Nesër mbahet konferenca shkencore me temë: “Arbëreshët në fokusin e shtetit shqiptar”, një veprimtari që mbledh së bashku disa nga studiuesit më të rëndësishëm shqiptarë për të trajtuar një sërë temash mbi marrëdhëniet dhe ndërshkëmbimet ndërmjet arbëreshëve dhe shtetit shqiptar.
Konferenca organizohet nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Institutin e Historisë të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe pritet të japë përgjigje për disa nga aspektet kryesore të ndërkëmbimeve mes diasporës historike me vendin amë në aspektin kulturor, ekonomik, shoqëror, politik etj.
Si veproi shteti shqiptar t’i mbante arbëreshët të përfshirë dhe të angazhuar në problemet e Shqipërisë? A luajti ndonjë rol realpolitika e Tiranës zyrtare në ruajtjen e urave të komunikimit me arbëreshët? Po politikat identitare që i shërbenin projektit të kombformimit dhe farkëtimit të ndjenjës kombëtare dhe homogjenizimit kulturor në Shqipëri, a ndikuan? Pra, a ishin arbëreshët instrumente të nevojshme të agjendave të elitave politike që kanë drejtuar Shqipërinë në vitet 1920-1990? Këto çështje e shumë të tjera, do të trajtohen nga studiuesit në konferencën e nesërme, ku pritet të hidhet dritë mbi bazën e të dhënave arkivore në lidhje me politikat e shtetit shqiptar mbi arbëreshët.
Punimet e konferencës do të nisin ditën e premte, me datë 19 nëntor, në orën 09.00, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, salla “UNESCO”. Në vijim, ju njohim edhe me programin e plotë të veprimtarisë: