Bosnja e Hercegovina janë një/ Sot shënohet Pavarësia e këtij shteti, ja disa fakte që nuk i dinit

Histori Kulturë

Ekskluzivisht për Redaktori.net, Sami Guzina 

«Bonja e Hercegovina janë Një. Vetëm se malet në Bosnje janë të pyllëzuar, kurse në Hercegovinë, jo.» – thotë shkrimtari boshnjak, Nedžat Ibriŝimović.

Dokumentat e historisë për herë të parë e përmendin Bosnje-Hercegovinën, (BeH – autori) në shekullin e IX-të. Ajo u formalizua me kryqin e Papës në vitin 1461, me mbret Stepan Tomaŝević, në Jajcë.

Sllavët e jugut erdhën në Ballkan që në shekullin e gjashtë, pastaj me dyndje të tjera dhe në shekullin e shtatë e deri në të nëntin.

Popullsia boshnjake e vendosur në trojet ku ështe dhe sot, vinte nga viset bullgare të bogumilëve. Këto fise u vendosën në trevat e ilirëve të Batos. (Fisi i Desidiatëve dhe Breukëve). Mbase ky popull sot ka trashëguar dhe pak gjak ilirësh, të cilët kishin mbetur të pakët aty nga luftrat e gjata antiromake gjatë shek VIIIte – IXte.

Senat Mičiević në veprën e tij “Počitelj” (“Počitelj”- botim, Mostar 2004, faqe 8) thekson: – «Dihet se fiset ilire banonin edhe në hapësirat ndërmjet Neretvës e Cetinjes. Ishin mjeshtër në prodhimin e përpunimin e hekurit, ç’ka na e përforcojnë zbulimet e gjetura në varret e tyre. Disa fise mund t’i gjykojmë sipas gjetjeve të ruajtura, materialeve të kulturës dhe dokumentave të shkruara.

Në hapësirat e Hercegovinës, në luginën e Neretvës jetonin Nerencët e Daorsët, nga Konjić deri në Stolac.»

«….Në shekullin e IIte para erës se re, ilirët (Ardianët) jetonin në Hercegovinën jugore, Mal të Zi e Shqipëri. Këtë «mbretëri» sipas historisë e sundonin; Agroni, Teuta, Pirro, Genti etj.»-thotë Đuro Basler. Në truallin e BeH për periudhën antike dallojmë trase rrugësh ilire dhe romake. Rruga kryesore kalonte në luginën e Neretvës; Mostar-Drežnica-Konjić-Hadžić, deri në Sarajevë. Kjo trase kryesore kishte shumë ndarje e degëzime drejt vendeve të banuara deri në derdhjen në det, porti Neum.

Deri në shek e IXte sllavët e jugut në një masë të madhe përqafuan kristianizmin (sllovenët e kroatët) duke njohur autoritetin e Papës së Romës e shkrimin latin.

Serbët, malazezët dhe maqedonasit njohën fenë ortodokse nën pushtetin e kësaj kishe. Këta, veç gjuhës mbajtën dhe drejtëshkrimin, më vonë, cirilik.

Shteti boshnjak arriti majat nën sundimin e mbretit Tvrtka (1377).

BeH shtriheshin në mes të dy qytetërimeve dhe tregjeve të kohës; qytetit – shtet të Raguzës ( Dubrovniku sot ), që lidhej direkt me Venecian e Papatin e Romës, dhe Kostandinopojës.

Përveç kësaj, BeH kishin pasuri minerare si askush tjetër në rajon. Mbi të gjitha ar dhe argjend. (Vetë emri i qytetit Srebrenica vjen nga fjala – argjend)

mesjetë, në BeH ishin tre lloje kishash;

-Katolike ( për kroatët e BeH)

-Ortodokse  ( për serbët e BeH)

-Kisha krishterë, e quajtura; boshnjake (për boshnjakët e  B-H).                     

Kjo e treta, ishte e pavarur nga dy të parat, si nga ajo katolike ( Papa ) dhe ajo ortodokse ( Patriarkana ).

Armiqtë, domosdo të shumtë të kësaj kishe dhe predikuesve të saj ( boshnjakët –  bogumilë) e quajtën këte fe, herezi, edhe për arsyen e prejardhjes së saj. Dhe kjo popullsi u quajt  nga fqinjët, heretike.

Kjo armiqësi është trashëguar brez pas brezi, patjetër edhe e injektuar nga pasardhësit shovinistë për këtë popullsi të vogël, por edhe krenarisht të panshtruar në atë oaz mes malesh dhe kundërshtarësh.

Otomanët turq pasi pushtuan Kostantinopojën (1453) u dyndën drejt Ballkanit dhe Europës.Të mos harrojmë se valë sulmesh e pushtimesh pati dhe gjatë shek. XIte, XIIte, XIIIte.

BeH e nënështruan në vitin 1483.

…«Osmallinjtë fillimisht pushtuan e nënshtruan pikat strategjike e më tej u futën në thellësi. Një nga këto pika ishte qyteti – port mbi lumin Neretva, Počitelj. Deri në vitin 1463 ajo sundohej nga Republika e Dubrovnikut ( Raguza ) në rivalitet të përhershëm me hungarezët dhe austriakët, gjithmonë me “bekimin” e Papa Piu I iIte. Madje të gjithë së bashku ata tentuan të ndalonin sulmin osman mbi Hercegovinë, pikërisht aty në Počitelj. Ata ndihmuan në forcimin e qytetit e kështjellës së tij me materiale, para, ushtri e mënyra të tjera». (Ć. Truhelka: – Rasulo Hercegovine, Sarajevo 1911, faqe 304).

Ndërsa Rađe Jerković mbi këtë temë thotë:- «Vetëm në vitin 1471 osmallinjtë pushtuan Počitelj, i cili që nga viti 1466, i ishte besuar në mbrojtje te  trupave hungareze të Mattia Korvin». ( Dvie stare tvrđave, Sarajevo 1941, faqe 14).

Porta e lartë investoi fuqishëm në këto zona për ndërtime qytetesh të reja si; Sarajevo, Mostari, Travnik; objekte si; xhami, rrugë, ura, hane, tregje etj.Të gjitha të projektuara nga mjeshtër të mëdhenj të kohës, sipas stilit otoman.

Gjatë këtyre viteve ( shek. XV-të ) BeH u myslimanizua në masën 90%.

Sarajevo u themelua në vitin 1507 (vjen nga turqishtja; saraj-oborr mbretëror).

Në vitin 1521 për herë të parë  nga Porta e Lartë, u emërua në  Sarajevë, Veziri  turk, Gazi  Husrev  Beg.

(Sot  Sarajevo ka 500 mijë banorë, kurse e gjithë  BeH  ka 4.6 milion banorë, dhe një  sipërfaqe  prej  52.197 km2.)

BeH qëndruan nën sundimin otoman deri në vitin 1878, kur Kongresi i Berlinit vendosi aneksimin e tyre,Austro-Hungarisë. Menjëherë pas këtij vendimi, BeH përjetuan një dramë kolektive. Tokat e saj deri atëherë nën sundimin e Portës, e nën komandën e vezirëve, tani do t’i përkisnin austro-hungarezëve. Kështu shkruhej në letra. Realiteti në terren u bë krejt tjetër. Dekreti i Sulltanit, që hiqte dorë nga BeH, i mbrriti Vezirit në Sarajevë. Por urdhëri i këtij të fundit i dhënë autoriteteve vendore e ushtarake për tërheqje, ose mbrinte me vonesë nëpër  krahina të largëta, ose kajmekamët, për herë të parë e vunë në diskutim. Formacionet e ushtrisë austriake nuk pritën marrjen e sundimit konform konventave ndërkombëtare të kohës, por filluan sulmet në dhjetra drejtime.

Serbët, çetnikisht e si kaçakë, duke përfituar nga situata, filluan sulmet  në zona e fshatra të pa mbrojtura, kryesisht në kufi me Serbinë, duke vrarë, plaçkitur, e dëbuar muslimanët vendas nga trojet e tyre.

Kakofonisë së beretave, uniformave, xhubletave, tirqeve, u shtohen dhe grupime e çeta kryengritësish vendas, të cilët, të tradhëtuar nga të gjithë anët, thjesht kërkonin të mbronin lagjet dhe shtëpitë e tyre nga plaçkitësit.

Të gjithë luftonin kundër të gjithëve…Ata që sot ishin aleatë, të nesërmen i gjeje kundërshtarë, paradite luftohej e pasdite kafenetë ishin plot, sikur s’kishte ndodhur asgjë. Të nesërmen fillonte çdo gjë nga e para. Gjithë këtë situatë si në një film pa zë, e sjell për lexuesin nobelisti Ivo Andrić, tek romani historik”Ura   mbi Drin.”( Na Drinu quprija, Sarajevo-1991).

Lexuesit shqiptar i rekomandoj ta krahasojë me novelën e “frikshme”të Kadaresë,“Viti i mbrapshte”- (1915), ku në një shesh luftimi aq të vogël sa Shqipëria, gjeje turli ushtrish e armësh ,uniformash e mbështetësish si; italianë, francezë, austrohungarezë, malazezë, grekë, haxhiqamilistë, toptanistë, mbeturina të ushtrisë turke. E kush nuk vraponte, qëllonte,  bërtiste, valëviste  flamuj, caktonte kufij, shpallte republika autonome, nxirrte urdhëra, ekzekutonte  kundërshtarë, bënte   aleanca, emëronte kryeministra etj.

E tillë ishte edhe situata në ato vite të mbrapshta boshnjako- hercegovinase.Vetëm se situata shqiptare ka ndodhur plot 40 vjet me pas. Pra, mes gjithë kësaj katrahure, familjeve vendase u mbeteshin dy rrugë; të mbylleshin brenda avllive me shtatë çelsa e të prisnin fatin, ose të iknin nga sytë këmbët sa më larg këtij realiteti, të cilin askush nuk dinte t’u a spjegonte apo t’u jepte garanci.

Në këtë situatë absurde, një pjesë e mirë zgjodhën variantin e dytë; të iknin, të iknin…kudo qoftë, vetëm të iknin.Të parët zgjodhën Turqinë. Fundja, me të bashkjetuan përmbi katër shekuj. E nuk ishin të pakët. Me mijëra e mijëra.  (Sot në Turqi numërohen mbi një milion boshnjakë.) 

 Edhe grupi i parë që “zbarkoi” në Durrës, në vitin 1879, për Anadoll ishte nisur. Më pas ata ftuan në Shqipëri vëllezër e motra, kushërinj, komshinj apo bashkfshatarë, në dy- tre eksode të tjera, në vitet 1880, 1881, 1884.

Austro-Hungaria e mbajti mbretërimin e saj në BeH për 40 vjet,deri në vitin 1918 (pas mbarimit të luftës  së parë botërore).

Me 3 nëntor 1918, BeH bëhet shtet i pavarur. Këshilli i Popullit vendosi që BeH t’i grupohet bashkësisë së shteteve të sllavëve të jugut, duke formuar monarkinë e Jugosllavisë.

Mbreti i parë i Jugosllavisë ishte Petër i Parë. Ky mbretërim e më pas socializmi i përbashkët me në krye Titon, si drejtues e fitues i luftës antinaziste, e mbajtën BeH brenda Jugosllavisë deri në fillim të viteve ’90, të shek XXte.

Me 1 prill 1992, me referendum popullor BeH u shpall për të dytën herë shtet i pavarur.

Bashkimi Europian e njohu BeH me 6 prill 1992, kurse SHBA e njohën një ditë më pas.

Në prag të pavarësisë, në fund të vitit 1991 BeH kishte 4.3 milion banorë. Nga këto:-44% ishin boshnjakë, -31% serbë, -17% kroatë e disa pakica, mes tyre dhe një grupim  shqiptarësh.

Sulmi serb mbi Sarajevë dhe mbi të gjithë BeH filloi me 6 prill, 5 ditë pas referendumit të pavarësisë.

Gjatë luftës 1992-‘95 kundër BeH u përdorën: -100 mijë ushtarë të ushtrisë jugosllave, -100 mijë paramilitarë kroatë të BeH, -2400 tanke e mjete të blinduara, -1800 avionë, sisteme raketash dhe artileri e rëndë.

Duhet theksuar që para luftës serbët me politikë paramenduese kishin ç’armatosur dhe ç‘vendosur tërë repartet dhe aerodromet e ushtrisë jugosllave nga territorit boshnjak.

Gjatë 4 vjetëve të kësaj lufte u vranë 250 mijë boshnjakë, 200 mijë të plagosur e të gjymtuar (nga këta 50 mijë fëmijë).

17 mijë persona dhe sot rezultojnë të zhdukur, 2.2 milion boshnjakë u përzunë me dhunë nga shtëpitë dhe pronat e tyre, si pasojë e spastrimit etnik. Ata u vendosën në 40 vende të botës. Vetëm një milion prej tyre janë rikthyer në vendlindje.

U shkatërruan mijëra xhami, objekte kulti, vepra arti, një pjesë e mirë të ndërtuar që nga koha e sundimit otoman si: Xhamia Aladža, në Foča -e ndërtuar në vitin 1551, Xhamia e Sarajevës,  më e madhja në BeH, (viti 1551) ura e famshme e Mostarit, (viti 1556), Çarshia (pazari) e Mostarit, e mbrojtur nga UNESCO, Instituti oriental i Sarajevës (më i madhi në Ballkan), Muzeu kombëtar, Biblioteka  nacionale, etj.

Lufta në BeH përfundoi me marrëveshjen e Dejton-it (SHBA) me 21 nëntor 1995 dhe e firmosur në Paris, me 14 dhjetor 1995.

Popullit boshnjak iu deshën mjaft vite për të shëruar plagët e  kësaj lufte absurde, etnike, më e madhja e më e rënda në mes të Europës, pas luftës së dytë botërore.

Sot boshnjakët punojnë për t’u integruar si të barabartë me tërë popujt e Europës.

 

Share: