(Intervistë e Moikom Zeqos me studiuesin e ri Flori Kasaj)
– I nderuar profesor Moikomi. A mund të zhvillojmë një bisedë bashkë në formën e një interviste për universin digjital dhe kibernetikën?
– Sigurisht, i dashur Flori, ti je një student i ekselencës që ke mbaruar studimet universitare për Fizikë në Universitetin Publik të Tiranës. Jam i informuar që ke mbrojtur masterin shkencor për gradën Msc në Fizikë.
Tani keni mbaruar kursin në Link Academy për wordpress, që i përket botës digjitale, ndërkohë je i specializuar edhe për kompjuter, Graphic dhe Web Designer.
Prandaj e mirëpres bisedimin me ty pikërisht për universin digjital.
A mund të më thuash diçka më shumë për kursin e fundit që keni ndjekur?
-Faleminderit. Për Link Akademi fillimisht u njoha nëpërmjet rrjeteve sociale Facebook dhe Instagram. Që në fillim të frekuentimit të kursit mu duk shumë Cool dhe shumë interesant dhe për këtë me thënë të drejtën përshtypja e parë asnjëherë nuk më ka zhgënjyer.
Kisha pak kohë që kisha filluar punë në Shtëpinë Botuese “ERIK”, për hartimin e librave shkencor dhe në pozicionin Graphic Web Designer dhe sapo mësova për Link Academy, konkretisht për kursin e WordPress-it menjëherë aplikova duke plotësuar formularin online. Kur po lexoja njoftimin, prisja të shihja ndonjë pagesë për regjistrim apo për frekuentimin e tij. Dhe pse po e lexoja falas, prapë nuk po e besoja këtë gjë, për një moment mendova dy gjera: ose do të kishte një pagesë në vazhdimësi ose nuk do ishte dhe aq i vlefshëm për të paguar këtë trajnim 1 mujor. Por këto dy mendimet u hodhën poshtë sapo mësova që CEO ishte Jolanda Ymeri, mikja ime me të cilën kemi zhvilluar bashkëpunime gjithmonë në dobi të progresit të dijeve të botës digjitale falas për studentët ndërmjet Localweb që ajo përfaqësonte dhe Këshillit Studentor apo dhe Forumit Rinor të Shkencave që unë drejtoj.
Menjëherë thyej çdo hezitim dhe plotësoj formularin e aplikimit online. Kur thua kurs apo trajnim 1 mujor për webin, reagimi i parë që mund të marrësh është: “Hë mo se nuk është se kë mësuar ndonjë gjë për një muaj”. Por të tregohem i sinqertë nuk e prisja atë seriozitet dhe përkushtim maksimal që gjeta nga stafi mësimdhënës i Link Academy.
Unë më parë kam ndjekur kurse për kompjuterin, graphic designer, webit designer dhe shumë trajnime të tjera të kësaj fushe, njohuritë themelore të fituara për WordPress-in edhe pse në një kohë të shkurtër janë një bagazh dijesh që vlejnë shumë për punën që bëj dhe për projektet që do të zhvillojë në vazhdimësi.
Nga kursi unë mësova të ndërtoj një faqe në wordpress. Unë jam aktualisht në marrëdhënie pune. Dhe kompania ku unë punoj ka tashmë një blog në wordpress, dhe kjo gjë fal njohurive që mora nga kursi i WordPress-it në Link Academy.
Do e frekuentoj sërisht Akademinë për t’u formuar në kurset e tjera që ajo ofron. Jam mirënjohës dhe falenderoj themeluesit e kësaj Akademie për dy gjera thelbësore, mundësinë dhe aftësinë që iu ofrojnë studentëve dhe të rinjve shqiptarë për të arritur suksese.
– Po Flori.
Po pa hyrë në hollësira të përditshmërisë dua të vë në dukje se bota digjitale është një simbioze e kibernetikës.
Kibernetika është një kulturë e epërme, shumë e sofistikuar e Qytetërimit të sotëm Post-Modern.
Që në moshë të re kam pasur pasion matematikën.
Por pasioni për matematikën është stimuluar në vite nga miqësia me një nga njerëzit më të ditur të Shqipërisë, të mrekullueshmin Aleko Minga.
Emri i matematikanit Norbet Viner ka qenë një emër ndërlidhës në bisedat tona.
Ai është i pari që ka përdorur, në shkrimet e tij fjalën e re “kibernetika”.
Kjo fjalë vjen nga greqishtja “kybernetes” që do të thotë “timonier” në kuptimin e një pozicioni pilot me një disiplinë shkencore.
Për habi sot nuk e përmendin fare emrin e Nobert Vinerit, pra tregohen të padrejtë me të.
Në të vërtet kibernetika është një shkencë sintetike, që lidhet patjetër me komunikimin.
Kështu që kibernetika nënkupton,- që një inxhinier elektrik duhet të njihet me veprën e Nobert Vinerit për teorinë e sotme të komunikimit statik dhe të kontrollit të tij,- ndërsa fizikanti teoricien duhet të dijë se Vinerika qenë i pari ,-që futi idenë e integralit funksional të distancës së pjesës,- ndërsa biologu mund të gjeje horizontin e ri ,-që përcaktoi Vineri për konceptin e lidhjeve retroaktive si dhe pozitivet, ashtu dhe negativet, dhe sesi sistemi kibernetik lidhet me komunikimin dhe me zhurmimin.
Ky njeri është padyshim një nga gjenitë e shekullit XX.
Shkencëtari i madh amerikan Nobert Viner (1894-1964) , lindi në Columbia shteti i Misurit.
Ishte biri i një profesori të linguistikës në Universitetin e Harvardit.
Në 1909, vetëm 14 vjeç, ai mbaroi universitetin e Taftit, 19 vjec u zgjodh anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit të Harvardit.
Gjithashtu u specializua në Universitetin e Kembrixhit në Angli, pranë filozofit dhe matematikanit Bertrant Rasell.
Është Raselli që e shtyu Vinerin të thellohej në matematikë.
Më pas Vineri studioi ne Gettingen në Gjermani,- që është quajtur si Meka e Matematikanëve,- ku u njoh me matematikanin tjetër të madh David Herbertin.
Vineri pas studimeve punoi si profesor në Institutin Teknologjik të Masacuesit,- deri në fund të jetës.
Përveç matematikës dhe logjikës, Vineri është interesuar dhe për filozofinë.
Ai ka shkruar librin “Zoti dhe Golemi,- komentar për një varg cështjesh, përmes të të cilave kibernetika bie ndesh me fenë.”
Ndryshe nga shumë matematikanë bashkëkohës, Vineri nuk u habit kur pa,, që Kurt Gedeli, kolegu eksentrik amerikan me prejardhje çeke, vërtetoi me teoremën e vet epokale të vitit 1931,- se matematika “nuk është e përsosur”, -domethënë nuk është konseguente,- (ose që konseguenca e saj është e pavërtetueshme)
Në vitin 1949 ai e botoi librin “Kibernetika”.
E botoi të ripunuar në vitin 1961.
Në këtë libër analizohet ligjshmëria e sistemeve. Ai vërteton se Entropia “Kaosi” zmadhohet brenda sistemeve të mbyllur.
Vineri mendon përherë si matematikan,- i pashkëputur nga filozofia.
Ai mendon që ka krijuar një teori me formulimin e tezave kryesore për të kuptuar gjithçka përmes shqyrtimit të parimeve matematikore në në dialektike universale dhe të pandalshme.
Tërë koncepti i kibernetikës së Vinerit strukturohet në funksionimin e sistemeve informatike.
Kuptohet që një mundësi e tillë është e lidhur ngushtë me shumëllojshmërinë e sistemeve kompjuterike dhe padyshim me përfaqësimin digjital të të gjitha pikave dhe të praktikave.
Kështu, i dashur Flori,-dua të nënvizojë se cdo dukuri e re qoftë dhe pashembullt si dhe e pa konkurrueshme me dukuritë e mëparshme shkencore e ka një lidhje mendore me logjikën dhe intelektin,- dhe sidomos me matematikën.
Le të marrim për shembull teorinë matematikore e dy numërave të Xhorxh Bulit (Giorge Booli).
Tërë bota e ekraneve, e TV-ve, por dhe e kompjuterave bazohet në matematikën dyjore të Xhorxh Bulit.
Pra, tërë universi digjital.
Para 20 vitesh kam lexuar një libër fantastik për jetën dhe teorinë e Bulit.
Por shumë vonë e kam kuptuar se ai krijoi si askush një strukturë matematikore të re që i përshtatet në mënyrë adeguate nanoteknologjisë si dhe instrumentave funksionale dhe ndërlidhës të universit digjital.
Të njëjtën përshtypje të jashtëzakonshme më ka bërë edhe teoria e gjeometrisë fraktale të formuluar për herë të parë nga një matematikan me origjinë polake i natyralizuar si francez, Benoit Mandelbrot (1924-2010).
Unë kam shkruar në librat e mi për konceptet e gjeometrisë fraktale të Mandelbrotit.
I kam permendur shkurt.
Nga të gjitha filmat ku përdoren elementët digjitale bëhen formulimet, apo dhe kompozimet sipas parimeve të gjeometrisë fraktale.
Po marr si shembull një nga filmat ku janë përdorur shumë elementët digjitale, siç është filmi i famshëm Matrix i dy vëllezërve regjizorë Lan dhe Lilly Wachowski, që është një Trilogji, ku luan aktori Keanu Reeves.
Në këtë film patjetër që janë përdorur parimet e gjeometrisë fraktale.
Apo në një tjetër film siç është “Avatari.”
– Më duket e papritur dhe e pabesueshme që juve flisni me lehtësi për gjëra kaq të veçanta në fushën e shkencës.
Si ka mundësi që ju e keni këtë informacion dhe aq më tepër jeni i familjarizuar me teoritë matematikore më të famshme të shekullit XX por dhe fillimit të shekullit XXI?
A ka të bëj kjo thjesht me pasionin tuaj me vullnetin e madh të kërkimtarit dhe të hulumtuesit?
– Në të vërtet unë jam një njeri kureshtar.
A është kureshtja gjithçka?
A stimulon kureshtja Imagjinatën dhe të Vërtetën?
A mundet vallë që në kaosin e një bote të opinioneve, të propagandave delirante, të Epokës Post-Faktuale,- të lajmeve të rreme – të fake news-it dhe- të kërkimit të mundimshëm të së Vërtetës, -siç shprehet George Steiner,- njeriu normal kërkon të diturojë vetveten- në një mjedis diturish bashkëkohore, apo që kanë tendencën futurologjike të së Ardhmes.
Nuk mund ta them me saktësi seç më shtyn mua që të mos ndalem nga asgjë për të përvetësuar një njohje në një informacion shkencor të ri.
Në një farë kuptimi nuk dua të kem statusin e veçantë të lexuesit.
Dihet,që lexuesit në epokën digjitale përballen me një profeci të zymtë siç është ajo e “vdekjes së bardhë” të librit. Kjo profeci negative ose utopi oruelliane, duket sikur vërshon në një formë apokaliptike mbi gjeneratat e reja.
Kudo flitet se moshat e rinisë nuk para lexojnë më ose nuk lexojnë më libra.
Nuk mund ta kontestoj, nëse kemi të bëjmë në këtë rast në një të vërtete virtuale ,- apo me një të vërtet kalimtare- dhe krejt të ndryshme në të ardhmen.
Sidoqoftë ngul këmbë, nisur nga përvoja ime vetjake, se teoritë shkencore mësohen nga librat,- madje nga librat në print, sepse librat online dhe me pdf shpesh nuk krijojnë intimitetin ndërlidhës ,-që krijon libri me lexuesin.
Dhe ja tashmë jemi përpara një realiteti që po transformohet me shpejtësi.
Realiteti lidhet detyrimisht me universin digjital.
A mundet që universi digjital ta ndryshojë njeriun por dhe njerëzimin?
A mundet që inteligjenca artificiale t’i shndërrojë njerëzit në mutantë ?
A mundet që me anë të chipave, të vendosur në tru, apo në trupin e secilit, të bëhemi të gjithë pa përjashtim,- pjesë e organizuar e elektronikës dhe botës digjitale?
A mundet që të gjithë njerëzit e këtij planeti të bëhen njëkohësisht edhe banorë të “Cyberias”?
A do të shndërrohen të gjithë në “Cyberia-Boy” dhe “Cyberia-Girl”?
Në të vërtet nuk jam një profet i kubernetikës por e kuptoj qartë që jemi të zotëruar pambarisht, por dhe tërësisht nga kibernetika.
Kjo do të thotë se sistemet e reja informative, gati na kanë programuar të gjithëve.
Ky ishte mesazhi i habitshëm i filmit Matrix, që u realizua për herë të parë në vitin 1999.
A mundet bota digjitale të zëvendësoj përfundimisht realitetin objektiv, pra të krijoj në botë të tretë hibride, gjysmë digjitale dhe gjysmë reale.
Po shtoj se para 20 viteve, unë ende nuk e kisha idenë e kompjuterave.
Por sot nuk e kuptoj asnjë ditë të jetës time pa ndërlidhjen si një Centaur, pra ndihem shpesh si gjysmë njeri dhe gjysmë kompjuter.
Besoj se dhe të tjerë mund të shprehen në një mënyrë të tillë metonimike.
Pra më të sofistikuar se mënyra metaforike.
Po rikthehem dhe njëherë në fillimin e kësaj interviste, Flori.
Midis ne të dyve padyshim që ekzistojnë ndryshimet e gjeneratave por edhe vijimësia.
Ti je në një formë të pakrahasueshme me mua më intimuar në universin digjital.
Por të dy jemi të ndërlidhur.
Pra është karakteristika përcaktuese dhe përzgjedhëse e Epokës Post-moderne pikërisht kjo ndërlidhje, që ka trendin e saj, absolutisht të pakthyeshëm në “natyrën e Russoit”.
A nuk ishte thirrja e Russoit se sa më shumë përparojnë shkencat aq më shumë ngrihet klithma për tu kthyer njeriu në natyrë?
A është ky apel i Russoit aktual për sot?
Universi digjital është diçka e re është shpikja e shekullit të XX.
Tërë shekujt e tjerë nuk e kanë patur këtë shpikje. Kurse natyra është në jetë të jetëve, por as nuk mund të zëvendësohet nga diçka artificiale ndonëse tejet efektive sic është universi digjital.
Në këtë pikë mund të kemi shumë dilema.
Në këtë pikë mund të ngrihen shumë paradokse. Anjëherë nuk kam menduar se kthimi në një teknologji më primitive do të jetë një shpëtim ekologjik, sepse kërkohet gjithsesi një shpëtim.
Shkenca dhe teknologjia nuk mund të ndalin dot.
Ne ndoshta nuk mund të dimë sesi do të jetë komunikimi ynë i hibridizuar me elementët ndoshta kozmik të digjitalizmit pa përmasa.
Por unë mund të përfytyroj dhe të kapem me shpresë mbas idesë se raca njerëzore ,në asnjë mënyrë, nuk mund të shkatërrohet dhe të marre fund, për shkak të intelektit të vet.
Se ky intelekt do t’i sigurojë Mbijetesën dhe jo Harresën.