Profil/ Kush është profesor Giuseppe Gradilone, studiuesi italo-arbëresh

Kulturë Reportazh / Profil

Prof. G. Gradilone është personalitet i shkencave albanologjike, ka lindur më 1925, në Shën Demetrio Korone (Kozencë), qendër e rëndësishme historike dhe kulturore e shqiptarëve të Kalabrisë. U diplomua për letërsi në Universitetin e Romës, në të cilin petagogë e mjeshtër të studimeve, si Ernest Koliqi, ndikuan në formimin e tij, në të njëjtin universitet u specializua edhe për Filologji klasike. Lektor i gjuhës shqipe që prej vitit 1952, docent i lirë që prej vitit 1962, më pas profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe docent i parë i Filologjisë shqipe në Facoltà di Lettere e Filosofia të Universitetit te Romës “La Sapienza”. Si nxënës dhe pasardhës i aktivitetit shkencor-pedagogjik të E. Koliqit, ai ka mbajtur gjallë Institutin e Studimeve Albanalogjike të këtij Fakulteti, pranë Universitetit “La Sapienza”. Metoda e tij e punës, buron nga eksperienza të ndryshme të studimit, disa prej të cilave të panjohura në Albanistikë, si plani krahsimtar dhe ndryshueshmëria bashkëkohore, një mbizotëues historik dhe një filologji rigoroze me sensibilitet e shije për vlerat e gjuhës dhe të stilit. Studimet e tij kritike, dallohen për zbulimin njerëzor dhe artistik, në çdo mesazh letrar lexohet shkoqur lidhja me letërsinë shqipe në momentet dhe me personalitet e saj të ndryshme: nga rrënjët e letërsisë popullore tek ndikimi i letërsisë antike dhe moderne, nga formimi gradual i një tradite në impenjimin politik, civil, shoqëror dhe gjuhësor i shkrimtarëve të Shqipërisë dhe të Diasporës.

Ai qe drejtor edhe i Institutit të Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La sapienza”-s. Punoi me përkushtim edhe si redaktor i revistës “Shêjzat” ku botoi shumë nga artikujt e tij. Analizave të krijimtarisë letrare të shumë autorëve, si De Rada, Santori, Serembe, Fishta, Frashëri, Schirò etj., u kushtoi disa vepra, ndër të cilat mund të përmendim: “Virgilio e Naim Frashëri”, 1957; “Salvatore Braile, poeta albanese”, 1958; “Studi di letteratura albanese”, Roma, Urbinati, 1960; “Altri studi di letteratura albanese”, Roma, Bulzoni, 1974;” La letteratura albanese e il mondo classico”, Roma, 1983; “Studi di letteratura albanese contemporanea”, Istituto di Studi Albanesi dell’ Università degli Studi di Roma “La Sapienza”, 1992.


Me shumë rëndësi janë edhe kontributet plot akribi të prof. Gradilones në fushën e botimeve kritike të veprave të botuara apo të mbetura dorëshkrim të autorëve arbëreshë ku përmendim: Girolamo De rada, “I canti di Milosao”, Roma, 1965; “Zonjës madhe perëndeshë Elenës Gjika (Canto a Dora d’Istria)”, Roma, 1986; “Contributo alla critica del testo dei canti di Giuseppe Serembe”, Roma, 1989; Francesco A. Santori, “Panaini e Dellja – Fëmija pushtjerote”, Roma 1989.
Pjesë e kërkimit të tij shkencor ka qenë edhe studimi dhe botimi i letërsisë së transmetuar gojarisht deri në ditët tona nga komunitetet arbëreshe në Itali.
Me shuarjen e prof. Giuseppe Gradilone-s si sot një vit më parë, komuniteti i albanologëve humbi një nga anëtarët e tij të shquar dhe letërsia arbëreshe e shqipe hulumtuesin e pasionuar.

Share: