Hapësirat publike në Shqipëri nuk u përkasin të gjithëve

Sociale

Nga Jolanda Lila

Fondacioni “Së bashku” me seli në Tiranë, në vazhdën e shumë veprimtarive sensibilizuese dhe studimeve analitike mbi gjendjen e personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri, së fundmi, ka botuar një monitorim të kryer në hapësirën publike të bashkisë  së Kamzës. Studimi i botuar me titullin: “Rruga flet për gjithëpërfshirjen – Analiza e gjendjes aktuale në Blv. Nënë Tereza, Kamëz” nxjerr në pah faktin se edhe pse Kamza përfaqëson një kulturë të re urbane të ngritur gjatë dy-tre dekadave të fundit, sërish aksesueshmëria në ndërtesa, në institucione, në rrugë dhe në transportin urban është e paarritshme për personat me aftësi të kufizuar apo për të moshuarit. Ky qytet i ngritur rishtaz, edhe pse duhet të ishte modeli i urbanizimit dhe i gjithëpërfshirjes, është shëmbëlltyrë e realitetit të, pothuajse, të gjitha hapësirave publike në Shqipëri.

Për të mësuar më shumë rreth këtij monitorimi, por sidomos për të kuptuar më tepër sesi është situata e hapësirave publike jo vetëm në Kamëz, por në përgjithësi në të gjithë Shqipërinë, kemi intervistuar njërën prej autoreve të këtij studimi, arkitekten me përvojë Anjeza Llubani. Sipas Llubanit, arsyet e kësaj gjendjeje të prapambetur të konceptit të një zone të urbane vijnë në radhë të parë nga pushteti lokal, i cili është përgjegjës për dhënien e lejeve të ndërtimit, si për projektet publike ashtu dhe private, për kolaudimin e tyre dhe dhënien e certifikatës së përdorimit. Po ashtu, përgjegjës janë edhe inxhinierët e arkitektët, të cilët kanë mungesë të theksuar njohurish, për sa i përket njohjes së standardeve teknike të aksesueshmërisë. Kursimi i fondeve në kurriz të qytetarëve dhe mungesa e konsultimit me grupet e interesit janë të tjera arsye. Për të mësuar më shumë rreth kësaj problematike, ju ftojmë të lexoni intervistën e mëposhtme:

 

Nga vëzhgimi juaj znj. Llubani, cilat janë mangësitë infrastrukturore që ua pengojnë përditshmërinë personave me aftësi të kufizuar në Kamëz?

Në Kamëz, si në shumë qytete të tjera të Shqipërisë, infrastruktura për personat me aftësi të kufizuara ka ende mangësi, edhe pse janë bërë përpjekje për përmirësim. Bazuar në studimet e realizuara në bashkëpunim me Fondacionin “Së Bashku”, disa nga mangësitë kryesore që pengojnë përditshmërinë e personave me aftësi të kufizuara janë:

  1. Kushtet e transportit dhe hapësirave publike: Trotuaret shpesh janë të ngushta, të bllokuara dhe pa rampat e nevojshme, duke penguar lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara. Mungesa e semaforëve akustikë dhe sinjalistikës për personat me shikim të dobët e bën kalimin shumë të vështirë dhe të pasigurt. Kalimet e rrugëve janë jashtë standardeve dhe shpesh nuk ofrojnë mundësi të sigurta për këta individë.
  1. Mungesa e rampave për personat me aftësi të kufizuara
  2. Mungesa e sipërfaqeve me reliev për të orientuar personat me aftësi të kufizuara në shikim
  • Mungesa e semaforëve akustikë
  1. Rruga u jep përparësi makinave duke çuar në pabarazi për këmbësorët
  2. Mungesa e parkimit të rezervuara për personat me aftësi të kufizuara në anë të rrugës
  3. Mungesa e kryqёzimeve miqësore për fëmijët dhe grupet e tjera të margjinalizuara në shoqëri p.sh me ngjyra dhe tërheqëse.
  • Stacionet e autobusëve në këtë rrugë jo të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, nënat me fëmijë etj.
  • Koha në dispozicion për kalimin e këmbësorëve është e kufizuar
  1. Mungesa e aksesueshmërisë në ndërtesa dhe ambiente publike: Mungesa e rampave dhe hyrjeve të përshtatshme për përdoruesit e karrigeve me rrota është një problem i madh në Tiranë. Edhe kur ka rampa, ato shpesh nuk përmbushin standardet e nevojshme, janë të pasigurta dhe kanë materiale që shkaktojnë rrëshqitje, ose janë shumë të ngushta dhe të pjerrëta, duke rrezikuar sigurinë e përdoruesve. Ky problem është i pranishëm në shumë ndërtesa, dyqane dhe institucione publike dhe private, që e pengojnë lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara.
  2. Transporti publik: Autobuzët dhe stacionet e transportit publik në Tiranë dhe Kamëz shpesh janë të paarritshëm për personat me aftësi të kufizuara, duke penguar mobilitetin e pavarur të shumë individëve. Po ashtu, mungesa e trajnimit të drejtuesve të autobusëve është një problem tjetër që përkeqëson këtë situatë, pasi ata shpesh nuk janë të përgatitur për të ofruar ndihmën e nevojshme për këta pasagjerë.
  3. Përhapja e informacionit dhe shërbimeve: Mungesa e informacionit të aksesueshëm, si tabela me shkrime të mëdha dhe braille, është një pengesë e madhe. Po ashtu, shpesh mungojnë shërbime të përshtatshme, si ndihma shëndetësore dhe asistenca sociale, për personat me aftësi të kufizuara.

Përmirësimi i kushteve për personat me aftësi të kufizuara kërkon një angazhim të përbashkët nga autoritetet lokale, qeveritare dhe shoqëria civile. Është e domosdoshme që personat me aftësi të kufizuara të përfshihen në hartimin e projekteve infrastrukturore, pasi ata janë ata që mund të ofrojnë njohuritë dhe perspektivën më të saktë për nevojat e tyre. Ky proces do të kontribuonte në krijimin e një qyteti më të aksesueshëm dhe miqësor për të gjithë, duke përfshirë çdo individ pa përjashtim.

(Foto ilustruese nga bulevardi “Nënë Tereza”, Kamëz”)

 

Pse zgjodhët Kamzën si  rast studimor, a ka diçka tipike që e karakterizon këtë zonë?

 

Kamza është zgjedhur si rast studimor për shkak të specifikave të saj urbane dhe sociale, që pasqyrojnë realitete të ndryshme nga ato të qendrës së Tiranës. Ka një popullsi të ndryshuar nga aspekti etnik dhe ekonomik, dhe përballet me sfida të mëdha në lidhje me infrastrukturën dhe aksesueshmërinë. Rritja e shpejtë e urbanizimit, mungesa e shërbimeve dhe infrastruktura e dobët e bëjnë këtë zonë një shembull të qartë të nevojës për zhvillim të qëndrueshëm dhe më shumë mundësi integruese për qytetarët. Gjithashtu Kamza është një shembull pilot ideal për zhvillim urban për shkak të pozicionit të saj strategjik, si një udhëkryq që lidh disa zona të rëndësishme. Kjo e bën të përshtatshme për të implementuar projekte që mund të kenë ndikim pozitiv në të gjithë vendin.

 

Shqipëria ka ratifikuar Konventën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar prej vitit 2013 dhe ka një sërë ligjesh që garatojnë aksesin në mjedisin shoqëror të kësaj kategorie, sipas jush, pse nuk vihen në zbatim, apo ka mungesë njohurish mbi këtë legjislacion?

 

Edhe pse Shqipëria ka ratifikuar Konventën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe ka miratuar ligje për të garantuar aksesin e kësaj kategorie, implementimi i tyre shpesh has vështirësi. Kjo lidhet me mungesën e burimeve dhe ndërgjegjësimit mbi ligjshmërinë e duhur, si dhe infrastrukturën e pamjaftueshme që mbështet këto dispozita. Po ashtu, mungesa e kontrollit dhe zbatimit në nivel lokal dhe qendror bën që ligjet të mbeten të zbatuara vetëm në teori, ndërkohë që praktikisht përpjekjet për integrim mbeten të paplotësuara. Pse ndodh kjo? Mungesa e burimeve financiare dhe logjistikës, si dhe ndërgjegjësimi i ulët për rëndësinë e këtyre ligjeve, janë disa faktorë që pengojnë implementimin efektiv. Po ashtu, sistemi i dobët i kontrollit dhe monitorimit, si dhe mungesa e vullnetit politik dhe administrativ për të zbatuar ligjet, kontribuojnë në zbatimin e mangët të këtyre dispozitave, duke e bërë realitetin më të vështirë ose të pa mundur për personat me aftësi të kufizuara.

 

A vjen kjo situatë për shkak të paaftësisë së arkitektëve dhe inxhinierëve që kanë bërë projektet ndërtuese, të cilët nuk e kanë menduar gjithëpërfshirjen?

Mundet që një pjesë e situatës mund të lidhet me paaftësinë e arkitektëve dhe inxhinierëve për të projektuar ndërtesa që përfshijnë nevojat e personave me aftësi të kufizuara, për shkak të mungesës së një trajnimi të duhur dhe ndërgjegjësimit për rëndësinë e projektimit gjithëpërfshirës. Gjithashtu, aspekti ekonomik është një faktor i rëndësishëm, pasi shpesh mendohet se përfshirja e këtyre elementeve ka kosto ekstra. Shpesh, projektet ndërtuese nuk marrin parasysh të gjitha aspektet e aksesueshmërisë, duke krijuar pengesa të vazhdueshme për këta individë. Po ashtu, mungesa e standardeve të detajuara dhe kontrollit e përkeqëson këtë situatë.

 

A ka një mungesë informacioni apo ndjeshmërie që nuk merret parasysh gjithëpërfshirja, apo bëhet për të ulur kostot?

Mungesa e informacionit dhe ndjeshmërisë për nevojat e personave me aftësi të kufizuara ndihmon në injorimin e projektimit gjithëpërfshirës. Shpesh, kjo lidhet me mungesën e trajnimit dhe vetëdijes në radhët e arkitektëve dhe inxhinierëve. E edhe më parë, aspekti ekonomik luan rol, pasi disa mendojnë se investimi në aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuara sjell kosto shtesë, dhe kështu përpiqen të ulin këto kosto duke e injoruar këtë aspekt. Por patjetët që kjo krijon pengesa për personat që kanë nevojë për akses të lehtë në hapësirat publike dhe ndërtesa.

 

Krahasuar me vendet e BE, cilat janë elementet e domosdoshme që duhet plotësuar në hapësirën urbane, në mënyrë që të sigurohet gjithëpërfshirja?

Për të siguruar gjithëpërfshirje në hapësirën urbane, duhet të plotësohen disa elemente kyçe, si: rampa të përshtatshme për karriget me rrota, (trotuaret duhet të jenë në nivel dhe të pajisen me material rezistent ndaj rrëshqitjes, kur ose ku të jetë e mundur, trotuaret duhet të kenë një pjerrësi jo më shumë 5%, trotuaret duhet të kenë një gjerësi minimale 1.2 metra, trotuaret duhet të kenë një sipërfaqe të vazhdueshme pa pjerrësi të menjëhershme në kënd ose ndërprerje nga çarje ose thyerje duke krijuar buzë mbi 6.5 mm, në trotuare të gjata ose të ngarkuara, duhet të sigurohen hapësira përgjatë rrugës në mënyrë që një karrige me rrota të kalojë një tjetër ose të rrotullohet; këto hapësira duhet të kenë një dimension minimal prej 1.5 metrash dhe duhet të jenë të vendosura në një distancë maksimale prej 12 metrash ndërmjet ndalesave), kalime të sigurt për këmbësorët, sinjalistikë dhe semaforë akustikë për personat me aftësi të kufizuara, trotuare të gjera dhe të pastra, Pëlhura e rrugës duhet të jetë e nivelit të njëjtë dhe pa pengesa të panevojshme. Kjo ndihmon në lëvizjen e lehtë të personave që përdorin karrige me rrota, pasjisje me tabela të dukshme me udhëzime për aksesueshmërinë duhet të vendosen në rrugë, duke treguar drejtimet për trotuaret, rampat, dhe ndërhyrjet e tjera, akses në transport publik të përshtatshëm, dhe standarde ndërtimi që i japin mundësi përdoruesve të lëvizin dhe të kenë akses të barabartë në të gjitha hapësirat publike, parkim i rezervuar për personat me aftësi të kufizuara në anë të rrugës, kryqёzime miqësore për femijet dhe grupet e tjera të margjinalizuara në shoqëri. Stacioni i autobusit duhet të jetë i pajisur me plane të pjerrëta (rampa), platforma të lëvizshme të përshtatshme për ngritje me qëllim lehtësimin e hyrjes për PAK. Mungesa e Tualeteve Publike.

(Modeli sesi duhet të ndërtohen hapësirat publike)

Krahasuar me vendet e BE-së, elementët e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara janë shumë më të pakët të pranishëm në Tiranë, Kamëz dhe në të gjithë Shqipërinë. Ndërtesat, transporti publik dhe hapësirat publike shpesh nuk janë të përshtatura për këto grupe, duke krijuar barrierat për mobilitet dhe integrim. Kjo është një sfidë e madhe që kërkon angazhim më të madh dhe implementimin e politikave për një qytet më gjithëpërfshirës dhe të aksesueshëm. Ne kemi hartuar manuale dhe kemi konstatuar probleme të ndryshme në shumë qytete të Shqipërisë, duke ofruar edhe zgjidhje arkitektonike për eliminimin e barrierave dhe krijimin e qyteteve gjithëpërfshirëse. Megjithatë, puna mbetet ende në faza të hershme dhe ka ende shumë për të bërë për të siguruar aksesueshmërinë dhe integrimin e plotë për personat me aftësi të kufizuara.

 

Intervistoi: Jolanda Lila- Tiranë

 

Share:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *