Shërbimet e shëndetit mendor në Tiranë: një shqyrtim i përgjithshëm

Sociale

Nga Lorela Musta

 

Shëndeti mendor është pjesë e pandashme e mirëqënies së individit por dhe shoqërisë në tërësi, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës.

Së fundmi nevoja e shërbimeve të shëndetit mendor është rritur së tepërmi, bazuar kjo dhe në situatat me të cilat Shqipëria është përballur. Fillimisht fatkeqësia natyrore tërmeti dhe më pas pandemia e Covid-19, e cila sigurisht ka çuar në pasoja në terma më afatgjatë duke krijuar një gamë shqetësimesh emocionale në nivel individual, familjar dhe më gjerë.

Një çështje që ka nevojë të marrë pak më tepër vemendje është perceptimi qytetar në lidhje me këto shërbime, sa të aksesueshme janë, a hasin barriera qytetarët, sa të informuar janë për zinxhirin se ku duhet të drejtohen kur përballen me vështirësi të shëndetit mendor.

Ajo që mund të thuhet është se ka një mungesë të theksuar aktivitetesh promovuese dhe ndërgjegjësuese nga institucionet publike që ofrojnë këtë shërbim, duke e bërë edhe më të vështirë aksesin por dhe barrierat që shoqëria vetë vendos.

Për fat të keq, në Shqipëri është plotësisht i munguar një sistem monitorimi i cilësisë së shërbimeve të shëndetit mendor, ku të matej lehtësisht cilësia e shërbimit, aksesi apo sa informacion kanë qytetarët me shërbimet e shëndetit mendor.

Duke iu referuar të dhënave të dala nga një studim pilot i publikuar së fundmi “Perceptimi qytetar mbi aksesin në shërbimet publike të shëndetit mendor në qytetin e Tiranës” i cili është realizuar nga Fondacioni “Së Bashku” dhe Qendra STEPS, në kuadër të projektit: “Fuqizimi i grave dhe vajzave me problematika të shëndetit mendor Tiranë” me mbështetjen  e Caritas Shqiptar (Shqipëri). Ky raport sjell perspektiven, perceptimin qytetar, të një kampioni prej 320 qytetarve, në aksesin ndaj shërbimeve të shëndetit mendor (shërbime publike) që ofrohen në qytetin e Tiranës.

Gjetjet kryesore të këtij mini-studimit tregojnë se qytetarët kanë raportuar një nivel relativisht të lartë të mungesës së informacionit në lidhje me shërbimet publike të shëndetit mendor në Bashkinë Tiranë. Përkatësisht 35% e pjesëmarrësve në rastin që kanë përjetuar vështirësi emocionale janë drejtuar te familjarë ose të afërm, 30% e kampionit është drejtuar për ndihmë te shoqëria. 12% e të anketuarve i janë drejtuar shërbimeve të shëndetit mendor në institucione private (psikolog, psikiatër). Vetëm 6% e pjesëmarrësve i janë drejtuar shërbimeve të shëndetit mendor në institucione publike, duke qënë kjo në të njëjtën linje dhe me përqindjen e pjesëmarrësve që i janë drejtuar mjekut të familjes, përkatësisht në masën 4% të gjithë kampionit. 67% e pjesëmarrësve deklarojnë se nuk kanë informacion mbi shërbimet e shëndetit mendor në institucione publike. 66 % e pjesëmarrësve kanë shprehur se për ta nuk ka qënë e lehtë marrja e shërbimit në institucione publike. 64% e kampionit janë shprehur se do të ishin të gatshëm për t’u bërë pjesë e këshillimit në grup (nëse do të ofrohej nga institucionet publike pa pagesë).

Vlen të theksohet se edhe pse kemi të bëjmë me një kampionim të vogël, të dhënat japin një tablo të qartë të vështirësive për të aksesesuar këto shërbime, nevojën për më tepër larmishmëri shërbimesh dhe përmirësim të atyre aktuale. Gjithashtu nevojitet që institucionet përgjegjëse të marrin masa për një monitorim të vazhdueshëm të shërbimeve nëpërmjet realizimit të sondazheve periodike mbi kënaqësinë e qytetarëve në lidhje me këtë shërbim apo barrierat që ata hasin me qëllim përmirësimin e këtyre shërbimeve si një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar apo shtuar shërbimet e nevojshme.

 

Share: