Për analistin Henri Çili, dy partitë më të mëdha në Shqipëri, PD dhe PS, janë mbi nivelin e Shqipërisë. I ftuar në emisionin “Provokacija”, Çili tha gjithashtu se këto parti kanë sakrifikuar shumë për vendin.
Nano: Është rishfaqur në jetën publike shqiptari, personazhi që kishte humbur nga sytë, kishte më shumë se 10 vjet, Henri Çili.
Çili: Pak më shumë se 10 muaj, jo 10 vjet … Përshëndetje, mirë se të gjej Muçi në formatin tënd shumë simpatik!
Nano: Edhe çfarë ishte kjo zhdukje nga sytë e publikut? Apo po karikon imazh?
Çili: Ka një dilemë, që çfarë të themi … u bë pak gjatë në jetën publike, edhe pse ne jemi relativisht të rinj dhe, para emisionit po të thosha që vitin tjetër bëhen gati 25 vjet punë që nga dita e parë e punës në gazetën “Koha Jonë”, më 1 tetor ’95. Kisha nevojë për një lloj shkëputje. Së dyti, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, në njëfarë mënyre isha paksa në pritje për mënyrën se si do të merrnin ngjarjet dhe fabulat. Pastaj kam dhe shumë detyra të tjera, detyra si sipërmarrës, detyra si menaxher, reformat e tjera të rëndësishme. Të gjitha këto duan një lloj tërheqje, një …
Nano: Vetëm se ti ke luksin, ndryshe nga unë, të bësh pauza, edhe do të doja ta kisha dhe unë, po s’e kam, sepse këto pauza janë të mira.
Çili: Janë të mira … po Muçi ti nuk e kupton se sa lukse kanë njerëzit që nuk janë sipërmarrës, pra ti ke dhe më shumë lukse sesa unë.
Nano: Okej, okej, këtë e di në fakt, dhe nga njëra anë them shyqyr që nuk jam sipërmarrës
Çili: Por në njëfarë mënyre, ideja e pushimit kur ti e do, është një luks i atij që është sipërmarrës, dhe dikur përdorja një shprehje: “Jam pronar, s’kam orar”.
Nano: Tani për të gjithë ata që ndoshta nuk e dinë, Henri Çili bën pauza dhe rishfaqet kur punët e Shqipërisë shkojnë keq, ose kur Henri mendon që shkojnë keq, dhe nxjerr ndonjëherë pilulën liberale. Kjo është …?
Çili: Saktë. Po, në një farë mënyre, pilula ose formula ime nuk ndryshon asnjëherë, në këtë kuptim e konsideroj përkundër ndonjë perceptimi të caktuar veten shumë koherent, pra pothuajse s’i kam ndryshuar asnjëherë idetë e mia, ose praktikisht s’i kam ndryshuar asnjëherë idetë e mia, dhe ditën e premte, promovimi i projektit më të ri të Institutit “Pashko”, gazeta “Liberale”, ishte një mënyrë se si mendoj që liberalët duhet të jenë të pranishëm në jetën publike, se si duhet të fillojë rezistenca liberale dhe ky është kontributi im modest nga pozitat e një organizate jofitimprurëse.
Nano: Kemi dhe numrin e parë të gazetës “Liberale”. “A do mbijetojë?”, është fjala për Lulzim Bashën. Pyetje e vështirë apo jo? Ne do të kthehemi edhe te Lulzim Basha, por të mbetemi pak te Henri Çili. A është e vërtetë që ti ke pasur një qëndrim konstant dhe ke qenë ideologjikisht … ke pasur një gjuhë tënden që nuk e ke ndërruar, të paktën deklarativisht, sepse mund të ketë njerëz që thonë okej, kjo është ana deklarative, sepse Henri Çili në momente të caktuara kur ia do puna quan liberal një njeri që nuk është liberal apo quan joliberal një njeri që mund të jetë liberal?
Çili: Çdokush ka markën e vet apo mënyrën e vet se si është i pranishëm në jetën publike, se jeta publike është shumë e gjerë, është shumë e komplikuar, shoqëria demokratike është shumë e koklavitur dhe nga pozitat e mia modeste unë kam ruajtur të paktën dy elemente: ideja që të kontribuoj me anë të mekanizmave, kam parasysh struktura, institute, gazeta, projekte, kërkim shkencor etj., etj., në jetën publike dhe me fjalën time. Do të kisha dashur të mos kontribuoja me fjalën time, pra struktura të funksiononte gjithmonë vetë, po kjo nuk është gjithmonë e mundur dhe ndoshta dhe vesi nuk më lë, ose vesi i publikes. Unë e kam parasysh për çfarë ti po më pyet, por mendoj që kritikët e mi nuk kanë të drejtë në këtë drejtim. Pse? Parimi bazë imi ose i gazetave dhe strukturave ka qenë që ne do të mbështesim çdo gjë liberale kudo ku ajo është dhe do të kritikojmë çdo gjë joliberale kudo ku ajo është. A pati Rama një fazë liberale gjatë qeverisjes së tij pas 2013-s? Unë kam qenë një kundërshtar i ardhjes dhe i eksperimentit Rama në pushtet, për shkak të taksës progresive, formulës etj., etj., por populli votoi ndryshe dhe është okej. Unë i kam thënë dhe në dy librat e vegjël që kam bërë pas çdo palë zgjedhjeje, 2013-s dhe 2017-s, që në fazën e parë Rama filloi dhe e braktisi programin për të cilin kishte ardhur, me përjashtim të disa elementeve, taksës progresive, shëndetësisë falas … dhe filloi një kurs të reformave të rrugës së tretë ose liberalizuese, pak a shumë. Për shembull, pata regjistruar një listë atëhere prej rreth shtatë nga dhjetë reformat që ishin me natyrë liberale: nisi reformën territoriale, nisi reformën e pensioneve, nisi kontrollin e territorit nga pikëpamja e ndërtimeve …
Nano: Po këto janë si pa ngjyrë në terma ideologjikë.
Çili: Jo, nuk janë pa ngjyrë, janë me natyrë thjeshtëzuese, liberalizuese, shtet i vogël etj., etj., dhe e përfundoi me fillimin e mandatit të dytë pas 25 qershorit me 10 ministri dhe shkurtimin e institucioneve. Sigurisht që asnjëherë s’kam qenë dakord, në kuptimin që e kam kundërshtuar vazhdimisht edhe idenë e shëndetësisë falas. Ka qenë një nga gabimet e tij që shëndetësia është në këtë gjendje, apo ideja e taksës progresive, e cila ka qenë një nga gjërat më shkatërrimtare të këtyre 6-7 viteve … Në fazën e parë ka pasur një administrativizëm, administrata e Ramës ka pasur shumë burokraci dhe në këtë sens unë them që zhvendosja e Ramës pas 2013-s dhe nën këshillat e Tony Blair, me këshilltarët e tij, ka qenë shumë e fuqishme te vepra publike e Ramës, para dhe pas zgjedhjeve. Ai u zhvendos pak te social-demokracia klasike dhe shkoi drejt rrugës së tretë. Si i tillë nuk kisha absolutisht asnjë arsye të mos e përshëndesja, madje kisha edhe interesa në sensin e kësaj gjëje … që çdo gjë që shkon pro tregut, cilado forcë që e bën. Ashtu siç konservatorët janë ata që kanë të drejtë të bëjnë paq në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe socialistët kanë të drejtë që të bëjnë reforma derregulluese, sepse janë vetë etatistë. Në këtë sens, diçka që mund ta bënte një qeverisje e majtë do të ishte shumë efektive.
Nano: Ti je midis dy ofertash, le të themi elektorale, njëra prej të cilave premton liberalizimin e ekonomisë, premton privatizimin, taksën e sheshtë, jo progresive, por nga ana tjetër nuk është garanci e mirë kur vjen puna tek ai diskutimi mbi qasjen e asaj demokratike … mund të jetë autokratike, deri edhe qejfleshë për të instaluar një regjim policor, dhe midis ofertës tjetër që premton taksa progresive, shtet të madh, por që është më e hapur, më tolerante. Cila është oferta që zgjedh?
Çili: Atëherë, në qoftë se shtrohet kështu unë do ta them se çfarë zgjedh, por nuk shtrohet kështu, nuk është shtruar asnjëherë kështu, sepse …
Nano: Unë dua të di sa rëndësi ka ana ideologjike te ty.
Çili: Fillimisht zgjedh konceptin demokratik, liberalizmin politik, pastaj brenda liberalizmit politik zgjedh alternativën e djathtë ose alternativën liberale. Kjo nuk diskutohet, pra nuk shtrohet çështja që kemi taksë të sheshtë, shtet të vogël etj., etj., dhe kemi edhe diktaturë. Zgjedhja e parë është demokracia. Po nuk është shtruar ndonjëherë kështu që të bëj të kundërtën. Të biem dakord, që pas elementeve të autoritarizmit të ’92 – ‘96-s, Shqipëria nuk ka pasur më një rrezik të madh realist autoritarist, as sot nuk e ka, le çfarë diskutohet. Nuk jam dakord me këtë që Shqipëria rrezikon, edhe Berisha është në një suazë demokratike, me plus-minuset e vogla.
Nano: Kontrollin e institucioneve ata që të dy e kanë garantuar, po nuk është se pushtetin e kanë, si të thuash pushtetin që kanë marrë nëpërmjet kontrollit të institucioneve e shfrytëzojnë …
Çili: Nuk ka diktator. Berisha dhe Rama janë liderë autoritarë, kanë autoritet, janë deri në kufij të autoritarizmit, por nuk është kjo zgjedhje. Në këtë sens sigurisht që dilema e parë është demokratike apo jo, pastaj brenda demokratikes, pra nuk do të pranoja një regjim fashist.
Nano: Sot çfarë po ndodh në Shqipëri, me pak fjalë?
Çili: Me pak fjalë, me dy-tri paragrafë, në Shqipëri po ndodhin të paktën tri zhvillime të rëndësishme. Në radhë të parë kemi ndjesinë e ngecjes, të pesimizmit, të një horizonti të mbyllur … Deri në 2015-n, 2016-n, pavarësisht problemeve Shqipëria ka pasur një sens perspektive, ka pasur një sens horizonti të hapur. Elementi i dytë është fakti që në mënyrë të ngushtuar modeli aktual, oferta apo struktura aktuale qeverisëse pothuajse i ka shteruar mundësitë e veta dhe lideri i saj Rama, por mbi të gjitha Shqipëria po rrezikon të vulosë fatin e vet si një vend i prapambetur, të rivuloset ose të ringjitet në të. Në teoritë e zhvillimit ka një moment kur një shoqëri ose një komb kalon nga shoqëria e pazhvilluar, në zhvillim dhe e zhvilluar. Ne nuk po bëjmë atë take off-in, siç ngrihet avioni, pra ne nuk po e bëjmë dhe 30 vjet pas rrëzimit të komunizmit ne nuk po bëjmë take off-in drejt një Shqipërie të zhvilluar.
Nano: Okej, vendose ti zgjidhjen brenda establishmentit, nuk e di, e ke këtë prirje për ta kërkuar?
Çili: Po, do ta them. Unë jam totalisht për establishmentin, çdo zgjidhje kundër establishmentit mua më shtie të dridhmat, më krijon ose ekstremizëm fetar, ose ekstremizëm punist.
Nano: Çfarë ke me atë robin, me atë xhentëlmenin që ka dalë në protestë … dhe nuk e kam me Bashën, e kam me … Me ndihmën e regjisë do të kemi një fotografi tjetër që mua më duket e lezetshme. Këtu është një zotni me emrin Dilaver, se e lexova në shtyp, dhe ka dalë e ka bërë një “butafori” të sistemit politik sot …
Çili: “S’ka Shqipëri me tre tepsi.”
Nano: Po. “Nuk ka Shqipëri me tre tepsi” dhe ka vënë tre tepsi mbi kokë. Pra ti nuk je dakord me denoncimin që ky i bën establishmentit socialist?
Çili: Dilaveri ka shumë të drejtë dhe me një intuitë e ka kapur që ky është një vend i vogël që duhet menaxhuar në një mënyrë më të thjeshtë. Për shembull unë jam qartësisht për sistemin liberal dypartiak dhe për sistemin mazhoritar në këto rrethana ose pas kësaj eksperience demokratike. Kam qenë dikur për sistemin proporcional për të shpërthyer pak spektrin politik, është temë e gjatë ky diskutim, kështu që jam dakord për dy “tepsi”, jo në kuptimin negativ të fjalës, madje duhet të jem reaksionar fare në këtë tezë. Ideja ime është pak a shumë kjo, që sistemi bipartizan ose dypartiak është interes publik dhe interes kombëtar. Pa dy parti të mëdha ne shpërbëhemi si shoqëri. Imagjino që të ketë ndodhur një marrëveshje kombëtare me ndonjë parti të vogël, ose me ministrin e Jashtëm, ose që vota të varet nga këto, madje do të shkoj më tutje në këtë reaksionaritet. Unë mendoj që PD-ja dhe PS-ja janë mbi nivelin e Shqipërisë, Shqipëria është më poshtë se PD-ja dhe PS-ja. Do ta çoj më tutje dhe ta thelloj plagën? Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë sakrifikuar shumë për Shqipërinë, jo e kanë sakrifikuar Shqipërinë … (Nano qesh).. dhe e fundit, le t’i japim sistemit bipartizan instrumentet e tij. Instrumenti i tij kryesor është sistemi mazhoritar, i pastër, pa kompensime, pa forma të tjera, që të zhvillojmë një luftë të vërtetë politike, sepse ashpërsia ka kaluar dhe të stabilizojmë spektrin politik. Establishmenti është i keq, antiestablishmenti është edhe më i keq.
Nano: Te kjo dilema për të zgjedhur sistemin mazhoritar apo proporcional, këtu nuk diskutohet, edhe unë jam me idenë tënde. Sistemi dypartiak më pëlqen shumë, anglosakson, anglez, pra britanik dhe amerikan, po kur vjen puna te vlerësimet e tua për aktorët këtu, a mund të më argumentosh pse thua që PD-ja dhe PS-ja kanë sakrifikuar shumë për Shqipërinë? Është një frazë mjaft e fortë.
Çili: Për mua po, madje PD-ja dhe PS-ja kanë qenë që nga fillimet krijime ose institucione që kanë dalë mbi nivelin e shoqërisë dhe kanë qenë relativisht të përgjegjshme.
Nano: Po jo në nivelin e elitës, sido që të jetë …
Çili: Jo, jo. Elita tjetër është nën nivelit e elitës politike, ne kemi elitën politike më të mirë të mundshme. Unë jam nga ata që argumentoj gjerë e gjatë … Shikoj profesorët në Shqipëri, shikoj gazetarët, intelektualët, janë nën nivelin e politikanëve, më vjen shumë keq. Kush është këtu më i zoti se Berisha? Do të të provokoj? Tjetër gjë ç’ka bërë dhe ka bërë. Kush është këtu më i zoti se Rama?
Nano: Si e mat zotësinë, me çfarë kriteresh?
Çili: Po nuk ka rëndësi pra, në polivalencën e vet, unë e kam në tërësi. Për shembull, e di ti që partitë politike, qeveritë, kabinetet, parlamentet kanë rekrutuar forcat më të mira universitare që nga viti ’90 … grupi i profesorëve të Mjekësisë, të Ekonomikut, të Shkencave të Natyrës, të Juridikut, apo të Universitetit Bujqësor? E di ti që niveli ynë profesional i ministrave, kanë qenë absolutisht nga njerëzit më të zgjedhur? Pra në këtë sens për mua Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë mbi nivelin e Shqipërisë. Çdo gjë tjetër në Shqipëri është më poshtë.
Nano: Rama dhe Berisha, po t’i marrim si entitete …
Çili: Po Nano, po Gramozi, po Rexhep Limani …?
Nano: Një njeri që ka radhën, kur ndalet përballë, dhe ka radhën për ta gjykuar, ndalet te fakti që ai ka bërë një aleancë le të themi me gangot e Shqipërisë, me një fjalë nuk di çfarë mund të thuash për Ramën … Ose çfarë mund të thuash për Berishën që del në televizion dhe thotë: “Unë jam me kanunin dhe në qoftë se s’do i vriste Garda do i vrisja unë”?
Çili: Këto janë aberracione dhe nuk po them që janë njerëz të përsosur, po janë më të mirët e mundshëm. Në vitin 2012 kam bërë një debat te “Top Story” për nivelin e elitës politike dhe konstatuam që Berisha, që ishte kryeministër, dhe Rama, që pritej të vinte kryeministër, në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, ishin ku e ku më të mirë, si profile evidente, se 70% e kryeministrave të BE-së. Kush ishte në Itali? Bersani. Kush ishte në Serbi …? Madje na shkaktoi të qeshura Ylli Rakipi se tha: “Daçiç, Daçiç çfarë ka qenë? Një fotomodel brekësh ka qenë”. Kurse këta kanë qenë profesorë të paktën. Pra ne nuk duhet të ankohemi për këtë. Elita politike na ka marrë forcat më të mira intelektuale të vendit.
Nano: Vetëm se ti përdor si kriter inteligjencën individuale, mirëpo duhet të marrim edhe kritere të tjera, qëndrimin që kanë këta ndaj shtetit, ndaj moralit, ka edhe elemente të tjera …
Çili: Ka shumë problematika, por ne nuk duhet të harrojmë diçka dhe më vjen shumë keq që ky relativizmi i mediave sociale dhe ky agresivitet i botës virtuale ka humbur çdo sens reference. Tranzicioni shqiptar është një nga më të suksesshmit e Lindjes, një nga katër rastet më të suksesshme, është me studime të plota, të rëndësishme. Sepse duhet të marrim referencën.
Nano: Në terma ekonomikë?
Çili: Në çdo term.
Nano: Po ne kemi qenë gati në luftë civile, kemi pas zgjedhje, nuk kemi bërë asnjëherë. Akoma zihemi për zgjedhje …
Çili: Patjetër, por kemi dhe shumë arritje të tjera. Në qoftë se do të merrnim 7-8 kritere të rëndësishme se ku kemi qenë dhe ku jemi, çdo parametër yni ka lëvizur midis 7 dhe 10 herë më shumë për 25 vjet. Do të marrim GDP-në, sipas të gjitha vlerësimeve … po komunikimin, 3,4% e shqiptarëve kanë pasur një telefon, po rrugët për të udhëtuar, infrastruktura … se na duken sikur janë bërë tani, po ideja e lëvizjes, po shoqëria e konsumit. Një arkitekt shumë i njohur, Ben Biçoku, më ka thënë që nga pikëpamja e banesave, revolucioni në Shqipëri është i jashtëzakonshëm. Ne kemi qenë në një kufi kritik, 4-5 metra katror për banor, e gjitha kjo brenda një periudhe krejtësisht të shkurtër nga 2005-a, mbi 15 metra katrorë për banor. Pra janë shumë parametra, të cilët bëjnë që arritja jonë të jetë e jashtëzakonshme
Nano: Të gjitha këto që the ti, le të themi, përfshihen te diskutimi ekonomik. Në terma të tjerë, p.sh. në terma politikë, ne jemi turpi i Ballkanit. Ne akoma jemi … edhe me ato që ndodhin sot, me këto sherret midis palëve. Meqë ra fjala, ti je dakord me djegien e mandateve?
Çili: Po, jam dakord, si akti i fundit për ta shokuar sistemin, për ta djegur … Do ta zgjeroj vetëm me dy paragrafë, mund të them pak a shumë çfarë ka ndodhur dhe kush është thelbi i ngërçit aktual, siç e shoh unë. Rrugës, fitorja e ngushtë e 25 qershorit, se fitore e ngushtë ishte, me 4 deputetë, le çfarë u blenë rrugës dhe çfarë mund të blihen rrugës, u bë e diskutueshme, u bë gjithnjë e më e diskutueshme … edhe pse ndodhi kjo, edhe pse sistemi forma funksionoi, u firmosën, u vulosën ato mandate. Pse u bë e diskutueshme? Çfarë ndodhi? Partnerët përgjuan disa grupe kriminale, tre ose katër deri tani, dhe na doli një gjë e caktuar, të cilën ne nuk kemi një sistem drejtësie funksionale që të themi se “kjo është kështu” ose “kjo është kështu”, “ka këtë impakt ose këtë impakt”. Atëherë çfarë ndodh? Cila është e keqja që palët të ritestohen në kushte neutrale? Ç’do të thotë kushte neutrale? Këtu do të bëj një nënvizim. Si funksionon në Shqipëri teknologjia elektorale ose industria elektorale? Le ta themi hapur, e dimë dhe e njohim dhe është objekt. Funksionon në një mënyrë të tillë që, na ka ardhur në majë të hundës, është 20 – 25 vjet i njëjti diskutim: implikimi i administratës, ndërmarrjet publike që punojnë me këtë, shfrytëzimi i pozicionit, fushatat e legalizimeve, ç’janë këto gjëra për të fituar votat, populizmi … dhe erdhëm te dy dukuritë e fundit, lidhjet e qarta me krimin deri te kandidatët zyrtarë në zgjedhje. Ne duhet ta lëmë pas këtë periudhë dhe kemi nevojë për një periudhë “tampon”. Po sikur kjo të mos mjaftonte, pra kjo origjinë e pushtetit aktual, ose kjo mënyrë, kjo diskutueshmëri e fitores së 25-qershorit dhe e mandatit të dytë, kjo nuk po ecën. Ne nuk po bëjmë asnjë hap në integrim. Kemi gjashtë vjet që s’kemi asnjë hap esencial. Çfarë do të themi në qershor në qoftë se do të refuzohemi prapë … hapja e negociatave.
Së pari, ne njëherë nuk vuajmë nga zgjedhjet e parakohshme të shpeshta, sepse kemi bërë vetëm një herë zgjedhje të parakohshme, në ‘97-n, në kulmin e armëve. Pra nuk është një instrument me të cilin është abuzuar. Është një instrument i papërdorur, jo i shpërdoruar.
Nano: Zgjedhje të parakohshme … çfarë thotë teoria, kur bëhen? Bëhen kur do kryeministri, bëhen kur në parlament nuk ka një mazhorancë, nuk mund të bëhen kur opozita do të dorëzojë mandatet.
Çili: Unë po të ftoj ta lexojmë situatën më gjerë, stricto senso, kështu është. Elementi i dytë … pra qeverisja nuk po funksionon, biem dakord, kjo nuk po na ecën, nuk po “e kalon doganën”, është e konfirmuar. Kemi ecur në integrim? Jo, ky është certifikimi ynë. Tani vijmë te një element tjetër. Ka tri mënyra sesi ne mund t’u qasemi situatave: me anë të profilaksisë, me anë të terapisë ose të shokut. Lul Basha ka zgjedhur shokun, ta shokojë sistemin politik. Jemi brenda demokracisë akoma, nuk jemi në një gjë jodemokratike. Tani ka dhe dy spekulime të tjera, që më vjen jashtëzakonisht keq që … ne që kemi kujtesë të gjatë, i bëjmë. Ky nuk është precedent i parë, ky është precedent i dytë. Djegia e mandatave është precedenti i dytë. Djegia e mandatave që bëri opozita në zgjedhjet e 26 majit, pavarësisht nga rrethanat, nga simptomat, në thelb është e njëjta gjë, i dogji mandatet në ditën zero të mandatit të dytë të dytë të Berishës.
Nano: Jo, s’i mori fare …
Çili: Okej, është e njëjta gjë si të mos i marrësh dhe t’i djegësh … dhe t’i djegësh mandatet në ditën e 500, është e njëjta gjë … kur kanë dalë disa prova të reja. Por, bashkuar gjithë këto rrethana, shto dhe një rrethanë tjetër; ne jemi në një situatë ku nuk kemi një sistem drejtësie. E kishim të keq, tani nuk e kemi. Ne nuk e kemi një mundësi që të verifikojmë diçka, se vërtet ndodh një spekulim elektoral në Amerikë dhe kudo, po ka një sistem që të thotë “po” ose “jo”. Shoh dhe për arsyen, për ta lënë të paimpaktuar rolin e qeverisë në reformën e drejtësisë, ne na duhet një qeveri tranzitore, një periudhë tranzitore. Unë do të përmend dy shembuj. Në ligj thuhet që anëtarë të KED-së apo KLD-së janë vetëm magjistratë. Kemi sot një njeri të nderuar, që nuk e di pse e ka pranuar këtë post, i cili nuk është magjistrat dhe është anëtar i KLD-së. Ku do ta gjejmë këtë verifikim, ku do ta çojmë? Kemi rastin e zonjës Prela, që është shumë i diskutuar. Për të njëjtin precedent, një gjykatës seleksionohet, një gjykatës nuk seleksionohet. Unë nuk dua t’u jap jehonë spekulimeve të opozitës, por në qoftë se vazhdohet kështu, njëra mazhorancë do ta impaktojë, madje mundet ta impaktojë rëndësishëm reformën në drejtësi. Pra po e përmblodh: për të mos impaktuar reformën në drejtësi, për të depolitizuar shtetin dhe për të krijuar një mjedis neutral, si dhe për të mbyllur 4-5 reforma për integrimin na duhet të kalojmë në një qeveri tranzitore njëvjeçare, të kryejmë disa detyra, të neutralizojmë shtetin, palët të ritestohen dhe një herë. Pse është kaq e vështirë?
Nano: Ta fillojmë nga kjo, pse është kaq e vështirë. Me një fjalë, kushdo që do të ishte në qeveri, do ta kishte tmerrësisht të vështirë që të bënte zgjedhje të parakohshme nën ultimatumin e palës tjetër. Sepse, n.q.s. futesh në zgjedhje me ultimatumin e palës tjetër, ti futesh i humbur qysh në start dhe nuk është asnjë budalla kryeministër … E dyta, të bëj dhe një arsyetim që unë e kam bërë dhe herë tjetër, këtu ekziston problem i zgjedhjeve në Shqipëri, ka 30 vjet që ekziston, është problem i vjetër. Shitja dhe blerja e votave ekziston prej kohësh. Madje unë kam sjellë edhe një shembull … këtu ne kemi zgjedhur një president të republikës duke blerë vota, në parlament.
Çili: Në 2007-n …
Nano: Dhe e ka bërë partia e Bashës. Unë do të doja Bashën, i cili gjithashtu u bë kryetar bashkie me një … vodhën, vodhën postin, një post shumë i rëndësishëm, më i rëndësishmi bashkë me kryeministrin, … dhe ka qenë Basha. Unë do të doja që Basha të dilte të thoshte “po unë bëj mea culpa të madhe historike, mbaj përgjegjësi në vetë të parë për atë që ka ndodhur edhe prej meje, edhe për shkakun tim, lidhur me zgjedhjet, dhe unë kërkoj nga kryeministri të ulemi bashkë dhe ta zgjidhim këtë problem”.
Çili: Lul Basha është i vonuar në këtë, jo duhet ta bëjë, po është i vonuar, që të jetë i besueshëm për …
Nano: Epo Berisha dhe Basha edhe përqafojnë kauzën e zgjedhjeve të reja pa bërë këtë mea culpa, nuk ka tani …
Çili: Ky është keqkuptimi. Tani, ti shqisim këto gjëra. Është një qëllim i opozitës për të ardhur në pushtet dhe për të krijuar avantazh, është një qëllim i opozitës, hipotetik, për të penguar reformën në drejtësi, edhe pse nuk e di si mund ta pengojë tani, sepse s’ka mandate, s’ka më asnjë rol, po është dhe një segment i drejtë për të krijuar edhe një herë rrethanat për një testim neutral të plotë, të pastër elektoral, ose sa më të pastër të mundshëm, ose dukshëm më të pastër se këto që kemi pasur këta 30 vjet.
Nano: Okej, unë jam dakord që Rama të bjerë, sepse po qeveris keq, po jo sepse është ilegjitim …
Çili: Është edhe një diskutim tjetër. Shiko Muçi, të bëj një pyetje: Çfarë pikëpamje ke pasur ti për parimin “hap kutitë dhe largohu”, për kauzën e opozitës 2009 – 2013?
Nano: Isha okej, të hapeshin …
Çili: Perfekte. Është e njëjta gjë. Në vitin 2009 Berisha doli dhe tha: “Procesi juridik është i fundmë, ankimet mbaruan, kolegji zgjedhor vendosi kështu. Nuk i hap fare kutitë se u mbyll”, madje dhe i dogji …
Nano: Po, dhe unë në fund kam thënë: “Berisha po sillet sipas ligjit”. Unë e kam thënë këtë gjë …
Çili: Çfarë po ndodh sot? Edi Rama po thotë: Kanë firmosur 35 mijë komisionerë, ka marrë vendim KQZ-ja, me shumicën tuaj, madje 4 me 3, ka vendosur Kolegji Zgjedhor, është mbyllur kjo temë. Po ne jemi këtu për më shumë se juridiken, ne jemi për politiken. Plus, në qoftë se një provë del më vonë se një vendim i bërë, kjo provë merret dhe shqyrtohet. Ore “ka pasur impakt apo jo”? Kush ta bëjë? Pse nuk e bën prokuroria sot? Dhe nuk mund ta bëjë, jo vetëm s’e bën, po nuk e bën dot në këto rrethana. Atëherë, për të gjitha këto arsye, për të mbyllur 4-5 reforma të mëdha, për një depolitizim shteti … të paktën të bashkohemi te forma, pra t’i japim opozitës hakun që i takon. Opozita ka të drejtë që kërkon një garë neutrale. Ajo mund t’i humbë ato zgjedhje neutrale, është një temë komplet tjetër, por ka të drejtë që kërkon një gjë neutrale. Megjithatë, do të vëmë një bast bashkë. Në qoftë se hapet statusi, pra hapen negociatat, unë do të thosha se kjo qeverisje kalon ndërkombëtarisht, të vazhdojë. Por në qoftë se nuk hapen …
Nano: Po s’është ky kriteri, edhe të hapen, gjendja ekonomike është shumë e keqe.
Çili: Po, po e zëmë se e përfundon mandatin, opozita të përmirësohet etj., etj., se ky është një sistem që kalon … po ky është një sistem që nuk kalon më …
Nano: Për këtë lloj diskutimi unë jam dakord dhe jam me ty. Mbi bazën e këtij diskutimi Rama duhet të rrëzohet edhe të ikë, po jo sepse Basha do zgjedhje të reja, se kjo më duket mua …
Çili: Jo, fare për Bashën, por për të drejtën e shqiptarëve, për një testim neutral dhe të saktë. Pastaj vijmë te përmbajtja. Rama është në një mizerabilitet politik. Çfarë ka ndodhur? Ka braktisur çdo ambicie për të bërë diçka, me kosto, dhe është kapur pas mbajtjes së pushtetit. Një grevë, një protestë … anulon koncesionet, anulon këto … Atëherë bëj një koncesion të mirë, mos e anulo, bëj një koncesion të pastër, pse duhet ta anulosh. Pra, Rama është duke marrë tiparet e një populisti me tipar punist. Dhe ky është fenomeni, Europa është bërë pre e populizmit …
Nano: Dhe Rama duhet rrëzuar me zgjedhje, mund të rrëzohet me zgjedhje, kjo është teza ime, dhe kjo është një tezë liberale.
Çili: Jam totalisht dakord. Për mua cikli reformist i Ramës ka përfunduar, të paktën nga kjo vijë e këtej, Rama është duke bërë çdo gjë për të ndenjur në pushtet, por jo për të qeverisur. Kjo është një qeverisje sondazhesh, një qeverisje për të ruajtur mazhorancën dhe jo një qeverisje bindjesh. Ne e dimë që lider të mëdhenj janë ata që kanë qeverisje bindjesh apo jo. Unë e besoj këtë gjë. Le të më rrëzojë greva e studentëve, unë e besoj X reformë, le të më rrëzojë greva e Kukësit, unë e besoj strategjinë time për menaxhimin e rrugëve, le të më rrëzojë një X lëvizje tjetër, këtu jemi në një populizëm të paparë. Ky ishte dhe thelbi i idesë ose provokimit që më ka shkaktuar situata për të dalë në këtë projekt, me një gazetë të pastër dhe të qartë, gazeta “Liberale”, dhe me projektin e Institutit “Pashko” për një rezistencë liberale në qytet. Qyteti ka nevojë për rezistencë liberale, sepse na mbyti punizmi.
Nano: Kjo ishte biseda që unë pata me Henri Çilin në “Provokacija”, e kisha për herë të parë në këtu. Shumë faleminderit dhe të uroj suksese me gazetën e re, “Liberale”, në të cilën unë do të shkruaj shkrimet që bëj zakonisht!
Çili: Muçi, faleminderit dhe komplimente edhe ti … Bukur për emisionin, për formatin e tretë të emisionit, që duket sikur është e njëjta gjë, por prapë është një risi, dhe komplimente për plotësimin e profilit tënd publik!