Një ditë më parë një grabitje me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.
Pesë persona i janë afruar me një mjet ku shkruhej “hetimi tatimor”, aeroportit. Tre kanë hyrë brenda pistës dhe kanë marrë paratë, dy të tjerë kanë qëndruar në makinë.
Grabitësit të armatosur kanë kryer grabitjen e 10 milionë eurove në pak minuta, ndërsa në avion ndodheshin 160 pasagjerë që prisnin të udhëtonin drejt Vjenës.
Sapo kanë marrë paratë autorët janë larguar por janë përballur me FNSH-të dhe policinë kufitare të Rinasit në një rrugë dytësore ku kanë shkëmbyer zjarr.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit dyshohet se ka humbur jetën dhe grabitësi që duket qartë në foto, por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë qëlluar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, pasi ka qenë i vetmi pa maskë.
Por kush është përgjegjësi për grabitjen në Rinas?
Në 10 nëntor 2017, kryeministri Rama në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ka emëruar ish-shefin e kabinetit të Edmond Haxhinastos, Krislen Kerin, në krye të Aviacionit Civil.
Në një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili mban datën 10 nëntor 2017, thuhet se “me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi emërimin e z. Krislen Keri, drejtor ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.
Krislen Keri, është drejtor i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Shqiptar, pra autoriteti publik zyrtar që merret me sigurinë në territorin dhe hapësirën ajrore të çdo lloj mjeti fluturues që hyn, del apo fluturon mbi Republikën e Shqipërisë.
Por, Krislen Keri është edhe ish-drejtor i projekteve në Ministrinë e Transporteve, në kohën kur në krye të kësaj ministrie qëndronte Edmond Haxhinasto, por që prezantohet nga ministri edhe si shef kabineti.
Pra, Krislen Keri, ishte në LSI, por e la Monën për tepsinë, pasi Rama e bëri drejtor të Aviacionit Civil.
Gjithashtu Krislen Keri është personi i shumëpërfolur në lidhje me aksidentin fatal të 7 majit të vitit 2016, ku dy fëmijë të moshës 3 dhe 5 vjeç humbën jetën.
Mbi Krislen Kerin u ngritën dyshimet se kishte ndikuar për moszbatimin e një vendimi gjykate lidhur me barrierat mbrojtëse në krah të rrugës, duke favorizuar në këtë mënyrë një karburant në pronësi të babait të tij.
Në atë kohë mediat raportuan se ishte pikërisht heqja e trafikndarëses në vendhyrjen e një karburanti e cila shkaktoi aksidentin tragjik.
Karburanti ishte në pronësi të babait të Krislenit, Pilo Keri, ish-deputet socialist dhe më pas mbështetës i LSI-së.
Trafikndarësja ishte hequr, u tha në atë kohë pas ndikimit të djalit të Pilos, Krislenit i cili ishte edhe shefi i kabinetit të Haxhinastos.
Ndërsa tashmë, pas dy vitesh emri i Krislen Kerit del sërish në media, dhe sërish për një ngjarje të rëndë.(CNA.al)