Nga Malik HASA
Të flasësh për zgjedhjet në Turqi është një gjë e zakonshme, ndërsa të flitet jashtë këtij vendi për to është më shumë se një temë zgedhjesh…
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje në fakt duhet të shkruajmë shumë, por unë do të mundohem të sjell disa fakte se përse fitorja e Erdoğan gëzon shumë qytetarët në Turqi dhe mërzit kundërshtarët brenda dhe jashtë vendit…
Historia nis që pas themelimit të Republikës së Turqisë me ardhjen në pushtet të Ismet Inönü i cili nisi një ‘ofensivë’ kundër besimit dhe besimtarëve në këtë vend. Qytetarët e Turqisë 98% e të cilëve ishin praktikantë të besimit musliman, u gjendën përballë një ekspansioni dhe gjenocidi politik përmes të cilit nuk u njihej asnjë e drejtë… Kjo situatë zgjati deri në vitin 1945, vit ky kur përmes presioneve të shumta të popullit qeverisja u detyrua të shpallte pluralizmin dhe të lejonte formimin e partive politike.
Por në fakt shtypja nuk mori fund këtu. Xhami të shumta të shndërruara në stalla kafshësh shtëpiake, shkolla fetare të mbyllura, ekonomi e rrënuar dhe shumë arsye të tjera bënë që Partia Demokratike e asaj kohe me në krye Adnan Menderes të vinte në qeveri. Politika shtypëse e majtë në këtë vend shkoi deri në atë pikë sa që Presidenti i zgjedhur përmes votës së lirë të shpallej tradhëtar kombëtar. Menderes u dënua me varje dhe varja e tij u ekzekutua në prani të pak personave.
Përpjekjet e popullit turk për liri dhe standart të lartë jetese nuk u shuan me kaq. Përmes përpjekjeve legjitime dhe të drejta ata vendosën të jenë aktivë në jetën politike. Që nga kjo kohë e djathta dhe partitë e qendrës në Turqi pothuajse kanë qenë dominante në jetën politike të vendit. Ata do të forcohen edhe më shumë deri në vitin 1980, vit ky kur dora e hekurt e sistemit të shfrenuar ushtarak do të ndërhynte me tanke për të çuar politikën edhe njëherë në situatën para viteve 60. Megjithatë populli tashmë kishte nisur të ndërgjegjësohej dhe për këtë arsye partitë e qendrës dhe ato të djathta vazhduan të rrisin prezencën e tyre në politikë. Pas këtyre përpjekjeve vjen një tjetër person i cili la jetën për rivendosjen e demokracisë në vend. Turgut Özal ishte një njeri potent dhe me politikat e tij bëri që Turqia të ecte shumë përpara. Në fakt kjo gjë nuk i kishte pëlqyer aspak forcave të errwta në vend dhe jashtë vendit të cilat nuk donin që vendi të ecte përpara. Kjo gjë shihet qartë nga fakti se Presidenti i asaj kohe, Özal, humb jetën çuditërisht pas përkeqësimit të shëndetit në vendin e tij të punës. Faktet flasin se ai është helmuar gjë e cila i solli dhe fundin e jetës.
Adnan dhe Özal ishin emrat e dy gurë themeleve të sistemit të ri demokratik të ndërtuar në Turqi mbi gjakun dhe mundin. Ndërsa kurorëzimi dhe suksesi i tyre solli në jetën politike një mendimtar dhe njeri të ndritshëm si Necmetin Erbakan. I dashur nga populli por i urryer nga forcat e errwta të Turqisë ai u largua me një peticion nga detyra i cili mund të emërtohet si një puç ushtarak modern. Teksa arsyeja ishte e qartë: Pengimi i shumicës dërrmuese të popullsisë që ishin shtypur me dekada me radhë. Vendimi për mbylljen e Refah Parti nga gjykata kushtetuese në fakt sosi durimin e popullit turk që më pas do të kapej fort pas një emri të cilin në vrazhdën e përpjekjeve për ndërtimin e demokracisë u fut në burg vetëm se lexoi një poezi të ndaluar… Poezi që fliste për lartësimin e lirisë së mendimit dhe të fesë… Ky burrë e kishte emrin Recep Tayyip Erdoğan.
Kohët kishin ndryshuar dhe populli tashmë nuk do të japë asnjë shans forcave të errwta brenda dhe jashtë vendit që të qeveriseshin me pahir. Për herë të parë AK Parti e themeluar në vitin 2002 menjëherë pas mbylljes së Refah Parti, mundi të marrë frenat e qeverisjes së vendit dhe madje e vetme.
Rruga, përpjekja, vendosmëria, sensibilizimi dhe forca e besimit ishin më të forta se kurrë për të çuar këtë vend përpara dhe për ti dhënë fund resë së zezë që mbante të mbuluar Turqinë që prej viteve 30.
Në fakt këto janë vetëm pak nga shumë arsye se përse Burri i gjatë (Recep Tayyip Erdoğan) që nga ky vit del fitimtar nga zgjedhjet.
Po përtej këtyre fakteve çfarë ka bërë Erdoğan që të jetë ende në zemrën e më shumë se gjysma e qytetarëve të Turqisë?
Përtej të qenit gurthemeli i radhës i demokracisë së vendit, pas Menderes, Özal dhe Erbakan, Erdoğani;
1 – Ka përmirësuar ndjeshëm standartin e jetesës së qytetarëve.
2 – Ka bërë revulucion në përmirësimin e sistemit të shëndetësisë duke e kthyer Turqinë në një nga vendet më të mira në botë.
3 – Ka çuar në zero korrupsionin.
4 – Ka ulur ndjeshëm borxhin e jashtëm, por më e rëndësishmja ka bërë të mundur shkëputjen e Turqisë nga kthetrat e Fondit Ndërkombëtar Monetar (FMN).
5 – Falë stabilitetit politik në Turqi sot ky vend ka një tjetër paraqitje në arenën ndërkombëtare të politikës.
Po në fakt nuk është kjo ajo gjëja kryesore që bën që Erdoğani të jetë fitimtar në zgjedhje prej shumë kohësh. Krahas së qenit gurëthemel i radhës i demokracisë së Turqisë, Erdoğan është kthyer në një ikonë të ndihmës ndaj të varfërve. Falë kontributit dhe punës së madhe të këtij vendi për ti ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, ka bërë që Turqia të jetë vendi më bujar në botë, fakt ky i pranuar edhe nga OKB. Nuk mbaron me kaq pasi Presidenti Erdoğan është kthyer sot gjithashtu edhe një ikonë qëndrese dhe shprese për të gjithë botën islame për shkak të qëndrimeve të guximshme që ai ka bërë në çështje shumë të rëndësishme si ajo e Sirisë, Irakut, Libisë, Palestinës, Mianmarit, Bangladeshit, muslimanëve të Greqisë dhe të gjithë Ballkanit, të drejtat e muslimanëve të cilët jetojnë në botën perëndimore etj.
Këto dhe shumë çështje të tjera bëjnë që të mendojmë se Erdoğan këtë herë dhe gjithmonë është një fitimtar jo vetëm për turqit, por për të gjithë ata njerëz në botë që u bëhet padrejtësi në botë. Përtej kësaj shifrat e zgjedhjeve të fundit lokale në Turqi treguan edhe një herë mbështetjen pa kushte të popullit të Turqisë ndaj tij. Këto zgjedhje në fakt kishin edhe një fakt tjetër që Erdoğanin e bëjnë padyshim fitimtar. Fakti që disa qytete u fituan nga partitë opozitare tregon qartë demokracinë dhe lirinë e mendimit dhe të ushtrimit të votës në Turqi, gjë kjo që hedh poshtë të gjitha zërat e të quajturit diktator të Erdoğanit.