Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë inspektimit të By Pass-it të Fierit ka premtuar se brenda 30 qershorit punimet do të kenë marrë fund, duke i krijuar kështu akses të gjithëve për lëvizje.
“Një korsi e By Pass-it të Fierit do të jetë e aksesueshme nga automjetet përpara nisjes së sezonit turistik. Punimet janë duke ecur me ritme të shpejta dhe synohet që njëri krah i kësaj nyjeje të rëndësishme për trafikun drejt jugut të vendit, të jetë gati në fund të muajit qershor”, u shpreh Balluku.
“Në 10 prill do të hedhim konstruksionin metalik të urës së Semanit dhe në datën 22 prill, sipas grafikut të miratuar edhe nga supervizori, do të hedhim urën e Hoxharës. Janë ura të prodhuara në Itali, të ardhura, aktualisht janë gjendje stoku në kantier, dhe po montohen trarët në tokë fillimisht”, u shpreh inxhinieri i kompanisë që po kryen punimet.
Ministrja Balluku ka kërkuar nga kompania që të ruaj këtë ritëm të punës për të bërë të mundur realizimin në kohë të objektivit për sezonin veror.
“Është e rëndësishme, që ne t’i qëndrojmë premtimit që kemi bërë. Deri në 30 qershor kjo rrugë të jetë e hapur për mjetet e tonazhit të lehtë, pra që janë autobusët dhe automjetet e vogla. Nuk do jetë e hapur për kamionët dhe në 30 qershor premtimi do të mbahet”, është shprehur ministrja Balluku.