Ora 19: 45-Reshjet e dendura të shiut nuk i kanë ndaluar protestuesit të mblidhen përpara Parlamentit. Një pjesë e mirë e protestuesve është përplasur me policinë.
Ora 19: 30-Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka iu bëri thirrje protestuesve të ndjekin liderin e opozitës Lulzim Basha në marshim drejt Parlamentit.
Ora 19: 05- Sa mbaroi fjalën kryetari i PD-së, një grup i protestuesve është përplasur me policinë. Pas një përleshje të shkurtër me forcat e Policisë, disa protestues kanë arritur të çajnë kordonin rrethues dhe janë ngjitur në shkallët e Kryeministrisë, ndërsa të tjerë protestues përpiqen të rrëzojnë gardhin metalik që rrethon godinën.
Kapsolla të shumta dhe lëndë tymuese janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë ndërkohë që po fliste kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, duke sjellë edhe reagimin e forcave të policisë, të cilët kanë vendosur edhe maskat kundërgaz.
Përmes thirrjeve me altoparlant, policia i është drejtuar protestuesve dhe organizatorëve të protestës: “Mos hidhni lëndë piroteknike, fishekzjarrë, kapsolla dhe tymuese në drejtim të punonjësve të Policisë. Hedhja e kapsollave dhe lëndëve piroteknike rrezikon jetën e punonjësve të Policisë.Merrni masa të menjëhershme që protestuesit që kanë mbuluar fytyrën me shall dhe maska, të zbulojnë menjëherë fytyrën ose të largohen nga protesta. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike në drejtim të Policisë”.
Ora 19: 00- “Nuk ka e as do të ketë as pazare politike. Për një aspiratë evropiane, kushti i parë është qeveria tranzitore. Ndaj Rama ik! Rama ik një orë e më parë, ky është diktati i një sovrani të bashkuar”, theksoi më tej Basha në fjalën e tij përpara Kryeministrisë, ndërsa menjëherë nisi “bershëri” me mjete piroteknike në drejtim të policisë.
Ora 18: 45- Lulzim Basha: Lumi i sovranit e ka rrethuar ishullin e padrejtësisë si kurrë më parë sonte. Ja ku jemi më shumë se kurrë më parë, më të bashkuar se kurrë më parë. Më të vendosur se kurrë më parë, më të fortë se kurrë më parë kundër padrejtësisë krimit dhe korrupsionit. Bashkë me këtë vërshim të paparë e padëgjuar, me këtë bashkim zemrash mendjesh, burrash e grash. Po bie dhe muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet, për bandën e korrupsionit, e krimeve ndaj shqiptarëve.
Po bie muzgu i zi për bandën kriminale në pushtet. Po bie muzgu i zi për bandën e korrupsionit më të paparë, padrejtësive e krimeve më të përbindshme ndaj shqiptarëve. Që nga koha e pushtuesve më mizorë nuk kanë parë shqiptarët një pakicë më të urryer. Nuk kanë parë njeri më barbar ndaj popullit të tij. Njeriu që hyri në histori që hodhi gaz në shtëpitë e qytetarëve, që t’ju prishë shtëpitë dhe veten e tij. Ky është muzgu u bashkimit më të madh të shqiptarëve mbi rrënojat e pushtetit kriminal të Edi Ramës. Asgjë nuk e ndal më këtë bashkim, as frika dhe as barbaria e horrave dhe as gazi lotsjellës. Nuk na përçan dot, populli është i vendosur, Shqipëria është e bashkuar. Kjo është Shqipëria e burrave dhe grave, e gegëve dhe toskëve, e myslimanëve dhe të krishterëve që i thotë Ramës dhe bandës së tij: shporru!
.
Ora 18: 35-Liderët e opozitës i janë bashkuar protestës. Lulzim Basha ka dalë nga selia e PD-së, ndërsa Monika Kryemadhi nga selia e LSI. Po ashtu prezent në protestë është dhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Ora 18: 25-Fermerët i janë bashkuar protestës së opozitës. Përpara kryeministrisë ata kanë gjuajtur me domate në drejtim të kryeministrisë, ndërsa kanë derdhur dhe bidonat me qumësht. Vendimi i qeverisë për Tvsh-në detyron fermerët të shesin nën kosto.
Ora 18: 05- Pa mbërritur ende liderët e opozitës, protestuesit e parë të grumbulluar kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të Kryeministrisë
Ora 17: 50-Nis mbledhja e protestuesve përpara Kryeministrisë. Krahas policisë së rendit, në mbarëvajtjen e protestës do të angazhohen edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ata të repartit Shqiponja.
Gjithashtu raportohet se në ndihmë të policisë së Tiranës, kanë ardhur edhe efektivë të shumtë nga policitë e rretheve. Ashtu si në protestën e 16 Shkurtit, kordoni i parë që do të përballet me protestuesit, është ai i Policisë së Rendit, ndërsa ka nuk efektiveve femra në këtë radhë.
Anash dhe pas kryeministrisë, janë pozicionuar edhe efektivë të forcave RENEA, të cilët mund të ndërhyjnë vetëm me urdhër të Drejtorit të Policisë. Gjithashtu, oficerë të antiterrorit do të kontrollojnë personat që dyshohen si elementë të rrezikshëm dhe punonjësit e Gardës së Republikës do të monitorojnë situatën me dylbi, nga tarracat e institucioneve.
*** ****
Opozita proteston sot për herë të tretë përpara Kryeministrisë në një tubim kombëtar, pas vendimit për djegien e mandateve. Protesta nis në orën 18:00, por organizatorët nuk kanë dhënë një afat për përfundimin e saj. Kjo është hera e parë që opozita do të protestojë në mbrëmje. Forcat e policisë kanë nisur marrjen e masave për protestën. Siç tregon kjo video e Opinion.al forca të shumta policie kanë rrethuar Kryeministrinë.
Ndërkohë nga rrethet, autobusë, por edhe mjete private, janë vënë në dispozicion të protestuesve, për t’i transportuar drejt Tiranës. Kështu nga Mati, zyrtarë të degës së PD-së raportojnë se janë nisur rreth 1500 persona, në dispozicion të të cilëve janë vënë disa autobusë dhe dhjetëra makina private.
Ndërkohë policia ka ngritur pika kontrolli që prej ditës së djeshme në dalje të qytetit të Burrelit dhe në Skuraj. Ndërsa nga Dibra janë nisur rreth 2000 persona , Bulqiza 900. Gjithsej nga qarku Dibër janë rreth 4500 persona.
/Opinion.al