Paralelisht me skandalin e Kavajës, ku një 13-vjeçare u përdhunua nga 8 djem të shkollës “Rilindja” dhe ngjarja dyshohet se u fsheh nga autoritetet, një rast i rëndë abuzimi është zbuluar edhe në Kosovë.
Aty, me një 16-vjeçare nga Drenasi është abuzuar seksualisht nga mësuesi i saj dhe polici Vesel Veseli ku ajo shkoi për të denoncuar arsimtarin, për rreth 1 vit. Madje vajza ka abortuar një foshnje që ishte fryt i abuzimit seksual të policit 50-vjeçar me të.
Për këtë ngjarje në Kosovë ka patur sensibilizim të madh, pasi kanë shpërthyer protestat në Prishtinë dhe Drenas. Qindra të rinj, qytetarë të tjerë dhe personazhe publike kanë dalë me pankarta në duar për të dënuar fenomenin e abuzimit me të miturat, aq më tepër nga zyrtarë me uniformë, si polici.
Në një prej këtyre protestave është regjistruar edhe një episod i veçantë, pasi një nga policët që ka qenë pjesë e kordonit për të ruajtur rendin, nuk i ka mbajtur do lotët, duke shfaqur anën e tij njerëzore përtej uniformës zyrtare.
Efektivi shihet me buzët që i dridhen nga lotët, por gjithsesi mban qëndrimin e tij zyrtar duke mos marrë mundimin t’i fshijë ato.
Shumë nga të rinjtë shkojnë ta përqafojnë policin e prekur nën thirrjet: “Policia është me ne! Policia është e jona!”
Padyshim që lotët e këtij polici shprehin dhimbjen e të gjithë shoqërisë kosovare, e cila vuan akte të tilla barbare, por edhe shqetësimin për atë çka ka bërë një nga kolegët e tij policë me një vajzë të mitur.