Protesta/ Opozita sfidon për herë të tretë Ramën, Kryeministri sërish nuk ndodhet në Tiranë

Aktualitet Kryesore Politikë

Opozita do të sfidojë për herë të tretë përpara zyrës së tij Kryeministrin e vendit Edi Rama, përmes zhvillimit të një proteste popullore.

protesta-turma-kryeministria

Ndryshe nga herët e tjera, simpatizantët e PD-së dhe forcave të tjera opozitare do të mblidhen rreth godinës së Këshillit të Ministrave në orën 18:00, për të kërkuar largimin e Kryeministrit Rama.

Grabitja spektakolare e ndodhur këtë të martë në Rinas ka shtuar akoma më shumë pakënaqësitë në radhët e opozitës, e cila ka drejtuar gishtin nga Rama, duke e cilësuar si një vjedhje shtetërore. Burime nga Partia Demokratike mohojnë zërat për ngritjen e një çadre të dytë përpara Kryeministrisë, por nuk mohojnë asnjë formë tjetër reagimi, duke sqaruar se opozita do të mbështesë vullnetin e 16 marsit, por ndërkohë Kryeministri nuk do të jetë në Tiranë.

Informacionet e konfirmuara bëjnë me dije se kreu i qeverisë, pas samitit të zhvilluar në Kroaci është nisur për një tjetër vizitë zyrtare dhe nuk do të jetë në Tiranë. Nga ana tjetër, opozita kërkon me çdo kusht largimin e tij dhe krijimin e një qeverie transitore që ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Godina e Këshillit të Ministrave, prej më shumë se 24 orë është blinduar me masa të forta sigurie, për të parandaluar çdo tentativë të protestuesve për të hyrë në brendësi të godinës njësoj si në 16 shkurt.

I gjithë perimetri i godinës është i rrethuar me prozhektorë dhe kamera, ndërkohë që edhe në godinat e tjera do të ketë agjentë të specializuar për të filmuar të gjitha zhvillimet e protestës së sotme.

Policia në shumë raste u është përgjigjur protestuesve me gaz lotsjellës, duke sjellë edhe irritim më të madh në radhët e tyre dhe tentativa të vazhdueshme për të mësyrë në drejtim të godinave të Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Share: