Shërbimi sekret kroat po përpiqet t’i njollosë myslimanët me metoda të ndyra

Analizë Opinion

Viteve të fundit dhjetëra boshnjakë (myslimanë) me punë në Kroaci dhe Slloveni janë shantazhuar nga shërbimi sekret kroat: kush ka refuzuar bashkëpunimin ka humbur lejen e qëndrimit në Kroaci apo është shpallur rrezik për sigurinë nacionale. 

Qëllimi i agjentëve kroatë ka qenë të shpikin apo zmadhojnë rrezikun nga terrorizmi islamik në Bosnjë. Pas kësaj fushate primitive të Zagrebit qëndron synimi që me çdo mjet dhe me ndihmën e serbëve dhe rusëve të krijohet një republikë kroate brenda Bosnjës.

Nga Enver Robelli 

Kur arriti në Zagreb, ai mendoi se tashmë gjendej në parajsë. Në kryeqytetin boshnjak myslimani nga Bosnja, Alen Halimoviq, u regjistrua në shkollën e mesme, të cilën e përfundoi me sukses, pastaj filloi të studiojë edukatë fizike. Tani Halimoviq zë vend në një restorant në qytetin e vjetër me sharm oriental të Sarajevës, pi çaj dhe tregon për ferrin.

Para pesë vitesh Halimoviq mori maturën në një gjimnaz islam në Zagreb. Kjo është një shkollë e pranuar nga shteti. Halimoviq punonte në një firmë telekomunikacioni, kalonte shumë kohë me familjen e tij dhe ishte i lumtur që tani po jetonte «në një qytet të bukur europian» – deri kur shërbimi sekret kroat SOA e mori në shënjestër.

Myslimani nga Bosnja ishte rreth 18-vjeçar, kur një zyrtar i SOA e i kërkoi të paraqitej në biseda konfidenciale në restorante të ndryshme të Zagrebit. Agjenti i SOA kërkoi nga Alen Halimoviqi që të raportojë se çka flitej në xhaminë e Zagrebit, kush hynte e dilte aty. Me një rast tjetër atij iu kërkua t’ua japë zyrtarëve të SOA fjalëkalimin e tij për të hyrë në profilin e tij në Facebook. Një kërkesë tjetër me të cilën u ballafaqua ishte kjo: Halimoviq do të duhej të shkonte në Gornja Maoça, një enklavë islamistësh në veri të Bosnjës, për të mbledhur informata mbi aktivitetet e zjarrvënësve fetarë.

Alen Halimoviqi, i cili në jetën e vërtetë ka një emër tjetër, refuzoi të bashkëpunojë me shërbimin kroat. «Nuk desha të kam punë as me shërbimin kroat, as me fanatikët budallenj me mjekra», thotë ai. Halimoviq nuk e ndërroi mendjen as kur agjentët kroatë i ofruan atij një honorar mujor prej 1000 euro. Tani situata për të u bë e pakëndshme. Një zyrtar i SOA u kërcënua se Halimoviq dhe familja e tij shumë shpejt do t’i shihnin pasojat nëse ai do të refuzonte edhe të tutje të merrej me spiunazh. Halimoviq, i cili ëndërronte të bëhej mësues i edukatës fizike, nga autoritetet kroate të sigurisë u shpall rrezik për sigurinë nacionale – dhe u dëbua nga vendi. Babai i tij, një punëtor ndërtimtarie, humbi vendin e punës.

Alen Halimoviq nuk është një rast i izoluar. Javëve të fundit disa boshnjakë (myslimanë) kanë kontaktuar Avdo Avdiqin. Të gjithë ata ankohen mbi metodat e ndyra të shërbimit sekret kroat. Avdiq, një gazetar i njohur hulumtues në Sarajevë, së fundi ka zbuluar njërin prej skandaleve më të mëdha të shërbimit sekret në Ballkan. Sipas të dhënave të deritanishme që ka siguruar portali Zhurnal, për të cilin punon Avdo Avdiq, agjentët kroatë janë përpjekur t’i detyrojnë shtetasit e Bosnjës me banim në Slloveni dhe Kroaci për t’u bërë pjesë e aksioneve aventuriere. Për t’i njollosur myslimanët e Bosnjës si ekstremistë shërbimi kroat kërkonte që disa prej tyre të vendosin armë dhe eksploziv nëpër xhami. Një saldues, i cili po ashtu ka kërkuar të flasë në kushte anonimiteti, i tha gazetarëve të portalit Zhurnal se kroatët kishin premtuar shumë privilegje për të dhe familjen e tij nëse do të kryente me sukses aksionin. Boshnjakë të tjerë kanë treguar se agjentët kroatë gjatë bisedave në Zagreb kanë kërkuar prej tyre të dhëna edhe për ushtrinë e Bosnjës. Një boshnjak, shtetas i Luksemburgut, tha në mediat elektronike të Sarajevës, se përkundër maltretimeve kishte refuzuar të bashkëpunimin me shërbimin kroat, duke iu thënë agjentëve se një gjë e tillë ishte e ndaluar edhe nga ligjet e Bosnjës.

«Mund të merret me mend se çfarë reagime do të kishte në Perëndim nëse policia e Bosnjës, pas alarmimit nga Zagrebi, do të kishte gjetur armë në disa xhami», thotë gazetari Avdiq gjatë një bisede në një restorant në Sarajevë, i cili gjendet afër redaksisë së portalit Zhurnal. Edhe më i ashpër ishte Dragan Mektiq, ministër i Brendshëm i Bosnjë-Hercegovinës. Ai tha se qëllimi i aksionit kroat ishte që Bosnja të njolloset si vatër e rrjeteve terroriste (islamike). Zemërimi në Sarajevë është i madh mbi operacionin sekret të shtetit fqinj. Që Kroacia, e cila nga viti 2013 është anëtare e BE-së, merret me intriga të tilla sekrete i përgjigjet politikës së jashtme të këtij vendi.

Para së gjithash presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq nuk lë rast pa paralajmëruar mbi rrezikun që gjoja kanoset nga islamistët boshnjakë. Në Bosnjë veprojnë 10 mijë xhihadistë, të cilët kanë qëndrim armiqësor ndaj Kroacisë dhe mbarë Europës, tha ajo në vitin 2017. Dëshmi për këtë deklaratë ajo nuk ofroi. Në pothuaj çdo takim me politikanët e BE-së presidentja konservatore ankohet për gjoja shtypjen e kroatëve në Bosnjë.

«Kjo fushatë ka për qëllim që në Bosnjë të themelohet një entitet i tretë, një mini-republikë e dominuar nga kroatët», thotë publicisti Faruk Vele, i cili ka shkruar një libër mbi krimet kroate të luftës ndaj myslimanëve të Bosnjës në vitet ‘90. Sipas Marrëveshjes për Paqe të Daytonit, e cila më 1995 i dha fund luftës, Bosnjë-Hercegovina përbëhet nga dy njësi: nga federata boshnjako-kroate dhe nga Republika Srpska, një etnitet i kontrolluar nga serbët, udhëheqja politike e të cilëve kërkon bashkimin me Serbinë. Një ëndërr e moçme e nacionalistëve kroatë është të kenë një territor autonom në Bosnjë, i cili në rast të shpërbërjes së shtetit fragjil do të bëhej pjesë e Kroacisë.

Çfarë ka ndërmarrë Kroacia së fundi kundër Bosnjës është një lloj «shpallje e luftës», mendon Faruk Vele. Ai kujton faktin se autokrati kroat Franjo Tuxhman dorë më dorë me sundimtarin serb Sllobodan Millosheviq synuan copëtimin e Bosnjës. Gjatë luftës dy presidentët komunikonin rregullisht përmes një linje të sigurt nga përgjigjet. Në popull ky telefon u quajt «Sllobofon». Në një darkë me diplomatë Tuxhman vizatoi në një salvetë kufijtë e Bosnjës: gjysma do t’i takonte Kroacisë, gjysma tjetër do të futej nën kontrollin e Serbisë. Më 2017 Tribunali i Hagës i ka dënuar gjashtë kroatë me 111 vjet burg për shkak të krimeve ndaj myslimanëve. Në aktgjykim përmenden edhe Tuxhmani dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij si pjesë e ndërmarrjeje të përbashkët kriminale.

Zyrtarisht Kroacia respekton integritetin territorial të Bosnjës. Por veprimet e fundit të agjentëve kroatë po helmojnë raportet mes dy shteteve. Politikanët kroatë në Zagreb i hedhin poshtë akuzat nga Sarajeva si «marrëzi» dhe «histeri antikroate». Por shefi i shërbimit sekret kroat qe i detyruar të pranojë kontaktet me një person që e cilësoi si «të dyshimtë»: bëhet fjalë për salduesin e përmendur, i cili – sipas deklaratave të tij – do të kontrabandonte dhe fuste armë në xhami. I konfrontuar me këto akuza, shërbimi sekret kroat i hodhi poshtë ato duke i quajtur «të pavërteta dhe dashakeqëse». Lufta kundër terrorizmit hyn në mesin e prioriteteve të SOA dhe po zhvillohet në mënyrë profesionale dhe të përgjegjshme për të mbrojtur Kroacinë dhe tërë Europën, thuhet në një përgjigje me shkrim të SOA.

Ndërkohë autoritet në Sarajevë kanë filluar hetimet. Por nuk duhet pritur shumë prej tyre. Drejtësia e Bosnjës konsiderohet e korruptuar, gjykatës dhe prokurorë mbahen për freri nga ana e politikanëve. Së shpejti pritet të vijë në Sarajevë juristi gjerman Reinhard Priebe, i cili me mandat të BE-së do të mbikëqyrë punën e drejtësisë dhe do të bëjë propozime për reformimin e saj. Për gazetarin Avdo Avdiq është e çuditshme që prokurorja e përgjithshme e Bosnjës në kulmin e aferës takohet me ambasadorin rus në Sarajevë. Prokurorja është kroate dhe familjare e së paku dy protagonistëve të skandalit. Kundër disa personave që dyshohet se janë të involvuar në aferë hetimet tashmë janë ndërprerë. Si koordinator i aferës është akuzuar konsulli kroat në Tuzëll, Ivan Bandiq, i cili në kohën e Jugosllavisë ka qenë punëtor i shërbimit sekret UDB, ndërsa gjatë viteve ’90 ishte njëri nga personat që vendoste se kush do dilte nga kampi i të burgosurve Heliodrom afër Mostarit. Sipas mediave kroate dhe boshnjake Ivan Bandiq një kohë ka punuar në përfaqësinë diplomatike të Kroacisë në Hagë, prej nga thuhet se u dëbua për shkak të aktiviteteve të dyshimta. Më vonë punoi në ambasadat e Kroacisë në Tiranë dhe Beograd.

Gazetari Avdo Avdiq nuk u përket atyre boshnjakëve që e injorojnë problemin me islamistët në vend. Në telefonin e tij mobil ai tregon fotografitë e 76 shtetasve të Bosnjës, të cilët u vranë në territorin e të ashtuquajturit «Shtet Islamik» në Siri dhe Irak. Mes tyre gjenden edhe katër fëmijë dhe pesë gra. Mbi 200 myslimanë radikalë nga Bosnja iu bashkuan milicisë terroriste të quajtur ISIS në luftën kundër diktatorit sirian Bashar Al-Asad.

Islami tradicionalisht tolerant dhe liberal i Bosnjës po sfidohet nga lëvizjet ekstremiste. Kreu i myslimanëve të Bosnjës, kryemyftiu Husein Kavazoviq, viteve të fundit ka urdhëruar mbylljen e disa xhamive ilegale. Pas sulmeve terroriste të islamistëve në Paris Kavazoviq shtyu ezanin për pesë minuta në shenjë solidariteti me viktimat e pafajshme. Për teologun e arsimuar në Kajro islami dhe demokracia nuk paraqesin kundërthënie. Kavazoviq u ka bërë thirrje bashkëkombësve të tij në botën perëndimore që të respektojnë vlerat e atjeshme. Gjestet e tilla kundërshtohen nga ekstremistët. Së fundi në Siri nga forcat e kurdëve u arrestua një islamist boshnjak. Në një video-incizim ai e kishte kërcënuar me vrasje Kavazoviqin. «Në emër të Allahut» kryemyftiut do t’i pritej koka në mes të Bashçarshisë.

Në Siri sapo ka rënë bastioni i fundit i «Shtetit Islamik». Ky fakt e gëzon edhe Alen Halimoviqin, i cili pas dëbimit të tij nga Kroacia ka filluar të studiojë shkencat islame në Sarajevë. Ai thotë se nuk duhet lejuar që të «çmendurit asocialë» ta diskreditojnë një fe të tërë. Zëri i tij pothuaj nuk dëgjohet nga zhurma e vajzave që pozojnë për një selfie. Disa bartin shami, të tjerat jo. Por të gjitha dëshirojnë të duken për mrekulli në instagram.

Një version pak më i shkurtër i këtij teksti u botua në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger».(dp)

Share: