Gazmend Kapllani, Fragment nga romani “Ditar i shkurtër kufijsh”
Sapo kishte vdekur Enver Hoxha dhe gjithë populli ishte i detyruar të shkonte të bënte homazhe para varrit të Udhëheqësit të Përjetshëm, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Shkoi dhe kushërira e fatorinos bashkë me kolektivin e punës – ajo punonte në një uzinë, ndërtuar madje nga kinezët. Atë ditë e kishte kapur një e ftohur e keqe, por s’bëhej fjalë që të mos shkonte: tërë Shqipëria ishte shpërngulur ato ditë në Tiranë dhe njerëzit udhëtonin edhe varur në dyert e vagonëve të trenave tanë kinezë. Para detyrës për t’i bërë nderet e duhura Udhëheqësit të Përjetshëm, e ftohura konsiderohej një dobësi e papërfillshme borgjeze. Kushërira e fatorinos e kuptonte se s’duhej të manifestonte dobësi të tilla ato ditë. Dhe kështu u nis drejt varrit të Udhëheqësit. Priti radhën e gjatë e të pafund, kushedi se sa orë, dhe kur u gjend para varrit, u ul në gjunjë si gjithë të tjerët që ta vajtonte Udhëheqësin, të psherëtinte nga vaji dhe të puthte mermerin e ftohtë që e mbulonte. Por, teksa sforcohej të nxirrte rënkimin e vajtimit, i shpëtoi një pordhë dhe për fat të keq qe edhe boll e zhurmshme, sidoqoftë aq e zhurmshme saqë u dëgjua nga dy persona të tjerë, anëtarë të të njëjtit kolektiv pune, që prisnin radhën për të vajtuar pas saj. Kur mbaroi çdo gjë, këta të dy shkuan e raportuan te sekretari i Partisë i uzinës. Ky i fundit, për shkak të ditëve që përjetonte vendi, mendoi se s’duhej humbur një rast i tillë dhe mblodhi menjëherë kolektivin. Kushërira e shkretë u thirr zyrtarisht që të vërtetonte se pordha që lëshoi para varrit të Udhëheqësit s’fshihte ndonjë qëllim armiqësor apo ndonjë plan sekret kundër Partisë. Sekretari, nga ana e tij, ishte bërë tym dhe deklaronte se armiku përdor të gjitha metodat e mundshme për të fyer dhe prekur kujtimin e përjetshëm të shokut Enver Hoxha.
E keqja ishte se sekretari nuk e la me kaq sepse, pasi kishte kërkuar në mënyrë maniake në biografinë e pordhë-lëshueses, gjeti se gjyshi i burrit të saj kishte qenë i dënuar dhe ekzekutuar nga Partia pas Çlirimit. Kaq ishte. Si mund të provonte tani kushërira e fatorinos se pordha që i kishte shpëtuar para varrit të Udhëheqësit s’kishte asnjë lidhje me ekzekutimin e gjyshit të burrit të saj pas Çlirimit? Nuk kishte burrë nëne që të mund të vërtetonte se dy ngjarjet nuk lidheshin mes tyre. Dhe ndërsa pordhë-lëshuesja mundohej të vërtetonte të pavërtetueshmen, sekretari i Partisë përsëriste gjatë gjithë kohës parrullën: “Uji fle, armiku s’fle”. Si pasojë, ajo u dënua, humbi punën dhe u internua në një fshat që të mësonte duke u rropatur nëpër ara dashurinë e vërtetë për Udhëheqësin…