Një gotë verë për të hyrë në botën e Albin Kurtit

Analizë Opinion

Nga Andi Bushati

Albin Kurti është ndoshta i vetmi politikan i lartë që përpara se sa të japë dorën të thotë: “më fal”. Eshtë me vonesë në takimin e fiksuar prej disa ditësh me një grup të ngushtë gazetarësh, dhe ndonëse anxhenda e tij, që ka pësuar luhatje radikale që kur mban skeptrin e një kandidati për kryeministër, të kërkuarit ndjesë nuk duket i huaj për të.

“Takimi me Ramën shkoi shumë më gjatë se parashikimi’, shfajsohet pa dashur të tregojë diçka “off”, për atë që ka ndodhur brenda godinës së qeverisë. “Folëm mbi dy orë për ekonominë” thotë dhe shton se Rama e ka hedhur poshtë idenë e ndryshimit të kufijve. Vë pak buzën në gaz dhe bën sikur nuk e dëgjon pyetjen, kur i duhet të përgjigjet nëse e beson vërtet këtë pohim të atij, që para pak kohësh, i ka quajtur gomerë ata që e konsideronin tradhëti idenë e Hashim Thaçit. Pak më shumë sesa ajo lëvizje domethënëse e skajit të buzës në atë moment, ai do të linte të kuptohej gjatë një prononcimi për mediat të nesërmen, kur shpjegoi se me kryeministrin shqiptar janë dy profile të kundërta politike. “Rama ka inteligjencën e nevojshme, ndryshe nga shumë politikanë shqiptarë për të kuptuar se suksesi juaj është fillimi i fundit të imazhit të tij”, i them pa pritshmëri për të marrë përgjigje. “Nëse pas atyre që ke premtuar dhe qëndrimeve që ke mbajtur, ti dështon ose konformohesh, kjo do të vrasë shpresat edhe për njëzet vitet e ardhshme”, përpiqet ta vërë përpara përgjegjësisë, Fatos Lubonja.

Por, Albin Kurti, duket se ka qetësinë e atij që është i ndërgjegjshëm për barrën që ka marrë përsipër. Të jep përshtypjen e njeriut që është aq i bindur në ato që beson, sa asnjë asnjë “incident” nuk mund ti’a ndryshojë rrugën. Për ata që e konsiderojnë si nacionalist të rrezikshëm, një i tillë i ka ndodhur gjatë takimit me Edi Ramën. Me stilin e tij të njohur, Rama e ka ndërprerë për pak kohë bisedën maratonë me Albinin, për të futur në zyrë aktorin e kontravers francez, Xherar Depardjë, që po xhiron një film në Gjirokastër. Madje në Facebook qarkulloi menjëherë edhe një foto, e dy “kryeministrave” me të.

Përpos famës si artist, Depardjë është i njohur edhe për dashurinë për verërat e mira, urrejtjen ndaj taksave të larta dhe sidomos në vitet e fundit për miqësinë e tij me Putinin. “Kanë filluar reagimet në rrjet pas publikimit të fotos”, i thotë Kurtit një nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, Arbër Zaimi, duke i cituar edhe ndonjë koment për pozën përkrah mikut të presidentit rus.

E kotë të shikosh shqetësim për krisjen e imazhit të patriotit tek Albini: “Ishte interesant Depardjë dhe i këndshëm në bisedë” tregon pa drojë.

Një gjë tjetër më bën përshtypje.

Ndërsa flisnim me zjarr për sfidat e ardhshme të ndryshimit të pritshëm në Kosovë, në Prishtinë vazhdonte procesi i numërimit final të votave. Votat me kusht dhe ato të diasporës mund të vendosin dhe fatin e koalicionit Nisma- AKR, nëse do ta kapërcente pragun për tu futur në parlament apo jo. Kjo gjë mund ta vështirësojë apo lehtësojë krijimin e një qeverie me kryeministër Albin Kurtin. Liburn Aliu e informon hap pas hapi për rrezultatet.

Por, pavarësisht se nga kjo, mund të varet e nesërmja e tij, Albini duket i bezdisur, kur të dhënat për shifrat i ndërpresin debatet për idetë. Ai ngre sytë, llogarit në pak sekonda, dhe i kthehet me pathos shpjegimit të planeve që shumkujt do ti dukeshin ëndërrimtare.

Ndryshe nga çdo lloj politikani që kam ndeshur deri më tani, që do ishte i pritur nga interesi imediat, Albin Kurti të lë përshtypjen se e tashmja i duket banale në raport me të ardhmen.

A është e vërtetë kjo? A ka doza utopie te ky lider aspak tipik? Ku mbështetet suksesi i lëvizjes që ai krijoi një dekadë e gjysëm më parë? A duhet të na ngjallë ajo frikë, apo shpresë? A mundet ajo ta luftojë të keqen që ka hedhur rrënjë, apo e keqja do të moderojë idealizmin e kohës së opozitës me bilbila dhe gaz lotësjellës?

Pikërisht për të marrë këto përgjigje jemi ulur bashkë me Bejten, Shkullakun dhe Lubonjën rreth një gote verë.

Dilemat që gëlojnë janë disa. A mund të bashkëjetojnë aspiratat që propagandon Vetëvendosja me realitetin që e rrethon? A është i mundur realizimi i tyre kur duhet të qeverisësh në koalicion me një parti të sistemit si LDK? A bën dot transformime rrënjësore, kur nuk ke marrë shumicë absolute nga vota e qytetarëve? A ia del dot të luftosh në disa fronte paralelisht, pa pasur një fund dorëzimi ndaj sistemit, siç ndodhi me ish-kryeministrin e së majtës radikale greke, Aleksis Cipras?

“Unë e kam ndjekur shumë trajektoren e Ciprasit-pohon Kurti- Sipas meje gabimi i tij ishte se luftoi më shumë me Gjermaninë dhe Merkelin, sesa me oligarkinë vendase”, thotë ai, duke lënë të kuptohet se ndryshe nga Syriza, Vetëvendosja do të bëjë të kundërtën. E kotë ta sfidosh me shprehjen: “Mjafton që një qeveri të jetë e virtytshme, mjafton të mos vjedhë, pa qenë e detyruar të godasë ata që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme në të shkuarën”. Përgjigjja është sa këmbëngulëse aq edhe cinike: “Ne nuk do ti zhgënjejmë ata që tashmë janë frikësuar nga vendosja e drejtësisë”.

Mesazhi është i qartë, sllogani i fushatës: “Hajnat në burg”, nuk është harruar.

Po a është kjo e vështirë? Edhe në Shqipëri e kanë premtuar shumë gjatë opozitës (Nano, Berisha, Rama), por pasi janë kthyer në pushtet janë bërë njësh me oligarkët.

Albini e ka përgjigjen gati. “Në Kosovë korrupsioni nuk është kapilar. Ai është vetëm në majë, nuk ka zbritur nga lart poshtë. Përndryshe sado të suksesshëm të ishim ne si Vetëvendosje, nuk do ia dilnim dot të fitonim po të votoheshim në një mjedis të korruptuar. Kjo fitore tregon se nga virusi është prekur vetëm një kastë, prandaj dhe lufta ndaj korrupsionit tek ne është më e lehtë”.

Një tjetër kantier, ai i një beteje gati të pamundur, është ai me bankat e huaja që mbledhin paratë e shqiptarëve me përqindje fare të ulëta dhe kreditojnë ndërmarrjet e tyre të vogla dhe të mesme me fitime tepër të larta.

Kjo sipas Vetëvendosjes duhet të marrë fund. Teoria e shtetit jo vetëm arbitër, por edhe lojtar do të vihet në zbatim përmes planit për krijimin e një banke zhvillimore, me kapitale shtetërore, e cila do të vërë në lëvizje përmes kredive të buta ndërmarjet e vogla dhe të mesme.

Po dialogu me Serbinë? Po fjalët se amerikanët duan ta përfundojnë shpejt, ndryshe nga qasja e Kurtit se në fillim duhen vendosur parimet, pastaj të kërkohet zgjidhja?

Natyrisht, Albin Kurti duket se nuk ka akoma përgjigje për gjithçka. Ai e di se ku përfundon po qeverise si ortak me oligarkët. Ai e ka të qartë se si shantazhohesh nga ndërkombëtarët dhe si shndërrohesh në servil të tyre, po u kape duke vjedhur qytetarët e tu. Ai e kupton se ç’do të thotë të biesh viktimë e dogmës ultraliberale dhe ti lejosh bankat të bëjnë kërdinë. Ai e njeh rreagimin e dorëzimit tek privati të pasurive të përbashkëta si rruga e kombit (edhe nëse vihet një taksë simbolike, ajo smund të vilet nga kompani të veçanta thotë).

