Kur Mitrush Kuteli i këndonte lumturisë me vargje

Gjuhësi Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

ÇAST LUMTURIE

… Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.

Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.

Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.

Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.

Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.

Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.

Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!

Share: