Bie ritmi, shqiptarët flasin më pak në telefon dhe lundrojnë më pak në internet

Aktualitet Ekonomi Kryesore

Të dhënat e tremujorit të katërt të vitit të shkuar, të publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, tregojnë se shqiptarët kanë folur më pak në celular dhe kanë dërguar më pak mesazhe se në vitin 2017. Në rënie ishte edhe trendi i përdorimit të internetit nëse krahasimin e bëjmë nga tremujori i fundit të vitit me atë korrik-shtator.

Ashtu siç pritej, rënie të dukshme ka pasur në numrin e pajtimtarëve sipas kartave SIM si dhe përdoruesve aktivë, një efekt që vjen si rezultat i mbylljes së operatorit të katërt Plus.

Referuar të dhënave të AKEP, numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T4 2018 ishte rreth 4,143,603, që përbën një ulje me 10.5% në krahasim me tremujorin e mëparshëm, dhe një ulje me 25.5% në krahasim me T4 2017. Numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T4 2018 arriti në rreth 2.7 milionë, që përbën një rënie me rreth 5% me T3 2018 dhe rënie me 25.1% në krahasim me T4 2017.

“Numri i përdoruesve aktivë të aksesit broadband në internet nga rrjetet celulare në T4 2018 ishte rreth 1.8 milionë, që përbën një rënie me 8.9% me tremujorin e mëparshëm, dhe një rënie me 10.9% në krahasim me tremujorin e katërt 2017.

Totali thirrjeve dalëse të gjeneruara nga pajtimtarët celularë në Shqipëri në T4 2018 ishte rreth 1.5 miliardë minuta, me një rënie prej 5.9% në krahasim me tremujorin paraardhës dhe me një rënie prej 7.3% me të T4 2017. Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u ul me 5.9% në krahasim me T3 2018 dhe u ul me 13.8% në krahasim me një vit më parë në T4 2017;

Sasia e thirrjeve on-net u ul me 5.6% në krahasim me T3 2018 dhe pësoi një rënie me 1.1% në krahasim me T4 2017. Numri i mesazheve SMS të dërguara nga pajtimtarët e rrjeteve celulare në T4 2018 ishte rreth 284 milionë, që përbën një rënie me 5.4% krahasuar me T3 2018 dhe një rënie me 14.9% me T4 2017” raportoi AKEP.

Lidhur me internetin, luhatja është më e vogël. AKEP vlerëson se sasia e trafikut data (Internet) në rrjetet celulare gjatë T4 2018 ishte rreth 14.6 milionë GByte. Një përdorues aktiv i aksesit broadband celular ka përdorur 2.7 GB internet në muaj në T4 2018, që përbën një rënie me 2% në krahasim me T3 2018 dhe një rritje 17.9% krahasuar me T4 2017.

“Konsumi mesatar mujor për përdorues aktiv i shërbimeve celulare gjatë T4 2018 ishte: 188 minuta dalëse, 36 SMS dhe 2.7 GB internet. Krahasuar me T3 2018, konsumi mesatar i thirrjeve pati një rënie me 0.8%, konsumi mesatar i SMS-ve dhe konsumi mesatar i internetit pati rënie respektivisht me 0.4% dhe me 2%” raporton AKEP./monitor

Share: