“Moj e bukura More”, një prej këngëve më popullore dhe që konsiderohet simbol i rëndësishëm i arbëreshëve. Historia që bart kjo këngë është testament i një periudhe nëpër të cilën ka kaluar vendi.
Sipas filologut arbëresh, Dhimitër Kamarda, kënga e ka origjinën tek arbëreshët e Italisë, të cilët sipas studimit të tij, u detyruan të largohen nga toka greke duke lënë trojet e tyre në vendin e quajtur More. “O e Bukura More” interpretimi i jashtëzakonshëm i artistëve italianë, Lavinia Mancusi, Gabriele Gagliarini.
Moj e Bukura More! Shumë e këndojnë, por pak e dinë se kujt i kushtohet kjo këngë.
More! Është një pasthirrmë?!… një vajzë e bukur?! Jo! More është Peloponezi i sotëm i Greqisë. Sipas një studimi të botuar në Itali në vitin 1886, nga filologu arbëresh Dhimitër Kamarda, More është një trevë e madhe, së cilës grekët i kanë ndryshuar emrin dhe e kanë kthyer në Peloponezi. Kënga “O e bukura More” memorizon kujtesën e madhe të një atdheu të humbur. Sipas filologut arbëresh është një toponim i këtij vendi nga ku u larguan shumica e arbëreshëve të sotëm të Italisë.
I vetmi dokument i kësaj kënge, është si material në librin e shkruar prej filologut, arbëresh Dhimitër Kamarda, i cili jetoi në vitet 1821-1882. Ai e ka botuar librin me titull: “Appendice al Saggio di Grammatologia Commprata sulla Lingua Albanese”, dhe është publikuar nga shtëpia botuese “F. Albergueti E.C.” në vitin 1866.
Në këtë libër është publikuar për herë të parë teksti i kësaj kënge i shkruar në shqip. Në libër sqarohet se teksti burimor popullor me ritëm tresh është i vetmi version dhe tekst original i këngës “O e bukura More”. Kjo këngë këndohet prej 600 vitesh dhe ka marrë më shumë përmasat e një kënge mërgimtarësh, e njohur dhe shumë e dashur jo vetëm për arbëreshët, por edhe për arvanitasit e Greqisë dhe shqiptarët e të gjitha trevave.
Sipas hulumtuesit Ardian Ahmedaja, qëllimi kryesor i kësaj kënge lidhet me eksodin e arbëreshëve nga Peloponezi i Greqisë për në Sicili të Italisë dhe në pjesën jugore të Gadishullit Italian pas rënies së Koronit nga osmanët në të ashtuquajturin “Rrethimi i Koronit”.
Studiuesi shqiptar Ahmedaja numëron edhe disa arsye përse kjo këngë është bërë simbol i rëndësishëm. Autori është hulumtues në Institutin për Hulumtime të Muzikës Folklorike dhe Etnomuzikologji në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese në Vjenë. Në studimin me titull “Botët paralele në këngën arbëreshe “Mori e bukura More”, ai sjell të dhëna interesante. Kjo këngë, sipas tij, mori titullin “Moj e bukura More” pasi u këndua në Shqipëri në një festival të mbajtur më 1978.
“Kënga ‘Mori e bukura More’ është e mirënjohur në mesin e arbëreshëve, por edhe shqiptarëve në Ballkan dhe pjesë të tjera të diasporës, duke përfshirë edhe arvanitët e Greqisë. Kjo këngë performohet në mënyra të ndryshme nga solistë, ose nga kori, i cili përcillet me ansamble të ndryshme instrumentale, nga këngëtarë të operës apo edhe nga grupe, repertori i të cilëve lidhet me muzikën bashkëkohore”, tha Ahmedaja, tek ka shtuar se ishin priftërinjtë e asaj kohe ata të cilët kanë bërë shumë që kjo këngë të mbetej gjallë.
“Ka shumë arsye përse kjo këngë është bërë simbol i rëndësishëm për arbëreshët, më së shumti nga priftëria dhe ka mbijetuar për një kohë kaq të gjatë. Duhet të kujtojmë se priftërinjtë ishin shumë të rëndësishëm për komunitetin arbëresh të ruajnë veçantinë e tyre në Itali, duke përfshirë gjuhën, besimin religjioz dhe zakonet”, ka shtuar ai.
Priftërinjtë arbëresh, sipas tij, po ashtu e kanë bërë të njohur këtë këngë në diasporën greke. Një figurë shembull për këtë ai përmend Antonio Beluscin nga Fransita, i cili vizitoi fshatrat Arvanite dhe incizoi këngë gjatë vizitave të tij nga viti 1965 deri më 1990 e ndihmoi në shpërndarjen e këngëve arbëreshe nga jugu i Italisë, duke përfshirë “Mori e bukura More”. Ndërsa për shpërndarjen e kësaj kënge në Shqipëri, Ahmedaja ka thënë se ekziston një tjetër version në dallim me atë që përmendet.
“Edhe pse thuhet se lidhjet zyrtare në mes të arbëreshëve dhe shqiptarëve janë vënë menjëherë pas Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, mund të thuhet se vetëm pas viteve ’70 një shkëmbim zyrtar i grupeve muzikore dhe i vizitave intelektuale filluan ngadalë”, ka thënë Ahmedaja tek ka shtuar se muzikantët arbëresh ishin ftuar që të jenë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit të Jug të Shqipërisë.
“Transkripta e melodisë së këngës rrjedh nga performanca në këtë festival në vitin 1978 me titull ‘Moj e bukura More’. Me këtë rast, kënga u bë e njohur në mbarë publikun shqiptar”, ka thënë Ahmedaja, tek ka treguar se analizat rreth muzikës janë shumë të rëndësishme.
Në këtë formë, sipas tij, mund të kuptohen lidhjet e melodive që njihen në traditat e vendësve arbëreshë me traditat e grupeve të tjera arbëreshe.