Ajo ku ai nuk e ka recetën të gatshme është dilema: si mund të përballohet koalicioni i gjithë këtyre “të këqijve”, që frika nga ndryshimi mund ti bëjë së bashku.

Cili mund të jetë rrezultati i përplasjes së njëkohshme me pushtetin e parasë, të mediave, të ndërkombëtarëve që kur zbresin në këto anë preken nga viruset lokale? Ata kanë aq fuqi sa ti vënë shkopinj mbi rrota një kabineti të ardhshëm Kurti, aq më tepër një qeverisjeje koalicioni.

Përgjigjja e Albinit nuk është shteruese. ‘Ne nuk i trembemi zgjedhjeve, vetëm fitojmë prej tyre’. Po sërisht, jo aq shumë sa për të udhëhequr pa asnjë nga partitë e vjetra, të cilat herët apo vonë bëhen pengesë për transformim radikal? “Unë jam optimist, më lejoni ta provoj” mbrohet ai.

Por, sado besimplotë të jetë lideri i Vetëvendosjes, kundërshtarët e ndryshimit janë vënë në punë.

Ata kanë filluar të klithin: “kujdes, rreziku po mbërrin”. Në emër të kësaj disa e përshkruajnë Albin Kurtin të veshur me uniformën e Fidel Kastros në trup, disa me çallmën e Bin Ladenit në kokë. Të tjerë vënë alarmin për rrezikun e prishjes me aleatët që çliruan realisht Kosovën.

I gjithë ky ansambël motivohet vetëm nga një shqetësim, ai se mos përmbyset rendi aktual i gjërave,  ai se është e pamundur një tjetër alternativë, përpos kësaj që njohim dhe jetojmë.

Në këtë kuptim, këta kryqtarë të status quo-së, janë kopje zhgaravina të ideolgëve të ultraliberizmit. “Ideologjia dominante sot është një dorëzim, një pranim cinik i botës ashtu siç është” këmbëngul Slavoi Zhizhek. Sipas filozofit francez Alen Badiu, qëllimi i saj është ‘të shkatërrojë çdo shpresë, çdo projekt kritik, duke pretenduar se çdo rrugë e re shpie drejt gulagut”.

Në emër të ringjalljes së këtyre fantazmave, po e sulmojnë fitoren e Vetvendosjes edhe klonet shqiptare të teorive globale të mosndryshimit.

Pra, sot ngjitja në pushtet e Albin Kurtit nuk ka përballë si armiq vetëm oligarkët që kanë fituar miliona deri dje, ingranazhet e shtetit të kapur, mediat e shumta, ndërkombëtarët që duan të bëjnë karrierrë duke falur troje të Kosovës, politikanë në dy anët e kufirit që i plak dhe i nxjerr nga loja suksesi i një modeli të ri, por mbi të gjitha, kundër saj është edhe një qasje ideologjike që i unifikon këta sëbashku.

Prandaj sfida që ka përpara është një mision gati i pamundur. E megjithatë Albin Kurti këmbëngul: ‘Jam optimist, më lini ta provoj”.

A mjafton?

Vështirë të vihet bast. Sepse po aq sa shpreh besim, po aq është dhe i ndërgjegjshëm për barrën që ka mbi shpinë. Në një moment, pasi biseda ishte nxehur dhe dilemat ishin hedhur në tryezë, Albin Kurti fare qetë tha: “E di se shumëkush e do vrasjen time”. Natyrisht në këtë pohim nuk ka asgjë prej një lideri paranojak që trembet për eleminimin e tij fizik. Aty është e kotë të qëmtosh frikra komplotizmi, si ato që e pyesin në intervista televizive, ku e detyrojnë të pijë gotën e ujit që ka përpara.

Por, ama, vrasjen politike të asaj që ai përfaqëson nuk janë ta paktë ata që e duan.

Ajo vdekje mund të jetë e dy llojtë. Së pari duke u tubuar bashkë dhe duke e rrëzuar nga pushteti.

Së dyti, duke e detyruar të moderohet duke u bërë gradualisht si ata që ka luftuar deri dje. Ky do të ishte atentati më i rëndë, ai që siç i tha Fatos Lubonja, do plagoste shpresat edhe për dy gjenerata të mëpasme.

Ne ishim katër gazetarë që e dëgjuam të thoshte: “Kush mendon kështu, nuk më ka njohur ende”./lapsi.al

Share: