut janë frymëzuar e ndikuar pozitivisht prej tij. Ka prej tyre që ruajnë kujtime prej takimeve të shkurtra, minutash apo orësh, ditësh apo vitesh të cilat do t’i ndajnë me lexuesit e FlasShqip, për të nderuar emrin dhe veprën e Akademikut Bedri Dedja.
***
Andi Bejtja
Do të ketë qenë fundi i vitit 1987, kur babai më tha: “Hajde të shkojmë nga Pandora”-kështu thonim zakonisht kur shkonim për vizitë te familja Dedja,-se i kam çuar Bedriut disa nga poezitë e tua dhe do të flasë”.
Kishim miqësi të ngushtë dhe të gjatë me familjen Dedja, por atë botë, unë nuk dëshiroja asnjeri t’i shikonte poezitë e mia, që siç ishin shprehur dhe disa të tjerë që i kishin parë ishin të errëta, të zymta, pesimiste dhe nuk shprehnin realietin. Madje, kisha dhe një lloj frike, pasi në një tentativë për t’i botuar kisha ngrënë dhe nje reçensë, që dikujt tjetër mund t’i kushtonte më shtrenjtë.
“Çdo më thotë Bedriu-thashë me vete,-shkrimtar i realizmit socialist, Taulanti, mendova për të birin, mund të më kuptojë më mirë”. Po teksa po ecja rrugës drejt tij, po sillja ndërmend disa nga librat e tij për fëmijë, si përshembull “Fatbardh Pikaloshin” apo “Kalamajtë e Pallatit Tim”, me të cilat ishim rritur të gjithë dhe për hir të së vërtetës nuk më vinin fare era realizëm socialist. Gjithsesi përballë tij nuk u ula pa paragjykime. Ndryshe nga shumë të tjerë që i kishin hedhur një sy poezive të mia, Bedri Dedja, ishte i vetmi që me seriozitet më respektoi atë botë më shumë nga të gjithë duke treguar se nuk po më gjykonte thjesht si djalin 17-vjeçar një miku. Kishte shkruar mbi dy faqe daktilografike për disa nga poezitë e mia me lavdërime dhe vërejtje, (fatkeqësisht nuk e gjeta dot këtë letër sot) ndryshe nga shumë të tjerë që jo vetëm nuk kishin marrë mundimin për t’i parë seriozisht, po më kishin lënë si dhe shumë të tjerë dyerve të redaksive të kohës me muaj e me vite. Pa parë fare se çfarë ishte shkruar në atë letër e ndjeva veten të vlerësuar.
“Shiko-tha Bedriu,- lexoi këto që kam shkruar kur të shkosh bë shtëpi. Në fakt, ti je poet dekadent, por kjo nuk ka asgjë të keqe, rrymë është si gjithë rrymat e tjera. Ti je i veçantë, shumë i veçantë dhe ndoshta do të vlerësohesh më shumë në një kohë tjetër. Po nuk ka rëndësi, ti je ti”- tha duke kthyer kokën nga aneksi dhe duke i thirrur së shoqes, Pandorës: “Pandora, na sill pak raki të pimë një gotë për poetin Andi Bejtja”.
Alban Bala
Në rrethana krejt rastësore, në një dhomë të gjelbër e të zbehtë spitali, në moshën e parë të rinisë une pata fatin të takoja shkrimtarin Bedri Dedja. Im vella operohej dhe trauma e prindërve te mi nga pak ishte bërë edhe e imja: ecja pas tyre me syte përdhe, i hutuar nga zhurma që shkaktonte përplasja mes aromës së blireve që vishnin oborrin e brendshëm të spitalit me ajrin e mpiksur, ngjyrakuq të jodoformit. Korridoret e katit të dytë të spitalit – me dyert e zhytura në llurbën e kujtesës sime sot – më shumë më ngjanin me mëngët e një përparseje mjeku.
Një mik i përbashkë t –i afërt i Prof. Dedjes – shtrihej pranë shtratit të tim vellai. Dhe dhurata më e mire që ai burre në moshe zgjodhi t’u bente prindërve të mi – kur mësoi se unë shkruaja vjersha – ishte t’u prezantonte shkrimtarin më të dashur për fëmijë të asaj kohe: Bedri Dedjen.
Për një riosh të rritur para kohe si unë – dhe pse ende shumë larg pjekurisë dhe kuptimit të plote të ngjarjeve, qoftë dhe vetëm kjo mundësi ishte një privilegj i madh. Bedri Dedja – për femijet e asaj kohe që lexonin me afsh çdo libër të ri – ishte një krye-emër. Ishte njëlloj sikur ime bijë sot të më vinte përballë dhe të më thoshte se kishte takuar Paulo Coelho-n. Unë njëlloj do t’u mburresha prindërve te mi se kisha takuar prof. Bedri Dedjen.
Takimi me të ka qenë më shumë se miqësor: ai ishte i dashur, i ëmbël, i ngadaltë dhe plot sharm. Dhe pse une isha krejt në fillesat e mia dhe vargu im krejtësisht i paafte për të thënë shumeçka – nuk dëgjova prej tij asnjë fjalë që lëndonte. Ai diti të më përkrahte qoftë edhe vetëm me dashamirësinë e skajshme dhe butësinë fisnike.
Unë përdorja fletore 16-tshe për të ruajtur vjershat: kudo që të shkruheshin, ato hidheshin aty, në fletoren time të radhës – në të pastër. Aty niste kujtesa.
Herën e parë ne folëm për poezinë, për letërsinë dhe dashurinë e njeriut ndaj saj. Herën e dytë une i dhashë atij fletoret e mia me vjersha. Herën e tretë u pamë për të diskutuar mbi çfarë ai kishte lexuar.
Kështu une pata fatin ta takoj prej afër Prof. Dedjen të paktën tre herë: një prej tyre në shtëpinë e tij. Më priti dhe më prezantoi si “shkrimtar” te e shoqja, e cila hapi derën, ndërsa profesori më tërhoqi butë në nje sallon të vogel prej ku mbaj mend një biblioteke muri dhe një xham akulli që e ndante atë kthinë me pjesën tjetër të banesës me një nuancë paksa në të gjelbër.
Një tryezë e vogel, e rrumbullakët e mesdhomës mbante fletoret e mia – që ai i kishte lexuar. Ne folem për letërsi dhe unë mbaj mend rrudhat e tij – që çdo mendim i thellonte. Qeshjen e kishte edhe më të hijshme se zakonisht në shtepinë e tij. Dhe mikpritja të bënte të çliroheshe i tëri – në kolltukët e thjeshtë, me krahë të zhveshur druri që zbukuronin dhomën – me gjasë biblioteka dhe studioja e tij.
Në fakt përtej shkrimtarisë se famshme tashmë të Prof. Dedjes – une u mrekullova nga lajmi se femijët e tij studionin muzikë. Mbaj mend që më përmendi se arti kurrë nuk vjen vetëm në jetën e njeriut… ai sjell gjithmonë një art tjetër me vete…
Shpesh fjalët i përdorte si një gjuhë qe i duhej për të gdhendur – jo për të shkruar. Dhe çka gdhendte – ishte brenda tij – më shumë se jashtë tij.
Jam i bindur se ai takim i atëhershëm – edhe pse periferik dhe i imte në fatin tim të gjatë, ka mbetur me mua si ndjesia e njeriut që hyn për herë të parë nën Harkun e Triumfit në Paris apo që kapercen oqeanin: është përjetimi i parë në kohë dhe në hapësirë i një dimensioni të ri të botës. Bedri Dedja – Zoti e mëshirofte – më tregoi përmasën e tij të shpirtit.
Vangjush Saro
Do të mjaftonin pak fjalë për të vlerësuar Bedri Dedjen, një nga krijuesit e rëndësishëm dhe ndër mësuesit tanë më të mirë në letrat shqip, në pedagogji, etikë e botime. E them këtë, sepse emri i tij është tashmë ai i një klasiku; së bashku me Odise Grillon dhe Tasim Gjokutajn e, më pas, Skënder Haskon, Gaqo Bushakën, Dionis Bubanin, Adelina Mamaqin, etj., krijuan letërsinë shqiptare për fëmijë e të rinj, letërsi që nga e shkuara vinte aq e brishtë, me disa pak krijime (të përshtatura më së shumti për librat shqip) të Naim Frashërit, Anton Xanonit, etj. dhe, më pas, të Kutelit e Migjenit. Edhe pse pak a shumë nën një trysni – që ushtrohej mbi gjithë shoqërinë shqiptare – Bedri Dedja dhe kolegët e tij e mbajtën librin në lartësinë e emrit, me gjuhën e pasur, me personazhet e paharruar, me fantazinë që herë pajtohej me kohën e herë kërkonte përtej saj. Romani, një nga llojet e rralla të lëvruara në ato dekada në letërsinë shqiptare për fëmijë e të rinj, gjen krijuesin e vet te vepra e Bedri Dedjes, nga “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit” te “Kalamajtë e pallatit tim”, etj.
Nëse ky zhanër po shkon më tej, në emrin e shkrimtarëve Viktor Canosinaj, Xhahid Bushati, Pandeli Koçi, Riza Braholli, etj., në këtë perspektivë pra, ka rolin e vet të çmuar edhe i urti Bedri Dedja. Më në fund, ndër punët e tjera të nderuara të profesorit edhe pas ’90-ës, si ribotime, libra të rinj, etj., në kujtesë të shkrimtarëve më të këtejmë, do të mbetet koha kur ai drejtonte Bordin e Ministrisë së Arsimit për përzgjedhjen e librave të rekomanduar për orë letrare, punë gjatë së cilës edhe unë kam pasur kënaqësinë të bisedoj me të, të lexohem prej tij, të marr komplimente e këshilla. Siç na kujton shkrimtari amerikan S. Strunsky, statistikat janë ‘zemra e demokracisë’; nderimi për kontribuesit e kulturës, në hierarki e në kohë, është kënaqësi dhe detyrë. Për më tepër, ne kemi pasur dhe kemi pak kualitete të tilla, pasuri nga e cila nuk mund dhe nuk duhet të humbasim asgjë. I qetë, tolerant, por njëherësh kërkues, ‘babai’ i pedagogjisë shqiptare dhe një ndër lëvruesit më të nderuar të letërsisë për fëmijë e të rinj, Bedri Dedja ka lënë mes nesh figurën e njeriut fisnik, që do të lançohet gjithnjë për mençurinë dhe ngrohtësinë e bisedave të tij e do të kujtohet sa herë të shfaqet një problem pedagogjik e sa herë të shfletohet një libër…
Genc Tirana
Sado vite kalojnë raporti shpirtëror mes lexuesit dhe shkrimtarit të preferuar nuk zbehet asnjëherë. Madje në shumë raste forcohet edhe më shumë sidomos kur arti i shkruar rizgjon në një moment të caktuar nostlagji për çfarë ke përjetuar nga vepra e autorit. Autori dhe vepra e tij zenë vend në ngrehinën e kujtesës së lexuesit gradualisht për një kohë relativisht të gjatë, gjë që e bën disi të papërcaktuar se si dhe kur ka lënë gjurmë ky art në koshiencën tonë.
Në rastin kur kujtojmë shkrimtarin, psikologun dhe studiuesin poliedrik Bedri Dedja çdo gjë është më e qartë pasi vepra e tij lidhet ngushtësisht me fëmijërinë tonë kur ëndërrat dhe fantazitë e pastra e të ëmbla merrnin jetë. Në një një ditë si kjo kur para 15 vitesh Profesor Bedri Dedja u nda fizikisht nga lexuesit dhe njerëzit e dashur të tij ne zbulojmë natyrshëm brenda vetes pjesëza të jetës sonë që lidhen ngushtësisht në një mënyrë apo në një tjetër me ndodhitë e personazhet që Profersori i nderuar i përshkroi aq bukur e natyrshëm në librat e tij. Personalisht mund të them padyshim se Bedri Dedja ka qenë autori i parë me të cilin e kam filluar leximin e letërsisë. Besoj se po kështu do të ketë ndodhur me shumë lexues të tjerë të brezit tim. Për ne fëmijët e viteve ‘60 libra si “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një Udhëtim i Rrezikshëm” e plot vepra të tjera të fillimit të krijimtarisë së shkrimtarit Dedja nuk shlyhen nga kujtesa. Ndryshe nga sot ne nuk nuk shihnim atëherë shumë filma por personazhet dhe ngjarjet në librat e tij ishin më të gjalla se sa skenat filmike. Pothuajse njësoj si sot që herë pas here shoh një film të preferuar aksioni apo fantastik po ashtu kam lexuar atëhere në moshën e fëmijërisë pa rreshtur librin “Një Udhëtim i Rrezikshëm”. Ngjarjet e përshkruara aty si dhe personazhet si Kokakomçi, Kokëdruthi, Usta i Paudhi e plot të tjerë të skalitur me aq mjeshtëri nga autori kanë zenë vend në kujtesë njësoj sikur të kem përjetuar një ngjarje reale. Përshkrimet letrare hera-herës janë vërtetë të gjalla dhe krijojnë efekte të tilla por kjo nuk ndodh dendur. Dedja hyri shumë natyrshëm në botën e fëmijëve dhe krijoi këtë efekt te lexuesit e tij për faktin që ishte njohës i thellë i psikologjisë. Bagazhi i tij kulturor, talenti si shkrimtar si dhe eksperienca në jetë bënin që librat e tij të ngacmonin natyrshëm fantazinë fëmijërore. Personazhet dhe ngjarjet në librat e tij gjithashtu bashkëvepronin në një botë ku përballej e mira dhe e keqja dhe fitonte ajo që ishte e moralshme. Kjo gjë e bën veprën e tij që t’i rezistojë kohës pasi normat e moralit nuk ndryshojnë. Sot mbas kaq vitesh që shkrimtarin nuk e kemi mes nesh ne përulemi me veneratë përpara veprës që profesor Bedri Dedja krijoi për lexuesit e brezit tonë dhe që e la trashëgim për breza të tjerë lexuesish. Respekt!
Rezear Xhaxhiu
Prof. Bedri Dedja ka qenë një mik special i familjes Xhaxhiu. Në memorien time të një fëmije 10-vjeçar e më pas, atëherë kur Vitin e Ri e festonim në Lidhjen e Shkrimtarëve më kanë mbetur të fotografuar portretet e Bedros, siç Pandora e thërriste, dhe të vetë Pandorës, kësaj zonje fisnike dhe gjithë nur. Më kujtohet se në familjen tonë ishte një festë e vërtetë kur shkrimtari Dedja nxirrte çdo herë një libër të ri për fëmijë dhe kur im atë e sillte sa herë që Bedriu ia dhuronte për ne fëmijët. “Aventurat e Fatbardh Pikaloshit”, “Kalamajtë e pallatit tim”, “Republika e 1001 çudirave”, etj do të ishin për ne fëmijët librat-bibla të fëmijërisë sonë. Më kujtohet që mburresha lart e poshtë duke u thënë versnikëve të mi që këtë shkrimtarin e kam edhe mik familjeje. Prof. Bedriu do të mbetej kështu vit pas viti, për mua si fëmijë por edhe gjatë periudhave të tjera të jetës, shkrimtari i veçantë, miku njerëzor i babait tim, burri buzëgaz dhe i qetë me të cilin kishe qejf të rrije dhe të bisedoje gjatë, për krijimtarinë, për gjuhësinë, apo për gjëra të thjeshta, njerëzore e të përditshme. Takimin e fundit me të e pata në një ditë vjeshte disa muaj para se Prof të ndërronte jetë.
Diku në rrugën e Kavajës.”I biri Muzos, të ndjek me ëndje në emisionet e tua. Nuk i ke lënë gjë mangut Muzos për nga mendja dhe kultura, por mbi të gjitha ti flet shqip, pastër dhe me kolorit gjuhësor”…
Në atë periudhë unë drejtoja një emision timin “Spektër” në televizionin Arbëria.
“Çfarë do të thotë Prof që flas shqip e pyeta”?…”Po ja,-shtoi-ke një gjuhë të pastër letrare, pa krahinorizma dhe fjalë të huaja”…
U ndjeva mirë kur e dëgjova nga një “gardian” i gjuhës shqipe këtë konstatim. Dhe me atë fotografi të portretit të tij të flokëve të bardhë dhe të ecjes së butë mbi asfalt do ta fiksoja Profesorin, shkrimtarin, njeriun dhe mikun e familjes Bedri Dedjen pa e ditur se do të ishte hera e fundit që e shikoja e flisja me të.
Ilirian Zhupa
Bedri Dedjan e kam njohur qysh në fëmijërinë e hershme, përmes Heroizmave të Fatbardh Pikaloshit. Pikaloshi për ne fëmijtë shqiptarë ishte libri që rrinte përkrah Xhaxha Stefit, Pinokut e shumë bashkëudhëtarëve të tjerë që na trazonin ëndrrat e fëmijërisë. Sa më tepër rritesha, aq më tepër rriteshin dhe kontaktet përmes pushtetit të letrës së shkruar, me profesorin, akademikun, shkrimtarin Bedri Dedja. Gjer në vitin 1978 kur u takuam në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, ai si pedagog dhe unë si student. U bëmë miq që në orët e para të leksioneve. Kjo miqësi e respekt vazhdoi gjer në vitin 2004 kur Profesori mbylli sytë. Duke lënë pas një vepër dhe kujtim që do të jetojnë gjatë. Dhe një mungesë që bëhet përditë e më e ndjeshme, siç ndodh në truallin tonë edhe për shkak të rrallimit nga dita në ditë të burrave të mençur, humanë dhe të vërtetë si miku dhe Profesori im Bedri Dedja.
Gëzim Tushi
Profesor Bedriu, është një nga figurat e shquara, polivalente të arsimit, kulturës, shkencës dhe letërsisë shqiptare për fëmijë. Në këtë fushë ndoshta është fare pa konkurent. Tek profesor Bedriu, ishin bashkuar në një, në personalitetin e tij të shumëanshëm, njeriu i mirë dhe intelektuali popullor, masoviku i papërtuar dhe I lidhur me njerëzit e thjeshtë, dhe akademiku me kulturë sqimëtare, mendimtari erudit dhe lektori elokuent, shkencëtari i skutave më të errëta të strukturës psikike të njeriut, dhe mësuesi dhe edukatori i fëmijëve, librat e të cilit ata i kanë përpirë.
Në fushën e dijes profesionale, profesori, ishte burri që dominonte çdo sallë dhe aulë të universitetit, me autoritet të padiskutueshëm. Ky autoritet i shumëfishuar i tij, spikaste kudo ku dëgjohej fjala e tij. Kur ai thoshte “unë mendoj,” me të vërtet ashtu ishte, ai fliste me mendimin e tij, të pavarur.
Kultura e tij e gjerë poliedrike, ishte rezultat i një pune skrupuloze, sistematike, që filloi që kur u ul në bankën e shkollës, si nxënës dhe deri sa mbylli sytë. Gjithë jetën në libër, pranë librave, penës, fjalës dhe miqve. Kaq shumë kulturë kishte, saqë ishte një nga njerëzit tek i cili personaliteti i tij autoritar dhe kultura, ishin bërë një dhe të pandarë. Ishte vështirë të dalloje tek profesor Bedri Dedja, se ku fillonte kultura e akumuluar nga të tjerët, dhe ku fillonte kultura, që buronte prej personalitetit të tij. E gjithë qenia e tij rrezantonte kulturë.
Kam patur fatin e lumtur të kem qenë dy herë studenti i tij, njëherë në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Juridike, dhe herën e fundit si student pasuniversitar për psikologji dhe pedagogji. Në të dy rastet, ai ka zhvilluar lëndën e psikologjisë sociale. Edhe sot, i kam shënimet e leksioneve të tij. Megjithëse kanë kaluar afro 30 vjet nga kjo kohë, dhe kam lexuar dhe shumë libra të tjerë në këtë fushë, kam dëgjuar shumë lektorë të tjerë, brenda dhe jashtë vendit, të them të vërtetën, dhe pa e tepruar, më ka pëlqyer më shumë thellësia e mendimit dhe “aparati pedagogjik” perfekt, gjuha e saktë e bukur, plot timbër dhe elokuencë, me të cilin profesor Bedriu dinte të transmetonte idetë shkencore, të psikologjisë sociale.
Megjithëse kohë e vështirë për shkenca të tilla, në Shqipërinë e kohës të komunizmit, mund të them se, tek ai dominonte verbi i personalitetit si shkencëtar, dhe qëndrimi objektivist, duke shfrytëzuar maksimalen e tolerancës, që lejonte regjimi i kaluar.
Po ju tregoj se me kohë ka qënë dëshirë e hershme, që një nga librat e mi t’ia kushtoj veprës, kontributit pedagogjik dhe letrar kombëtar të Prof. Bedri Dedja. Mendova se do ishte më mirë që këtë ta bëja si dedikim për librin “Qytetari dhe Jeta Urbane”. Kam edhe një arsye personale për të bërë këtë dedikim të merituar. Sepse mua personalisht, por jo vetëm (ai ishte njeri human që i donte të gjithë), Prof. Bedriu më ka dashur, përkrahur, nxitur dhe mbi të gjitha më ka mësuar si të ndërtoj një libër me lëndë, analiza, vëzhgime dhe sfond të gjerë social. Është njeriu që me mjeshtëri të rrallë shkencore, letrare dhe pedagogjike më injektoi me elegancë dashurinë për psikologjinë sociale.
Edhe sot, edhe sa të jem gjallë, në vetëdijen time tingëllojnë zëri i ëmbël, argumentimi mbushamendës, autoriteti shkencor personal i patundur, mirësia, humanizmi i këtij burri dhe shkencëtari të shquar!
Mikel Dyshniku
Bedri Dedja ka qenë shkrimtari im i dashur i viteve të fëmijërisë. Emrin e tij e kam hasur për herë të parë në kohën e shkollës fillore poshtë një teksti të shkëputur nga libri “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”. Paragrafë nga ky libër ishin përfshirë për ilustrime dhe ushtrime në librat e këndimit dhe gjuhës të fillores (lexim, diktim etj). Prej këtu u nxita ta lexoj edhe librin, i cili më pëlqeu pa masë. Pak vite më tej bleva librin “Një udhëtim i rrezikshëm” – si fillim më tërhoqi ilustrimi i kopertinës. Leximi i librit pastaj ishte një kënaqësi e veçantë. Kujtoj këtu, tre rrugaçët e vegjël, usta Ipaudhi, transmetimi direkt i ndeshjes me komça.., gjetja e emrave jo vetëm për Kokëdruthin, Kokëtapën, Kokëfirifiun (dhe psikologjinë e tyre) po edhe e qyteteve Sdikuisht e Helmegazi. Më duhet të them se edhe sot në bisedat me bashkëmoshatarët e mi i përdorim si metafora emërtimet e mësipërme, kudo shohim sot usta të Paudhë, Kokëdrutha etj. po e përdorim edhe për qytete tip Sdikuisht apo Helmegazi. Fat për ne që e shijuam në vitet tona të fëmijërisë këtë lloj letërsie.
Alfred Papuçiu
Më kujtohen ato ditë nëntori të vitit 1959, kur im atë i paharruar, Tuni Papuçiu, duke patur mbështetjen e shkrimtarit Bedri Dedja, dhe shumë shkrimtarëve dhe piktorëve të tjerë, përfshirë dhe piktorin e shquar Agim Faja, Safo Markon, Petro Markon, Dritëro Agollin, Nasho Jorgaqin, Xhevat Beqaraj e shumë të tjerë, punonte deri natën vonë, me devotshmëri, mbi bocat e revistës “Fatosi” për ta nxjerrë numrin e saj, ditën e festës kombëtare. Akademiku Bedri Dedja, i qëndronte pranë.
Profesor Bedriu ishte një njeri fjalëpakë, ndoshta edhe i lodhur pak nga jeta, i njohur botërisht në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, i cili megjithë moshën e tij mbi 70-vjeçare nuk rreshti pa shkruar për Kosovën dhe Shqipërinë, edhe nga Nëshateli i Zvicrës, ku vinte herë pas here, për vocërakët dhe rininë shqiptare që ta mbajnë gjallë gjuhën amtare dhe dashurinë për vendin e tyre.
Adriana Fishta-Bejko
Kam patur fatin dhe privilegjin të jem studentja e Profesorit të përkushtuar të psikologjisë Bedri Dedja leksionet e të cilit ishin po aq magjepësese sa edhe heroizmat e Fatbardh Pikaloshit. Ajo që spikaste në lëndën e tij nuk ishte vetëm njohuria e thellë e psikologjisë, por mënyra si na trajtonte ne studentëve të tij, si të barabartë. Në atë kohë ai ishte zv/ministër i Arsimit dhe jo vetëm gjente kohë të jepte disa orë mësim, por na frymëzonte të konsideronim punën me fëmijët si mision në jetë.
Eshtë shkruar shumë për Profesorin tonë, nga kolegët që e nderonin dhe ju mungon, nga gazetat dhe revistat pedagogjike, nga personazhet e mrekullueshëm të librave të tij, por mallin për profesorin tonë do ta shuajmë me kujtimet e shumta që i ruajmë të freskëta edhe pas gjysëm shekulli nga koha kur uleshim në bankat e shkollës ku na mësonte ai. Mallin do ta shuajmë me librat dhe studimet e shumta, se shumë shkroi dhe botoi, Profesori ynë, letërsi për fëmijë apo psikologji. Mbi të gjitha ai na la modelin e mësuesit misionar, të menҫur por modest, të famshëm por me këmbë në tokë.
Ndoshta, është mrekullia me të cilën Profesor Dedja na shpjegonte se si truri përvetëson njohuritë, që më bëri t’ia përkushtoj jetën time mësuesisë, trurit dhe të ardhmes së kombit tonë-fëmijëve. Kur studjoja në Amerikë dhe Kanada shpesh e gjeja veten duke menduar: “Këta profesorë na servirin sot disa koncepte si të reja, por Profesor Dedja na i mësoi këto në vitet ’70-të, siç janë individualiteti dhe personaliteti i fëmijës.”
Teksa kujtojmë kontributin e Profesorit tonë te nderuar, misionarit të arsimit shqiptar, ndejmë që kujtesa është mos-harrim, ndejmë flladin e dashurisë për fëmijët tanë që filloj në Korҫën ku lindi Profesori ynë, vazhdoj në Shkodër ku mësoi ABC-ën, në Durrës ku mbaroi gjimnazin dhe në Moskë ku studioi pedagogji-psikologji dhe letërsinë për fëmijë. Ajo vazhdoi në jetën e tij profesionale si themelues i revistës për fëmijë “Flamurtari i Vogël” në 1945 (kur ishte vetëm 15 vjeҫ!) pedagog i psikologjisë, dekani i parë 24 vjeҫar i Fakultetit Histori-Filologji, kryeredaktori i parë i gazetës “Mësuesi” apo i revistës “Arsimi Popullor”. Veprimtaria e tij vazhdoi në përfaqësimet e rinisë në Moskë apo Helsinki…….më vonë si sekretar i Akademisë së Shkencave apo bashkepunëtor i Universitetit të Cambridge. Falemiderit Profesor i nderuar dhe mik i përjetshëm i fëmijëve dhe mësues i madh i mësuesve. Na mungoni shumë.
Artan Gjyzel Hasani
Në vitet 70-të ëndrra më e madhe për një fëmijë që lexonte ishte të takonte profesor Bedri Dedjen, autorin më të njohur të librave për fëmijë. Mua kjo ëndërr m’u bë realitet një pasdite tetori 1973, kur nga duart e tij mora një çertifikatë, aq shumë të njohur në ato vite, “Miku i vogël i Librit” vlera e së cilës shtrihej përtej asaj cope letre të thjeshtë të zbukuruar nga firma e shkrimtarit të dashur. Pasi thirri emrin tim, dora e tij zgjati drejt meje çertifikatën e lexuesit të dalluar. Por ishte diçka më shumë. Përtej asaj çertifikate, atë çast unë kisha ndjerë një pohimim e një dëshire të panjohur që lexuesi brenda meje një ditë të shndërrohej në shkrimtar. Një ëndërr të cilën deri atë ditë nuk dija që ekzistonte. Kishte mjaftuar vetëm pamja fisnike e shkrimtarit, zëri i ngrohtë dhe përkujdesja dashamirëse me të cilën ai iu drejtua secilit prej nxënësve pjesëmarrës në atë ceremoni modeste. që shkëndijat e leximeve të deriatëhershme të ktheheshin në një lëmsh të zjarrtë që po më digjte mendjen dhe gjoksin, ndërsa po kthehesha për në shtëpi..
Sot, kur në supet e mia mbaj pothuajse gjashtëdhjetë vjet dhe 14 libra si autor, e kam të pamundur që të mos kujtoj me mirënjohje shkrimtarin e fëmijërisë sime Bedri Dedjen dhe atë mbrëmje të largët tetori sa herë që dikush më bën pyetjen “Çfarë ju shtyu të zgjidhnit krijimin letrar si vjedhësin më të madh të kohës tuaj?’.
***
Krahas këtyre fjalëve të çmuara të njerëzve që kanë njohur profesor Bedriun do theksoja dhe unë diçka që e kam thënë vite më parë dhe e përsëris me shumë dashuri e bindje se Bedri Dedja mbetet një gur themeli i kreativitetit dhe imagjinatës në fëmijërinë e disa brezave. Psikologu ikonë në fillimet e Psikologjisë në Shqipëri, studiuesi i etapave të zhvillimit psikologjik dhe social të njeriut, në veçanti të fëmijëve. Profesori i dashur për mijëra mësimdhënës të së sotmes dhe të shkuarës. Akademiku që i dha jetë dhe nder Akademisë së Shkencave. Emër i madh që la pas krijimtari të vyer, (tregime, vjersha, novela, romane, pjesë teatrale, përkthime, publicistikë, studime shkencore, tekste universitare) për të cilën lipset ridimensionim veçanërisht në kurrikulat e arsimit dhe përgjithësisht në institucionet e edukimit.
Veprat e tij si “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kalamajtë e pallatit tim”, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Tregimet e Gjyshe Pastërtores”, “Një kryengritje në pallat”, “Presidenti i Planetit të Kuq”, veçanërisht janë vepra të tilla që lënë gjurmë në kujtesën emocionale dhe shërbejnë për të ndërtuar një bibliotekë të pasur jo vetëm titujsh, por edhe shpirtërore për shumë lexues të vegjël. Përmes subjekteve të romaneve të Bedri Dedjes, një prind a psikolog e gjen të thjeshtë t’i shpjegojë fëmijës fenomene aktuale sociale a politike, shkencore a pedagogjike. Sepse shkrimtari-psikolog Bedri Dedja kishte aftësinë magjike të thjeshtësimit të temave abstrakte, të shpërbërjes së tyre në gjuhë fëmijësh.
Personalisht ndihem trefish me fat dhe mirënjohëse që fëmijëria ime është ravijëzuar prej shkrimtarit Bedri Dedja, e më vonë profesioni im prej librave të parë të psikologjisë me autor Profesor Bedriun, e tashmë shkruaj për të jo vetëm si lexuese dhe psikologe por edhe si bashkëshortja e djalit të njeriut që ndikoi në formimin tim personal e profesional.
Profesor Bedri Dedja të ndrittë shpirti e faleminderit për thesarin që krijove dhe e le me bujari, thjeshtësisht e madhërisht pas vetes!
/flasshqip.ca