Nano tregon bisedën e fundit me Ramën: Misioni i tij ka mbaruar, të gjejë një mënyrë për t’u larguar. Pse nuk krahasohet me Berishën

Aktualitet Intervista Kryesore

ROLAND QAFOKU/ Publicisti i njohur Mustafa Nano e lidh qasjen e tij për prejardhjen sllave të nënës së Gjergj Kastriot Skënderbeut me marrëdhëniet e ngushta mes shqiptarëve dhe sllavëve në shekullin XIV.

muci-rama

 

I ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, Nano shprehet se tezën e tij e përforcon dhe fakti se motrat dhe vëllezërit e tij mbanin emra sllavë dhe asnjë shqiptar. Por për Nanon, Skënderbeu mbetet absolutisht heroi ynë kombëtar pa i humbur asnjë vlerë.

 

Jeni ndierë keq nga debatet publike?

Shumë herë keni kërkuar falje. E kam bërë gjumin të shqetësuar kur kam debatuar me kolegë, më ka ngelur mendja atje dhe shpesh-herë kam bërë dhe mea culpa dhe kam kërkuar falje publikisht për ndonjë goditje poshtë brezit, që e kam dhënë ngaqë më ka rrëmbyer debati. Kam thënë më fal jo për të thënë se sa shumë gaboj unë, por për të përcjellë mesazhin se thuhet më fal kur gabon publikisht. Për njerëzit që kam pasur përballë nuk më vjen keq fare, unë kam gabuar lidhur me standardin që unë kam në kokën time dhe kjo është vuajtja ime. Nuk më vjen keq që kam fyer Salianjin apo dikë tjetër.

rama-berisha6

Çfarë po ndodh sot në politikën shqiptare?

Po ndodh një gjë, që nuk gjendet në asnjë manual të politikës. Janë djegur mandatet, që për mua është veprim i gabuar, poshtërsisht i gabuar. Por nga ana tjetër, kemi një maxhorancë që po sundon dhe nuk po qeveris dhe në këtë kuptim, jam plotësisht dakord me akuzat e opozitarëve në lidhje me korrupsionin, shitblerjen e votës, kanabizimin e vendit etj.. Në Prokurori është thirrur Lulzim Basha, “të fortët” e Prokurorisë shqiptare kanë thirrur liderin e opozitës, shumë mirë që e kanë thirrur, sepse duhet hetuar ajo çështje e pagesave për lobim. Edhe unë vetë kam dyshime shumë serioze për atë çështje. Por është e pashpjegueshme që njeriu i parë që kjo Prokurori thërret për ta hetuar, është lideri i opozitës. Ndërkohë që kemi një maxhorancë që qeveris vendin për 6 vjet dhe për mendimin tim, është një nga maxhorancat më të korruptuara të viteve të fundit.

Ju e keni e mbështetur këtë qeveri?

Unë e kam votuar këtë qeveri, por kam qenë edhe kritik ndaj saj. Por ngaqë kam qenë shumë kritik ndaj opozitës, më kanë etiketuar si analist apo gazetar pro qeveritar. Më dhemb deri në palcë etiketimi që më bëjnë: “Muç Nano, gazetari i Edi Ramës”.

Pse ju dhemb, shihni dhe ju përgjegjësi për këtë etiketim?

Më dhemb, sepse kjo damkë nënkupton shërbimin. Dhe shërbimi nuk është zanati im. Lëre pastaj t’i shërbesh Edi Ramës.

Nëse e keni ngjyer në acid pendën tuaj për Berishën dhe për Fatos Nanon, për Edi Ramën nuk e keni ngjyer, por Rama ka 20 vjet në pushtet…

Për Berishën e kam ngjyer në acid, sepse unë nuk e kam parë as atëherë dhe as sot nuk e shoh njësoj me Ramën, në do ta dish. Për mua, çdo arsyetim e analizë politike në Shqipëri duhet të fillojë pasi të kemi rënë dakord se Berisha është një muhabet më vete. I pakrahasueshëm me asnjë tjetër për dëmet që i ka bërë vendit. Kush nuk kupton këtë, është me probleme, mendoj unë.

Cili është qëndrimi juaj ndaj Edi Ramës sot?

Edi Rama është një politikan që e ka mbaruar misionin e vet. Duhet të gjejë një mënyrë për t’u larguar. Unë për vete nuk do të votoj më kurrë për të. Ai është i pavotueshëm.

Sa kohë keni pa u takuar me Edi Ramën?

Biseda ime e fundit me të në “WhatsApp” ka qenë e vështirë dhe unë e kuptova në këtë rast se me këtë njeri nuk duhet të takohem më kurrë.

Si ka mundësi që Rama, një njeri kryeqytetas, krijon kaq zhgënjime, po aq sa Berisha apo dhe Fatos Nano?

Rama nuk është se është deurbanizuar. Ai vijon të jetë urban. Nuk është ky problemi i tij. Madje, ai në këtë pikë vijon të bëjë diferencën me atë tjetrin, Berishën. Por është një diferencë që nuk i duhet më kujt.

MINOLTA DIGITAL CAMERA

Çfarë ndodh pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve?

Përsëris, ky është një vendim poshtërsisht i gabuar që komprometon opozitën, komprometon stabilitetin, komprometon edhe imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare. Ka opozitarë që gëzohen kur lajmi i djegies së mandateve kalon kufijtë, por duhet ta dinë se ky lajm na turpëron të gjithëve. Ashtu siç na turpërojnë edhe zërat që bëjnë thirrje për përplasje civile. Ka dhe kolegë tanët, që i thonë Bashës se Rama mundet vetëm me dhunë. Edhe Basha, për t’u demonstruar atyre se nuk është i dobët përballë Ramës, apo se nuk ka shitur interesat e opozitës te Rama, për të cilën e akuzojnë në mënyrë idiote në fakt, për t’u treguar atyre pra se ka këllqe, shkoi dhe mori një vendim të gabuar. Donte t’i bindte ata se është i fortë. Por forca nuk tregohet kur t’i merr vendime të gabuara. Tregohet kur ti merr vendime të mençura.

Çfarë duhet të bëjë Basha?

Duhet të futet në zgjedhjet lokale, të mobilizojë në terma elektoralë të gjithë ata njerëz që dolën në protestën e parë dhe ata njerëz janë një bazë e mirë, mbi të cilën mund të ngrihet opozita. Dhe të bëjë një fushatë frymëzuese, me një ekip të mirë, e kështu t’u mbushë mendjen shqiptarëve se di të bëjë diçka ndryshe. Por para se të bëjë këtë, duhet t’i mbushë mendjen vetes se Rama mundet dhe se ai mund ta mundë. Pa bërë këtë të fundit, asgjë tjetër nuk vlen.

Basha thotë se Rama i vjedh votat..

Kjo është një alibi, s’ka gjë se është e vërtetë, aq sa është e vërtetë. Të gjithë i kanë vjedhur votat. Edhe Basha i ka vjedhur votat. Edhe në partinë e vet nuk mundi të bënte një palë zgjedhje normale, një garë normale. Lëre pastaj që u bë kryetar bashkie në Tiranë ashtu si u bë. Ai e vodhi mandatin e kryetarit të bashkisë, e vodhi në mënyrën më të pacipë që mund të mendohet. E bëri Berisha në fakt, dhe atij i shijoi ajo punë. Nuk i shkoi mendja ta refuzonte atë punë. Basha do duhet të kërkojë falje për këtë gjë. Duhet të kërkojë falje edhe për vjedhjen e zgjedhjeve që ka bërë PD-ja e Sali Berishës. E vetëm pas kësaj, ai mund t’i futet një beteje për zgjedhje të ndershme.

A është në siklet pushteti i Ramës?

Nuk është fare në siklet, e thashë që sundon gjithçka, përveç disa gojëve që nuk i mbyll dot, opozitën e ka të dobët, doli nga Parlamenti. Ndërkombëtarët i ka me vete.

Pse i ka me vete, i ka blerë ndërkombëtarët? I ka blerë?!

Kjo është turp të thuhet. Ka shumë kolegë që e thonë se Rama ka blerë dhe ndërkombëtarët. Unë mendoj se ndërkombëtarët e mbështesin Ramën se nuk kanë parë njeri tjetër më të besueshëm. Dhe fakti që ata mbështesin një Ramë të tillë, të bën të mendosh se sa pak ua mbush mendjen opozita.

Keni thënë se shqiptarët dhe serbët janë përzier në gjak mes tyre, saqë keni krijuar dhe shumë pakënaqësi. Një ndjekës më pyet, pyete Muçin a është mirë me shëndet?!

Unë nuk e di se si një njeri mund të zemërohet përballë një afirmimi të tillë, apo mund të bëjë sikur i ka ikur truri. Ne kemi me qindra vjet që jetojmë me serbët në kufi, apo ashtu siç kemi që nga fillimi i historisë që jetojmë në kufi me grekët. Nuk ka asnjë diskutim që shqiptarët dhe grekët kanë dhënë e kanë marrë mes tyre, kanë bërë krushqi, biznes, por kanë folur gjuhën e njëri-tjetrit.

Por me serbët nuk është e njëjta gjë, sepse ju thoni se në gjakun serb ka gjak shqiptar dhe anasjelltas…

Ky është një pohim i përgjithshëm. Në shekullin e 15-të, nga censusi i bërë nga Perandoria Otomane, në Kosovë rezultonin shumë raste të tilla ku thuhej, Zorani, i biri i Berishës, apo Dragani i biri i Arbansasit, etj. Kjo është përzierje mes dy popujve. Serbia është një vend fqinj, me të cilin kemi pasur një histori konflikti, por edhe kemi dhënë e kemi marrë, kemi dhënë e marrë edhe traditën orale, eposin, i cili është një epos ballkanik, provë e shkëmbimit të gjërave midis dy popujve. Dhe ta mohosh këtë gjë nuk është shenjë patriotizmi, por shenjë budallallëku e padijeje.

Pse jeni thelluar në raportet me Serbinë, pati ndonjë arsye të veçantë?

Sepse shkrova librin tim “Sandwich”, ku merrem me historinë e të sotmen e marrëdhënieve mes Shqipërisë e fqinjëve. Arsyeja është se pas luftës dhe çlirimit të Kosovës, unë nuk shoh më arsye që të kemi dhe pompojmë problemin e mllefit mes dy popujve. Problemi i madh mes shqiptarëve dhe serbëve ka qenë Kosova. Ky problem u zgjidh, ose është në rrugën e zgjidhjes përfundimtare. Tani duhet menduar si duhet ndërtuar një marrëdhënie me fqinjët, që pasardhësit tanë të bashkëjetojnë në paqe në këtë rajon edhe me serbët, që ata të mos jetojnë më në klimë armiqësie.

Nuk ka qenë ndonjëherë faji ynë..

Po si s’ka qenë faji ynë? Vetëm ne s’kemi pasur kurrë faj?! Kjo është naive. E di ti që gjatë Perandorisë Otomane, kur turqit donin të pushtonin dhe nënshtronin ndonjë popull rrotull nesh, merrnin ushtarë shqiptarë?! E di ti pse ka pasur konflikt të vazhdueshëm mes nesh e malazezëve? Sepse malazezët luftonin për lirinë e tyre, ndërsa shqiptarët luftonin kundër tyre për interesin osman. E di ti që në kohën që bëhej Revolucioni Serb, osmanët morën shqiptarë që të luftonin kundër serbëve?

Çfarë faji kanë pasur shqiptarët gjatë 100 viteve të fundit?

Gjatë 100 viteve të fundit, ne kemi qenë të mirë nga dobësia, jo nga virtyti. Nuk kemi pasur fuqi, se kur e kishim fuqinë brenda Perandorisë Otomane u mobilizuam dhe bëmë ato luftëra në krah të turqve.

Po vetëm ne jemi të këqijtë?

Jo, nuk e tha njeri këtë. Në Serbi ka më shumë fanatizëm nacionalist sesa në Shqipëri, ka më shumë paragjykime ndaj nesh. Atje është një elitë trushpëlarë dhe ajo elitë jeton në një paranojë kundër shqiptarëve. Por duhet të bëjmë përpjekje që kjo gjendje të ndryshojë. Unë gjeta atje një koleg serb, me të cilin merresha vesh, dhe me atë bëra një letërkëmbim publik. Kjo qasje bashkëpunimi duhet të vijojë. Dhe për këtë duhet vullnet. Rastet në histori shërbejnë si leksion. Nëse menjëherë pas Luftës së Dytë botërore do të ishin ngritur shumë Roland Qafoku në Gjermani dhe në Francë do të ishin ngritur dhe do t’i thoshin Adenaurit dhe De Golit se çfarë është kjo epokë e re që doni të hapni ju, jeni çmendur? Dhe mund ta bënin këtë gjë Rolandat, pasi trashëgimia e gjakderdhjes ishte fare e freskët, ishim miliona të vrarë gatë Luftës së Dytë Botërore. Shyqyr që nuk ka pasur Rolanda në Gjermani dhe Francë, që do kundërshtonin këta liderë të mëdhenj botërorë. Përndryshe, Europa e sotme do të ishte ashtu si janë shqiptarët e serbët. Dhe unë them se është koha që të hapet epoka e re në marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve. Por kjo është një muzikë që askush nuk do ta dëgjojë. Dhe sa për dijeni, kjo betejë, që ka të bëjë me përmirësimin e klimës së fqinjësisë në Ballkan, është gjëja më e mirë që unë kam bërë si intelektual publik.

Nëna e Skënderbeut, me origjinë sllave, nuk dokumentohet që është shqiptare?

Më ndaloi një djalë në rrugë, rreth 30 vjeç. Më pyeti: Ti ke thënë së nëna e Skënderbeut ka qenë sllave? Ai kishte një tërbim në sy dhe i kishte dhembur shumë kjo tezë, sepse i ishte njollosur imazhi i Heroit Kombëtar. Unë i thashë: Po, e kam thënë. Atij i lëshonin sytë xixa. Unë e pashë atë. Ai kishte dy rrugë, ose të largohej, ose të më qëllonte mua me grushtet e të më gjakoste. Për fatin tim, ai u largua, nuk bëri asgjë. Por e pashë që ishte i tërbuar. Unë po shfrytëzoj studion tënde për të thënë se kjo është një çalltisje ime e natyrës akademike, për aq sa unë i kam kredencialet akademike. Në shkencë, njerëzit duhet të jenë mendjehapur, duhet të mësohen t’i vënë gjërat në diskutim. Shkenca nuk bëhet me mendësitë e emocionet e atij djalit, për të cilin të fola. Mirëpo, këtu te ne edhe elita është me mendësitë e atij djalit. Të kujtohen reagimet e disa intelektualëve publikë, pasi unë shpreha këtë gjë? Ishin njësoj si reagimet e këtij djali që më ndali në rrugë.

A dëmtohet figura e Skënderbeut me këto teza?

Në mënyrë absolute jo! Skënderbeu është Heroi Kombëtar yni. Kjo është pranuar dhe nga vetë serbët, duke përjashtuar ndonjë serb të lajthitur. Është pranuar nga i gjithë komuniteti akademik ndërkombëtar. Përveç kësaj, ka prova historike që e thonë këtë, nuk e shpikëm ne. Në shekullin XVI, Marino Bizzi, një prelat venecian, që kishte ardhur si reporter i Kishës në Ballkan për të parë se si qëndrojnë punët e këtyre popujve pas pushtimit otoman, vizitoi Serbinë dhe Shqipërinë dhe tha se në Shqipëri gjeta njerëz që e kishin në kujtesën e tyre të gjallë Heroin e tyre nacional, Skënderbeun. Nuk e tha këtë gjë për serbët. Në të njëjtën periudhë, ne kemi Frang Bardhin, që ka bërë polemikën me një sllav që pretendonte se Skënderbeu ishte i tyre. Frang Bardhi e mbrojti Heroin e Kombit në atë polemikë me një pasion të jashtëzakonshëm. Nëna e Skënderbeut për mua është me origjinë sllave, por kjo nuk e komprometon aspak imazhin e Heroit tonë Kombëtar. Marrjet dhe dhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve manifestohen edhe nga një lloj mjedisi onomastik në familjen e Skënderbeut. Vëllezërit dhe motrat e Skënderbeut quheshin Stanisha, Reposh, motrat quheshin Vllaica dhe Mamica. Këto janë dëshmi që tregojnë se komunikimi mes serbëve dhe shqiptarëve nuk ka qenë ndonjë tabu, ishte normale. Ose tjetra, djali i Skënderbeut, Gjoni, u martua me një vajzë të despotit të Serbisë, Llazarit. Motra e Skënderbeut, Mara, u martua me një Cërnojeviç. Këto janë fakte historike. Dhe prandaj, nuk ka ndonjë arsye për t’u shokuar. Vetëm të marrët kanë të drejtë të shokohen.

Ju keni thënë që Ahmet Zogu nuk duhet konsideruar tradhtar. Përse?

Kjo nuk do të thotë se gjesti i tij i ikjes duhet duartrokitur. Gjesti i tij ishte një gjest i gabuar për mua.

Po të ishit ju në vend të tij, çfarë do të bënit?

Do të dilja në mal. Do luftoja kundër pushtuesit, siç e bënë më pas partizanët. Mund të qëndronte në mal dhe të organizonte rezistencën ndaj pushtuesit të huaj. Por Ahmet Zogu nuk është Mbreti i vetëm që iku gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë ikur Mbreti i serb, Mbreti grek etj.

Çfarë mendimi keni për vajzën e Azem Hajdarit, Rudinën?

Mesa shoh unë, ajo ka një personalitet të vetin, kam një mendim shumë të mirë dhe këtë nuk e them pse mbajti mandatin e deputetit. Është edhe shumë elegante në sjelljen publike. Unë kam bërë kritikën time për Azem Hajdarin, që është që është një personazh i historisë sonë, dhe ajo e mori si kritikë ndaj babait, por duhet thënë se m’u përgjigj në mënyrë shumë korrekte. Madje, në një moment, unë doja ta ftoja në “Provokacija” për të shkëmbyer edhe ndonjë ide edhe për këtë gjë. E dija që për të ishte e vështirë dhe e pamundur të fliste për babanë e saj me mua. Dhe ajo nuk erdhi. “Nuk ta jap këtë kënaqësi”, më tha. Mua më pëlqeu ky lloj refuzimi. Nuk e di nëse ajo ka forcën për t’iu imponuar me ndonjë ide politikës nacionale. Por si person më pëlqen, ndërsa si personazh nuk e njoh, nuk është shfaqur deri më sot. Kjo është ajo që unë kam parë tek ajo deri më sot. Kam parë një person të mirë, por një personazh që po krijohet. Nëse do krijohet.

Panorama

Share: