Një “i çmendur” si Charles Bukowski, me plot kundërthënie dhe plot vërtetësi

Gjuhësi Kritikë Letrare Kryesore Kulturë Libri Reportazh / Profil

Maskilist, alkoolist dhe bastexhi i pandryshueshëm. Sarkastik, cinik, vetëshkatërrues, erotoman, gjenial. Ky është pak a shumë skaneri patologjik, vizatimi në miniaturë i një fatkeqi që u përndoq nga fëmijëria e vështirë dhe veset, të cilat u rreken t’i japin liri dhe t’i marrin deri edhe jetën, në këmbim për të na dhënë atë vepër, të cilën njohim dhe e adhurojmë. Nuk është e thjeshtë të përshkruash në pak fjalë portretin e Charles Bukowski-t, njërit prej poetëve e shkrimtarëve më të diskutuar dhe trasgresivë të shekullit të shkuar, njërit prej simboleve të universit letrar të ‘900-s. Që në moshën e pubertetit, autori rrëfeu se kishte vuajtur shumë për shkak të vetmisë, kishte një lloj druajtje thuajse patologjike. Në vitet e adoleshencës megjithatë, Bukowski u njoh me dashurinë e tij të parë, letërsinë, por jo vetëm me të, u njoh edhe me alkoolin, “pasionin e dytë të madh së bashku me garat me kuaj dhe gratë”.

“Mundohem të jem i kujdesshëm për të mbajtur në fyt fjalët : kam kaluar pjesën më të madhe të jetës duke mos shprehur ato që desha të thosha dhe jam penduar .

Natyra njerëzore na kërkon që të dërgojmë mesazhe, të komunikojmë me gjeste, sepse kemi frikë të ekspozohemi ashtu si në të vërtetë jemi. Edhe ndaj vetvetes .

Kur gjithçka të ketë përfunduar, jam mëse i sigurt që do të më jepet një minutë për të menduar përsëri, të gjitha herët që kam dashur të ulëras për atë që ndieja, por unë heshtja nga frika se nuk do të më kuptonin , dhe ndjej keqardhje për qëllimet që kam braktisur, sepse frika nga dështimi më ka ndaluar gjithmonë t’i ndjek .

Kjo jetë është një bushtër dhe me siguri do të më thyhet zemra, në djall, jam i dashuruar!

Kështu shkon, Rum dhe dardhë, sepse ka disa momente të fuqishme që të lenë një shije të hidhur në gojë dhe të tjerë aq të bukur që të bëjnë të harrosh shijen e pakëndshme që ka jeta.

Jetëshkrimi

Charles Bukowski (Heinrich Karl Bukowski) i mbiquajtur Hank – u lind më 16 gusht 1920 në Andernah të Gjermanisë, nga një ushtar amerikan dhe nënë gjermane (Katharina Fett). Në moshën 3-vjeçare, familja e tij u shpërngul në Los Anxhelos të Amerikës, ku praktikisht Bukowski shkoi gjithë jetën e vet, deri në çastin e vdekjes, në mars të vitit 1994 nga pneumonia. Përgjatë karrierës më se tridhjetëvjeçare, shkrimtari botoi 32 libra me poezi, pesë libra me tregime, katër romanë, si dhe skenarin e filmit “Pijetari”. Influencat i pati nga autorët Louis-Ferdinand Céline, John Fante, Anton Chekhov, Franc Kafka, Knut Hamsun, Ernest Hemingway, Robinson Jeffers apo Fyodor Dostoyevsky. Në qoftë se në Europë romanët i sollën famën, në Amerikë librat e tij me tregime dhe poezi i dhuruan suksesin, si dhe famën e “shkrimtarit të mallkuar”. Në shtetin e ëndrrave ai thirrej nga prindërit Henry, ndërsa mbiemri i tij polak i origjinës, alternoi nga Bukowski në Bukcowski. Pas vitit 1926, kur familja e tij ishte transferuar në Amerikë, i ati filloi të abuzonte verbalisht dhe fizikisht mbi Henry-n. Detajet e kësaj jete u përshkruan më vonë nga Bukowski në novelën e tij “Ham on Rye” (Proshuta prej thekre). Përgjatë kësaj periudhe, ai u mbyll në vetvete dhe pati një rast ekstrem të puçrrave të fytyrës. Pas kryerjes së shkollës së mesme të Los Anxhelosit, Bukowski kreu kolegjin e shtetit për dy vite, duke ndjekur kurset e artit, gazetarisë dhe literaturës. Në moshën 24-vjeçare, Bukowski boton një libër me histori të shkurtër dhe më pas “20 tanket nga Kasseldown”, nga e cila u zhgënjye dhe nuk botoi më për afro një dekade. Përgjatë kësaj kohe fillon edhe jeta e tij e dhomave me qira tejet të lirë, punësime të rastësishme, ndërsa në vitin 1950 gjen punë si postier. Pas tre vitesh e lë këtë punë. Më 1955-n shtrohet në spital me një gjendje të rëndë të ulcerës, e cila do të bëhej më pas fatale. Pas daljes, ai filloi të shkruante poezi. Në vitet ’60 ai u rikthye në zyrën postare, ku vijoi të punonte për më se një dekadë. Më vonë do ta vazhdonte karrierën në shtëpinë botuese “Black Sparrow Press”

Mendoj se artisti i vërtetë, jo ai shabllonisti, i përshtatshmi për TV, duhet të jetë më i frikësuari nga një njeri me pistoletë. Artisti zotëron një arsenal tjetër: ndjenjën, inteligjencën, mosfrikësimin, për të shprehur koncepte, ide, hipnotizimin e spektatorit. Dhe këtë nuk e bën për lekë e as për famë. Kjo është një diçka që shkon përtej këtyre të mirave materiale, kjo është një nevojë që lind nga një unë i brendshëm që bashkëjeton me trupin, në të cilin gjendet. Mendoj se artistët janë të vetmit rebelë të vërtetë që i kanë mbetur kësaj bote. Çdo lloj arti që të bëni, çojeni atë deri në fund dhe vetëm kështu ju do të vdisni si fitimtarë ndaj vetvetes.

Bukowski njihet si një ndër themeluesit e rrymës “Underground” të shkrimit artistik. Vitet e fundit të jetës i kalon në qetësi të madhe. Më 9 mars të vitit 1994, në moshën 73- vjeçare, ndërroi jetë për shkak të një leucemie, në San Pedro, pak pasi kishte përfunduar romanin e tij të fundit “Pulp”. Në qivurin e tij shkruhet: “Don’t Try”, (“Mos provo”) një paralajmërim për shkrimtarët e rinj. Në një letër të vitit 1963, Bukowski e shpjegon në këtë mënyrë frazën: “Dikush… më pyeti: ‘Çfarë bën? Si shkruan, si krijon?’. Mos e bëj, i thashë. Mos provo. Është shumë e rëndësishme: të mos provosh as për Cadillac-un, as për krijimin e as për pavdekshmërinë. Prit, e nëse nuk ndodh asgjë prit edhe pak. Është si një insekt në tavan. Prit të vijë drejt teje. Kur të afrohet mjaftueshëm, e kap e shtyp dhe e vret. Ose nëse të pëlqen pamja e tij e jashtme, bëje kafshë shtëpiake”.

Thënie nga Charles Bukowski

“Problemi me pijen është ky, mendova, derisa po i mbushja vetes një gotë. Nëse ndodh diçka e keqe, ti pi në përpjekje për ta harruar ; nëse ndodh diçka e mirë, ti pi për të festuar; dhe nëse nuk ndodh asgjë, ti pi që të ndodhë diçka.” Vlerësoje veten, kurrë mos ju përkul njeriut, askush nuk është më i mirë se ti, pasi Zoti na krijoi të gjithëve të njejte!

“Për ata që besojnë në Zot, shumica e pyetjeve të mëdha kanë përgjigje. Por për ata prej nesh që nuk janë të gatshëm të pranojnë formulën e Zotit, përgjigjet e mëdha mbesin të pashkruara. Ne ju përshtatemi kushteve dhe zbulimeve të reja. Ne jemi të përpunueshëm. Dashuria nuk duhet të jetë urdhër apo besim i diktuar. Unë jam Zoti im. Ne jemi këtu t’i ç’mësojmë mësimet e kishës, shtetit dhe sistemit tonë arsimor. Ne jemi këtu për të pirë BIRRË. Ne jemi këtu për ta vrarë luftën. Ne jemi këtu t’i qeshim fatit dhe të jetojmë jetën tonë aq mirë saqë edhe vdekja do të frikësohet të na marrë. ”

E ndjeja stomakun të më lëkundej si një varkë në det me dallgë. Isha keq fare, ndjehesha i padobishëm, më i trishtuar. Isha dashuruar me atë.

Femrat dhe macet gjithmonë do të bëjnë ç’të duan. Meshkujt dhe qentë duhet të qetësohen dhe të mësohen me idenë.

Mëso të mos e shkatërrosh me fjalë atë çfarë ke ndërtuar me heshtje.

Share: