Duçja, Aljende në tryezën e bisedimeve shqiptare?!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Parimisht ose të paktën në atë që artikulon kryeministri Edi Rama nga foltorja e Parlamentit dhe kreu i Opozitës Lulzim Basha në rrugën e protestave nuk ka më asnjë fill që i lidh për zgjedhjet e ardhshme të Qershorit. Për ta bërë situatën dhe më të nderë kanë “menduar” radhët e dyta dhe të treta të politikanëve respektivë. Helmi i tyre është më i frikshëm dhe kjo e shton dozën, që derdhin në artikulimet e ndryshme krerët e partive dhe që e kanë futur vendin në një ngërç të frikshëm politiko-socialo-ekonomik. Ka një problem, që nuk duhet mohuar. Të dy palët politike në mandatin e dytë kanë qasje shumë të lexueshme. Ndërsa pala që është në fuqi i gëzohet pushtetit dhe është e sigurt dhe e qetë në qeverisje; Opozita, ajo, që aspiron pushtetin, dallon prej agresivitetit dhe ngucje për ta kapur me çfarëdo kushti. Pozita dhe Opozita e sotme ndahen jo vetëm në dozën e agresivitetit por dhe përshfaqjet e ideve.

Për fat të keq, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e kanë ngulfatur këtë vend me ndryshimet Kushtetuese që kanë miratuar në vitin 2008 dhe që tashmë zgjedhjet i kanë bërë pronësi të tyre.

Kjo i bën politikanët që të artikulojnë ide të ndryshme jo realë, agresivitet dhe emra të çuditshëm që nuk i shkojnë fare realitetit tonë prej Duçes, Aljendes, por deri edhe te Kadafi etj., sepse në nënvetëdije realisht kanë identifikime me këto personazhe apo synojnë të bëjnë gjëra të tilla.

Me çfarë shikohet: situata në Shqipëri do të keqësohet edhe shumë më tej deri në Qershor, pasi koha deri për Zgjedhjet Lokale po ngushtohet jashtëzakonisht, derisa të dy palët të ulen në negociatat, që me shumë gjasa do të drejtohen si zakonisht prej të huajve. Shqetësimi deri në arritjen e këtij caku është pasoja që po vuajmë të gjithë: keqadministrimi i shtetit dhe më shumë se kaq krimi që ka kapur gjithçka. Dhe, trishtimi më i madh është se dy partitë kryesore në vend, që e kanë pjellë këtë situatë, nuk menaxhojnë dot edhe mbështetjen e tyre. Militantët që mblidhen si në mitingjet e Bashës por edhe Ramës o do jenë punonjës bashkish o janë pjesëtarë administrate, ndërsa ka humbur vërtetë protesta popullore, ajo që po vuan në kurriz të gjithë peshën e vendit.

Protesta nuk është ende e PD dhe nuk kemi as mendimin e drejtë të PS-së, pasi realisht ata që do të ulen dhe që priten të flasin, janë përfytyrimet që vijnë prej nënvetëdijes së politikanëve: pikërisht Duçja, Aljende, Kadafi, etj. (Javanews)

 

Share: