Rudina Hajdari përplaset me Ballën: Nuk e di unë ça keni folur me ata (opozitën e vjetër), ju keni marrëveshje për ta mbajtur pushtetin me rotacion

Politikë

Deputetja demokrate Rudina Hajdari, pas akuzave të ashpra ndaj Damian Gjiknurit, se po bën Pazar me PD-në për reformën zgjedhore, ka replikuar ashpër edhe me kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Ajo tha se çdo marrëveshje me opozitën ( deputetët që dogjën mandatet)  nuk ka vlerë pasi tashmë opozita ka deputetë të rinj dhe se Komisionit të Posaçëm i ka mbaruar afati më 21 shkurt 2019.

Hajdari kërkoi që të ketë propozime të reja, që deputetët e qeverisë të ulen e të bëjnë propozime me të rinjtë.

Deputetja demokrate ka akuzuar ashpër ndërkohë PS dhe PD, se kanë marrëveshje që të mbajnë pushtetin me rotacion, për të vjedhur shqiptarët.

“Zoti Balla unë fola qartë edhe ajo që po bëni ju, ai komision është mbyllur. Ju nuk vini dot këtu të thoni mandatimi i komisionit etj..

Nuk di unë se çfarë keni folur me ta ( opozita e vjetër që dogji mandatet).

Ky është një parlament i ri, këtu do vijnë propozime të tjera. E keni mbaruar më 21 shkurt të 2019-ës.

Do ulemi do flasim dhe do komunikojmë për propozimet e reja.

Nuk kam ardhur të zbatoj rekomandimet e OSBE vetëm.

Kam qëndruar në parlament për tu thënë partive politike se keni bërë marrëveshje me njëri- tjetrin, për të mbajtur pushtetin me rotacion.

Jeni të njëjtët që jeni këtu dhe s’keni bërë asgjë për popullin shqiptar”, tha ajo gjatë fjalës së saj në Kuvend.

Reagimi i Hajdarit erdhi pasi kreu i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla, ka bërë thirrje që të plotësohen vakancat nga opozita në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Ai tha se kërkon që Komisioni për Reformën Zgjedhore të vazhdojë punën.

“I kemi bërë thirrje opozitës që të plotësojë dy vendet bosh në Komisionin e Reformës Zgjedhore”, tha Balla.

Ndërsa foli për zgjedhjet ai tha se duhet të qëndrojmë strikt rekomandimeve të OSBE/ ODHIR.

“Zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen, qytetarët që duan të plotësojnë vendet vakante të lëna nga PD e LSI të aplikojnë, theksoj se ky parlament është legjitim po ashtu dhe gjithë vendimet që ka marrë”, tha ai.

Balla iu ka bërë thirrje opozitarëve që të hyjnë në zgjedhje dhe të mos bojkotojnë.

Ai përmendi edhe emigrantët, duke thënë se do përpiqen t’ju japin mundësi atyre të mund të votojnë.

“Ndërkohë s’do doja të bëja replikë me zonjën Hajdari, por doja t’i kujtoja se PD duhet t’i paguajë KQZ-së, 120 milionë lekë pasi nuk respektoi kuotën zgjedhore”, tha ai më tej.

Share: