Fondacioni Së Bashku, i drejtuar nga aktivistja e njohur për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Znj. Suela Lala, sjell një pamje tjetër të procesit zgjedhor, që dëshmon përmes imazheve, mohimin e të drejtës themelore, pikërisht pamundësinë e ushtrimit të të drejtës së votës, për shkak të moskrijimit të infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara. Në vijim, po paraqesin reagimin zyrtar të Fondacionit Së Bashku:
“Fondacioni Së Bashku, duke vlerësuar ushtrimin e të drejtës themelore të zgjedhjeve si parim kryesor që parashtrohet nga Konventat Ndërkombëtare dhe si e Drejtë Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, mbi bazë të parimit të mosdiskriminimit, ka monitoruar Zgjedhjet Parlamentare 2021 në qarkun e Durrësit, me fokus Personat me Aftësi të Kufizuara.
Situata aktuale për personat me aftësi të kufizuara mund të konsiderohet tepër dramatike. Fondacioni Së Bashku, ka angazhuar një grup aktivistësh si vëshgues afatshkurtër për të parë nga afër të gjithë procesin zgjedhor, duke u përqëndruar tek aksesi që qytetarët me aftësi të kufizuara kanë për të ushtruar lirisht vullnetin e tyre për të zgjedhur. Raportimet e kryera dëshmojnë qartë diskriminimin që vuajnë personat me aftësi të kufizuara, për shkak të mungesës së aksesit, pamundësive teknike dhe mosgarantimin e një procesi si të barabartë në mundësi dhe të drejta.
Fondacioni Së Bashku, dëshiron të ndajë me ju, disa gjetje që pasqyrojnë situatën e papranueshme kundrejt personave me aftësi të kufizuara nga monitorimi i këtyrë zgjedhjeve. Ky proces, është realizuar në kuadër të zbatimit të nismës “Unë marr pjesë! Zëri im, vota ime vlen” mbështetur financiarisht nga Bashkimi Europian dhe implementuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Civil Rights Defenders dhe Instituti për Studime Politike.
Për ilustrim, po ju dërgojmë disa imazhe nga Qarku Durrës”.