Presidenti i UET, Selami Xhepa hap debatin: Po humbasim 250 milionë euro në vit, duhet sistem i ri universitar

Analizë Kryesore Opinion

Çdo vit, prindërit shqiptarë shpenzojnë 250 milionë euro për të shkolluar fëmijët e tyre jashtë vendit. Do të mjaftonte kjo shifër për të vënë në dyshim të gjitha politikat arsimore të vendit. Ndërsa shifra tjetër (i gjithë arsimi në Shqipëri ka një buxhet më pak se 350 milionë euro), do të “zyrtarizonte” dështimin.

 

Në një analizë, presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Selami Xhepa, hap një debat për ndryshimin e kësaj situate. “Duke qenë se modeli hibrid i reformës së arsimit të lartë tashmë de facto ka dështuar, është koha të rihapim për debat edhe një herë këtë temë kardinale për të ardhmen e vendit”.

Arsimi i lartë, në betejë me vetveten

SELAMI XHEPA

Sipas disa statistikave të raportuara, rreth 24 mijë studentë gjatë vitit të kaluar akademik (2016-2017) preferuan të studiojnë jashtë vendit. Kjo shifër përbën pothuajse 20% të totalit të studentëve të regjistruar në arsimin e lartë. Nëse llogarisim një shumë prej rreth 1,000 eurosh në muaj që i nevojitet një studenti për të jetuar në vendet ku studiojnë (qira, ushqim, sigurime, transport – dhe me supozimin që të gjithë ndjekin arsim publik falas në vendet europiane), atëherë jashtë vendit vetëm për qëllime studimore dalin çdo vit nga vendi gati 250 milionë euro. Një shumë mjaft e konsiderueshme për një vend të varfër si Shqipëria (i gjithë arsimi në Shqipëri ka një buxhet më pak se 350 milionë euro). Po t’i mbledhim të dyja shumat dhe shpenzimet e familjeve për arsimin privat në vend, atëherë Shqipëria e ka tejkaluar objektivin e shpenzimit të 5% të GDP-së për arsimin. Vetëm se gjysma e këtij investimi realizohet jashtë sistemit tonë arsimor. Kjo tregon se universitetet shqiptare kanë ngelur në klasë në testin e përzgjedhjes nga studentët.

Fenomeni i mobilitetit të studentëve për të përjetuar eksperienca studimi në botë është pa dyshim një arritje shumë e madhe dhe e lavdërueshme e kohëve të sotme, veçanërisht të mbështetura financiarisht nga Komisioni Europian me programin Erasmus +. Edhe që studentët shqiptarë të shkojnë të studiojnë jashtë vendit nuk do të ishte domosdoshmërisht një indicie e cilësisë problematike të institucioneve shqiptare të arsimit të lartë, nëse do të kishim një numër të konsiderueshëm studentësh të huaj që do të ndiqnin studimet në universitetet tona. Por fatkeqësisht, numri i studentëve të huaj në universitetet publike është zero, por edhe në universitetet private, me shumë pak përjashtime, numri tyre është modest. Kjo do të thotë se universitetet tona janë të mbyllura dhe ky është një problem serioz i dobësisë së cilësisë së sistemit tonë arsimor. Mbyllja është njëherësh edhe shkaku dhe pasoja e dobësisë së tyre. Fatkeqësisht, në këto vite të debatit publik mbi reformimin e këtij sistemi, në vend që të merreshim me problemin themelor të sistemit – mbylljen e tij ndaj konkurrencës – jemi investuar në një luftë shterp ndaj njëri-tjetrit dhe vazhdojmë të mbyllim sytë përpara së vërtetës. E nëse ne do të vazhdojmë të mos shohim problemin e vërtetë dhe të mendojmë për zgjidhjet më të dobishme, fatkeqësisht milionat e eurove do të vazhdojnë të dalin jashtë vendit dhe gjendja e arsimit në vendin tonë do të përkeqësohet dhe më tej dhe jo të shëndoshet. Ata që ikin për studime jashtë vendit do të ndërtojnë karrierat e tyre profesionale në tregun europian, ndërsa Shqipëria do të mbushet me studentë të keqshkolluar dhe një rini që nuk ndjek as shkollimin dhe as i bashkohet tregut të punës. Ky fenomen ka marrë përmasa shqetësuese dhe nevoja për të reaguar është më serioze se kurrë.

Njësoj si zvarritjet e shoqërisë gjatë viteve të tranzicionit mund t’i dedikohen mungesës së reformave apo reformave gjysmake dhe proceseve prapësuese, edhe gjendja e arsimit të lartë nuk bën përjashtim nga ky rregull. Një reformë e sistemit të arsimit të lartë që targetonte më mirë alokimin e shpenzimeve publike në degët dhe profesionet që vendi duhet të promovojë, në mënyrë që të mbështesë zhvillimin e industrive kompetitive, që nëpërmjet sistemit të bursave do të mbështeste gjithkënd që e meriton mbështetjen e shoqërisë të ndjekë shkollimin që dëshiron, edhe pse kushtet ekonomike nuk ia mundësojnë, që duhej të delegonte pushtetin te studentët dhe vetë universiteti duke e kufizuar realisht rolin e shtetit në punët e universiteteve, që duhej të krijonte më shumë autonomi dhe vetëveprim për botën universitare – e gjitha rezultoi një farsë. Qeveria asnjëherë nuk qe në gjendje të shpallte letrën e prioriteteve për degët dhe profesionet e mbështetura me prioritet, nuk bëri funksionale skemën e bursave për studentët në nevojë, nuk krijoi kushte të një konkurrence reale në sistemin universitar edhe midis vetë institucioneve publike, si dhe duke minuar padrejtësisht mundësitë për të performuar më mirë institucionet private të arsimit të lartë, duke krijuar bordet e administrimit me persona politikë dhe duke lënë jashtë përfshirjes në çështjet e qeverisjes studentët, të cilët janë vetë arsyeja e ekzistencës së këtyre institucioneve, duke rritur varësinë dhe centralizimin në nivele të skajshme të vendimmarrjes nga autoritetet qendrore, duke mos u marrë realisht me përpunimin e standardeve të cilësisë së edukimit, por me çështje të mikromenaxhimit të universiteteve – qeveria e humbi fokusin e qëllimit të reformës që kishte propaganduar dhe e gjitha përfundoi në një farsë propagandistike. Revolta e studentëve ishte kambana e alarmit se shoqëria e ka humbur besimin ndaj sistemit tonë universitar. Fatkeqësisht, nuk është vetëm qeveria fajtore për këtë situatë. Vetë stafet akademike dhe drejtuesit e lartë të institucioneve universitare janë po aq mëkatare, në mos më shumë. Siç e kanë treguar testimet e herëpashershme të studentëve, korrupsioni i shfaqur në një mori formash, ku ndoshta më i shëmtuari është ai i shitjes së librave që me autorësinë i lidh vetëm përkthimi nga “Google translate” dhe standardet më të ulëta të cilësisë së mësimdhënies, menaxhimi i korruptuar i fondeve publike të dedikuara për financimin e studentëve, kanë nxjerrë zbuluar para shoqërisë problemet serioze të menaxhimit dhe drejtimit të institucioneve të arsimit të lartë.

Duke qenë se modeli hibrid i reformës së arsimit të lartë tashmë de facto ka dështuar, është koha të rihapim për debat edhe një herë këtë temë kardinale për të ardhmen e vendit. Ndoshta nuk ka nevojë të hedhim vështrimin te modelet anglosaksone apo të botës shumë të zhvilluar, modele që tingëllojnë shumë të bukura në letër, por janë të paarritshme dhe jofunksionale në kontekstin tonë kulturor dhe institucional. Le të shohim ndoshta edhe tek e shkuara jonë, ose te fqinjët tanë që po bëhen shumë konkurrues dhe të hapur ndaj konkurrencës së huaj.

nstitucionet private të arsimit të lartë prej kohësh përpiqen të ofrojnë alternativa konkurruese për studentët tanë dhe të ndërkombëtarizohen duke tërhequr studentë të huaj në sistem. Por fatkeqësisht, mjedisi ka qenë dhe mbetet shumë armiqësor. Jo vetëm që mbështetja me politika publike stimuluese ka munguar, por përkundrazi, trajtimi me standarde të dyfishta, qartazi në disfavor të sektorit privat, vazhdojnë të jenë një normë sjelljeje. Interesi publik dhe e mira publike janë arsimimi dhe jo institucioni ofrues i shërbimit. Historia e shkuar dhe e sotme ka treguar se nëse sistemit i mungon konkurrenca, financimet publike sado që të rriten nuk do të mund të ndryshojnë gjendjen e arsimit. Nëse nuk reformohet arsimi si një e mirë publike, nëse standardet e cilësisë nuk forcohen dhe kërkesat ligjore nuk janë të unifikuara si për sektorin privat dhe atë publik, arsimi i lartë në vend do të vijojë të jetë deficitar në garën e konkurrencës globale, e cila është shumë e fuqishme dhe në këtë sektor. Është koha të bëhet një zgjedhje: ose një sektor-një standard, ose dy sektorë të veçantë dhe secili të ketë liritë e veta në operim, por standarde të njëjta në dalje. Duke vazhduar të helmojmë dhe më shumë mjedisin me debate shterpe dhe akuza e retorika populiste gjithfarëshe, do ta minojmë dhe më shumë besimin e publikut dhe do ta humbim betejën me të ardhmen.

Arsimi lartë dhe ekonomia janë një lidhje simbiotike dhe pasqyra të njëra-tjetrës. Vendi nuk ka një ekonomi konkurruese sepse nuk ka kërkim shkencor dhe inovacion (edhe pse ka Akademi Shkencash!) sepse ka universitete të dobëta dhe punonjës shkencorë të pamotivuar dhe të painkurajuar nga mënyra si operon sistemi i kërkimit shkencor. Le të bëjmë një zgjedhje dhe të forcojmë bashkëpunimin në emër të interesave më madhore të së ardhmes së shoqërisë.

*Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës

Share: