Raporti i Eurostat ka zbuluar se 68% e emigrantëve të paligjshëm në BE jetojnë në katër shtete të BE-së: Gjermani, Francë, Greqi dhe Spanjë.
Sipas raportit, në vitin 2018, BE refuzoi hyrjen e më shumë shtetasve që vinin nga jashtë bllokut të BE-së sesa në vitin 2017. Statistikisht, në vitin 2018, janë refuzuar të futen në BE rreth 471,000 persona. Kjo shifër është 7% më e lartë, në krahasim me vitin 2017, kur ka qenë 440,000 persona.
Por nga ana tjetër, mësohet që në vitin 2018 të jetë lëshuar urdhëra për largimin e 478,000 personave nga BE-ja, një shifër rreth 7% më e ulët se një vit më parë, kur numri total i personave të urdhëruar për tu larguar nga BE ishte 516,000.
Gjithashtu, në vitin 2018, një rënie prej 3% ka pësuar edhe numri total i personave që jetojnë në BE në mënyrë të paligjshme. Numri i tyre, në fakt, ka qenë gjithnjë në rënie që nga viti 2015, kur ishin të pranishëm rreth 2,155,000 persona të paligjshëm në BE, numri më i madh i regjistruar ndonjëherë.
Gjermania mendohet se ka pasur numrin më të madh të emigrantëve të paligjshëm, jo shtetas të BE, në vitin 2018, rreth 134,000.
Franca është e dyta me 106,000 persona, ndërsa Spanja vjen e treta me 93,400 persona.
Për sa i përket dëbimeve, Franca renditet e para dhe ka dëbuar rreth dyfishin e emgrantëve të paligjshëm në territorin e saj në krahasim me tre vendet e tjera që marrin numër të lartë emigrantësh.
Tre vendet e tjera që kryesojnë listën me emigrantë të paligjshëm raportojnë se Spanja ka dëbuar rreth 59,000 persona, Greqia 58,000 dhe Gjermania rreth 53,000 emigrantë të paligjshëm.