Një shtëpi është djegur duke i marrë jetën çiftit të bashkëshortëve Petrit dhe Dava Ndoj 40 dhe 35 vjeç. Ngjarja ka ndodhur në lagjen ‘Va Shënkoll’ të fshatit Breg. Banesa u përfshi nga flakët rreth orës 02:00 të mëngjesit të kësaj të hëne.
Bashkëshortët 40 dhe 35 vjeç po flinin në katin e dytë të banesës kur ka rënë zjarri. Dëmtime të lehta kanë pësuar dhe katër fëmijët e tyre, të cilët janë hedhur nga dritarja e katit të dytë. Fëmijët, më i madhi 12 vjeç , kanë ariritur të shpëtojnë mrekullisht nga flakët gjyshen e moshuar, e cila ishte e paralizuar dhe nuk kishte mundësi të ecte.
Alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë Pal Gjoni, i cili kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave. 82-vjeçari me bashkëshorten e paralizuar po flinin po ashtu në katin e dytë të banesës, ndërsa fatmirësisht kanë arritur të dalin pa dëmtime. Trupat e pajetë të Petrit dhe Dava Ndoit u gjetën pranë njëri-tjetrit teksa kishin tentuar të dilnin nga dhoma. Forcat zjarrfikëse të Pukës dhe Fushë Arrëzit kërkuan rreth dy orë për gjetjen e trupave nën mbetjet e zjarrit.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë intensivisht për zbardhjen e rrethanave.