Kryeministri Edi Rama tha se Lulzim Basha humbi zgjedhjet me qeverinë e tij, edhe pse mori 6 ministri.
Nga foltorja e Kuvendit, shefi i qeverisë tha se ‘ne fituam kur Saliu ishte në pushtet me gjithë hordhinë e tij dhe s’mundkemi dot Lulin me Gaz Salianjin dhe Ervin Dumën’.
“Ne kemi mundur Saliun, kur Saliu kishte shtetin, kur na vidhej vota jonë. Ne mundëm Saliun, nuk mundkemi dot Lulin me Salianjin dhe shokë? Kjo është qartësisht e dukshme. Opozita vetëm nxin Shqipërinë sepse është në opozitë dhe nuk fiton dot përballë nesh. Ata gjejnë vetëm justifikime, duke bërë sikur ne jemi problemi pse nuk mbahen zgjedhje të drejta. E vërteta është se ata nuk na mundin dot,“– tha Rama.
Ndërsa foli për sitemin zgjedhor, kryemistri tha se falë këtij sitemi për herë të parë Kuvendi ka përfaqësi të lartë të grave.
“Me sistemin që kemi zgjedhur, pavarësisht se si është dëshiruar të interpretohet dhe të komentohet lartë e poshtë nga të interesuarit për të justifikuar humbjet e tyre, apo axhendat e tyre mediatike, kemi sot një parlament që s’do ta kishim kurrë me sistemin e kaluar. Mjafton të shikojmë numrin e grave në parlament.
Me gjithë respektin për sa tha parafolësja, ose përsa mund të thuhet me të drejtë, për disa avantazhe të një sistemi që kalon drejtpërdrejt nga zgjedhja mazhoritare, ishte vetëm 10 vjet – 15 vjet më parë, kur parlamenti kishte 2-3 gra.
Është fakt që me këtë sistem ne kemi krijuar kushte, për të pasur një zgjedhje shumë më përfaqësuese të shoqërisë, dhe jo thjesht për tu lidhur pas individësh që mund të realizojnë marrjen e mandatit në një zona a tjetër, por që nuk garantojnë të paktën në këtë fazë zhvillimi të vendit tonë, një përfaqësim të larmishëm, dhe shumë më pranë ngjyrave të vetë shoqërisë. Ky është fakt, dhe mund ta dëshmojnë të gjitha zonjat në parlament.
Parlamenti është vendosur në shënjestër, është përqeshur, e kështu me radhë, për një mijë e një arsye, sikundër treguan edhe faktet, se e gjithë ajo baltë në pjesën e saj më të madhe, ishte propagandë. Unë do ti lutesha të mbajnë parasysh dinamikën e zhvillimit, shoqërinë ku jetojmë, nga vijnë, dhe të kemi gjithmonë në sy horizontin ku duam të shkojmë.
Nuk e kemi futur ne reformën zgjedhore si kush për një proces skanimi të plotësimit të detyrimeve të Shqipërisë në raport me integrimin, e kanë futur ata dhe miqtë e tyre në Berlin, në partitë simotra në Berlin, dhe ne e kemi mirëpritur. Pse? Për të njëjtën arsye, për t’i thënë fund administratës zgjedhore politike, dhe për ta kthyer në një administratë të depolitizuar që i shërben vetëm procesit. Nëse një militant i verbër është në gjendje të shkojë dhe t’i bjerë me kokë derës së kryeministrisë të hedhë bojë mbi murin e ministrisë së Brendshme, të bëjë burg për llogari të atyre që e shtynë në atë rrugë, shkon në komision zgjedhor edhe shkel ligjin. Ndërkohë që një mësues, apo cfarëdoqofftë punonjësi që zgjidhet me short a cfarëdoqoftë, kur shkon në komision të votimit nuk shkon as të mbushë as të zbrasë kutinë për llogari të asnjë kryetari partie.
Jemi gati ta largojmë këtë barbari. Jemi gati për të gjitha rekomandimet e tjera, që sigurisht nuk zgjidhin problemin e besimit, sepse nuk është shpikur akoma një sistem zgjedhor që t’i japë Bashës pushtetin në tavolinë apo pa e fituar në vota, ne kemi një qasje tonën dhe ne do ta bëjmë këtë. Votën e shqiptarëve, jashtë atdheut, duan s’duan ata, ne do ta bëjmë. Jemi gati të bëjmë edhe diçka që nuk është qasja jonë, por unë e shoh me optimizëm, votimi elektronik, ne i kemi bërë testet, dhe jemi gati të provojmë në atë rrugë, të fusim teknologjinë offline, jo online në votim. Njëra është pjellë e çadrës, dhe nevojë e kohës, për të futur votën e emigrantëve që nuk janë në rekomandimet e OSBE.
Qasja e zgjedhur nga sekretari ynë për çështjet zgjedhore dhe propozimi i tij për të përfshirë PD-në në komision me një karrige, dhe me të drejtën për të dhënë opinionin e vet, është vullnet i mirë nga ana jonë, për të krijuar hapësirë që të përfundojë i vetmi proces që ne kemi bashkë me ta. Procesi i rregullave të lojës, reforma zgjedhore cakton rregullat e lojës për në zgjedhje. I vetmi, i vetmi rast dhe e vetmja pikë ku jemi gati të ulemi me ta, të dëgjojmë të pranojmë sugjerime brenda kornizës së Osbe. Për të tjera çështje, ju e keni të drejtën e pjesëmarrjes në Kuvend, mund të ishim ne që e kemi problem, se bëheni shumicë, ju do keni pjesën tuaj, dhe ju bëni shumicë, ata kanë karrigen e tyre.
Ne jemi njëra anë tjetër, e pangjitshme me ju, nuk ngjitemi dot, duhet të qahemi ne, se ata kanë një karrige që e kanë ata të lirë për ta përdorur. As nuk kanë ardhur të thonë si e duan atë reformë zgjedhore, ne do t’i presim aq sa pret puna. Nëse nga ana e KE, do të kuptojmë se ligji zgjedhor duhet kaluar përpara se të merret vendimi për çeljen e negociatave, ne do ta kalojmë këtu, dhe do ti bazohemi vetëm rekomandimeve të OSBE-ODIHR, do të jetë një vendim që nuk vlen në këto zgjedhje vendore, nuk mund të bëhet depolizimi. Do të votojmë vetëm kornizën e OSBE, ODIHR. Për ne është kantier i hapur reforma zgjedhore, dhe do t’i kthehemi përsëri për votën e emigrantëve. dhe me ju jemi gati të diskutojmë çdo gjë tjetër”– , tha kryeministri Edi Rama.