Pse kaq shpesh nxjerrim në krye njerëz të shantazhueshëm?

Analizë Opinion

Nga Çapajev Gjokutaj

Publikimi i aktakuzës kundër Hashim Thaçit pa u kqyrur akoma nga gjykata dhe vetëm tri ditë para takimit tanimë të deshtuar në Shtëpinë e Bardhë, ngjall diskutime madje edhe dyshime për implikime të drejtësisë në politikë.

Gjithsesi rasti Thaçi nxjerr në pah edhe një çeshtje mbarëshqiptare: Pse dalin në krye kaq shumë politikanë që mund të shantazhohen për krime, korrupsion, njollosje morale e gjynahe të tjera?

Arsyet mund të jenë të shumta e të lidhura me mungesën meritokracisë në partitë dhe në institucionet tona, me prirjen për të funksionuar jo mbi baza merite, karjere, kontributesh etj., por mbi marrëdhenie klanore, tarafi, servilizmi e gjithfarë kriteresh të mykura.

Mundet që trajtat autoritariste të qeverisjes, që janë aplikuar e aplikohen si kendej dhe andej kufirit, mundësojnë që liderët e mëdhenj të jenë të prirur të promovojnë njerëz me cene e gjynahe se kështu i kanë nën hyqem dhe, po ta bjerë rasti, i bëjnë zap më lehtë.

Mundet që edhe ne si shoqëri nuk jemi aq kerkues për vlera, karjerë, meritë etj.

Mund të ketë edhe arsye të tjera, por vetëm një gjë ngjan e padiskutueshme. Njerëzit me cene e gjynahe shantazhohen lehtë dhe për të mbrojtur veten jo rrallë janë gati të bëjnë pazare duke lëshuar në interesin publik madje, po ta kenë në dorë, edhe në fatet e kombit.

( Nga cikli ‘ Katakombet e kombit’ )

Share: