Akademiku Gjovalin Shkurtaj është i bindur se të gjithë shqiptarët si vetë ai e përjetojnë jo pa shqetësim rënien e kujdesit të shtetit e të institucioneve zyrtare e publike ndaj gjuhës shqipe. Madje është i mendimit se duhet t’u japim votën atyre politikanëve duke i vlerësuar edhe nga ana e të shkruarit e të folurit të shqipes. Fjalë të pahijshme që derdhen lumë nga foltorja e parlamentit i konsideron të dëmshme për fëmijët.
“Ata që hyjnë në Kuvend bashkë me gëzimin që u zgjodhën duhet të kenë edhe përgjegjësinë që t’u përmbahen sa më mirë mënyrës së të folurit d.m.th. të mendojnë para se të shkruajnë si i thonë në Kosovë “ta zgasin qafën” ta mendojnë mirë çfarë do thonë dhe si do ta thonë. Më kryesorja është qe sa më lart aq më mirë duhet të vijë uji sepse kur vjen nga lart shkon poshtë dhe turbullohet ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Uji që vjen nga lart shpesh herë vjen krejt i turbullt. Unë jam kundër të folurit larë e palarë në Kuvend. Mendoj se aty duhet folur zyrtarisht, duhet folur qartë dhe mirë dhe në qoftë se ka raste, siç kemi parë për fat të keq, unë jam partizan që më mirë mos të jepen fare pamjet nga Kuvendi kur ka sharje, kur ka të folur me fjalë të këqija sepse i mësojnë fëmijët e vegjël dhe ato bëhen si pendët që po i përhapen në një ditë me erë ato nuk mblidhen dot më”, -tha Gjovalin Shkurtaj.
Akademiku Shkurtaj shprehet se qysh në hapat e parë të shtetit shqiptar, vetëm pak muaj mbas shpalljes së Pavarësisë, në Fletoren Zyrtare u botua vendimi që të gjithë nëpunësit të jepnin provim gjuhën shqipe.
“Po e përsëris që jemi 106 vjet të vonuar në zbatimin e një kërkese të qeverisë së Ismail Qemal bej Vlorës, i cili që në vitin 1913, pak muaj pasi ishte shpallur Pavarësia në Fletoren Zyrtare të kohës ka një lajmim. Lajmimi thotë; “që të gjithë ata që dëshirojnë të qëndrojnë në Administratën Shtetërore, duhet të japin provën se e dinë gjuhën shqipe. Nëse kanë dëshirimin që të qëndrojnë por nuk e dinë gjuhën shqipe, të marrin kohën e nevojshme për ta dhënë provimin që të qëndrojnë”. Këtu ne jemi borxhlinj, sepse në Administratën Shtetërore ka shumë njerëz të cilët mund të kenë dituri por nuk dinë gjuhën shqipe”, pohoi ai.
Por mbrojtja dhe ruajtja e gjuhës shqipe nga shteti dhe shoqëria shqiptare nuk duket se është në plan të parë thotë me keqardhje gjuhëtari.
“Na e kanë zënë hijen e diellit ata që merren gjithë ditën vetëm me politikë dhe me probleme të tjera. Mllefi i tyre lëshohet si një ortek në veshin e popullit, është harruar. Madje quhen gjëra të vogla, sot të thuash të ruajmë gjuhën shqipe, të tregohemi shqiptar të quajnë të krisur, ndoshta edhe mua në këtë kronikë dikush do thonë; “çfarë është ky i krisur, çfarë hallesh kemi”. Halli i përjetshëm i shqiptarëve do të jetë kujdesi për gjuhën shqipe, në fund të fundit nëse rrudhen shqiptarët në Ballkan dhe në Europë, nëse shpërndahen në botë dhe harrojnë gjuhën e tyre, kjo do të thotë se ne humbasim”, -nënvizoi akademiku.
Shpresë i jep Diaspora që kërkon me endje libra në gjuhën shqipe teksa ka një këshillë për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë.
“Por mua më bën veshi mirë kur dëgjoj se në Diasporë ka një këndellje, ka përpjekje për të lexuar shqip, ka kërkesë për libra në gjuhën shqipe. Po të dimë ne të punojmë, po ta furnizojmë diasporën me mjetet e duhura, po t’u qëndrojmë afër, t’u japim modelin që të lidhen me Shqipërinë të qëndrojnë shqiptarë, edhe kur janë larg me trup, të jenë pranë nesh. Të gjithë i kemi njerëzit fëmijët larg. Shumica e shqiptarëve i kanë fëmijët nëpër botë, do kthehen, nuk kthehen, rëndësi ka që të mbeten shqiptarë kudo që janë”, pohoi akademik Shkurtaj.
Me këmbëngulje profesor Shkurtaj kërkon një ligj për të mbrojtur gjuhën shqipe.
“Për sa i përket shqipes së shkruar unë kam qenë dhe jam që të bëhet si gjithë bota e qytetëruar. Nuk jemi më pak se francezët. Këto ditë flitet shumë për Francën, por Franca për kulturën e vetë tregohet shumë ruajtëse. Për çdo fjalë të re ose term të ri në Francë bëhet propozimi dhe merret vendimi nga Presidenca e Republikës, edhe vendet e tjera bëjnë një punë të madhe për ruajtjen e gjuhës. Unë besoj se zbatimi i shqipes standarde në shkrim, pra në botimet e shkruara në literaturën zyrtare duhet të zbatohen rregullat e drejtshkrimit dhe të jetë në përputhje me normat.
Ruajtja e gjuhës shqipe është pjesë e dinjitetit kombëtar, është pjesë e etnisë shqiptare, është pjesë e shqiptarisë. Pra në qoftë se nuk kemi ruajtur gjuhën, nuk kemi ruajtur asnjë nga cilësitë kombëtare”, tha akademiku.
Në fund jep shpjegimin e tij për një fjalë të debatueshme siç është digjitalizim. “Së pari të kujtojmë atë që të gjithë e mësojnë në shkollë, fjalët e huaja përfshirë edhe emrat e përveçëm të huaj që përdoren në gjuhën shqipe, do të shkruhen sipas shqiptimit që kanë në gjuhën prej nga merren sipas drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Kjo ka bërë që të krijohet një mëdyshje në kuadrin e lirisë për të shkruar si të duam dhe për të bërë çfarë të duam në gjuhë. Disa njerëz i shkruajnë ashtu siç shkruhen në gjuhën përkatëse por jo siç shqiptohen dhe kjo krijon mëdyshje. Pra për fjalën konkrete dhe për të gjitha fjalët mirë është që specialistët që dinë gjuhën përkatëse, fjalët që hyjnë nga anglishtja, ata që kanë bërë fjalorët e anglishtes, ata që janë marrë me studime për gjuhën angleze, duhet të kenë përparësinë për të caktuar sesi duhet shkruar mbi bazën e shqiptimit”, përfundon Gjovalin Shkurtaj./BW