Pak ditë pas shkatërrimit të grupit kriminal që jepte fajde, gazeta “Si” botoi pjesën e parë të përgjimeve, që çuan në pranga grupin e fajdexhinjve të Shkodrës. Gjithçka ka nisur kur ish-prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani, u detyrua të shkojë në dyert e policisë, atëherë kur çdo ditë borxhdhënësi i vinte në biznesin e tij dhe i kërkonte shumat e dhëna dy djemve të tij, Robertit dhe Eltonit.
Mandej, i gjithë procesi rrjedh mes përgjimeve dhe vëzhgimeve ambientale. Përgjimet kanë zgjatur dy muaj dhe nga janari, Paulin Radovani ka pasur dhjetëra vizita në oborrin e fabrikës të personave që kërkonin kthimin e borxheve, të cilët shpesh flisnin për përqindje e shpesh e kërcënonin. Mes të hetuarve është edhe ish-drejtori i Transporteve, Ilir Sokoli, shok me dy djemtë e Paulin Radovanit. 31-vjeçari Sokoli shfaqet në një përgjim ambiental nën shoqërinë e të vëllait dhe kërkon shumat e dhëna me fajde. Të njëjtën gjë bën edhe i vëllai. Prokuroria thotë se disponon filmime, ndërsa në një moment Iliri i thotë ish-prefektit Radovani: “Na ke marrë në qafë, na ke varrosur të gjithëve”.
Përgjimi ambiental vazhdon si më poshtë:
Vladimir Sokoli: Iliri ka marrë lekët e mia dhe ua ka dhënë. Ato janë kursimet e mia. Ti Paulin ke bërë lëvizje taktike, i ke dërguar fëmijët jashtë, por fol me djalin të të tregojë se ku e ka futur Ilirin.
Paulin Radovani: Kam dërguar njerëz për ta shitur fabrikën dhe të laj borxhet, por nuk njoh kush janë borxhlinjtë. Sa kohë ke që u jep lekë fëmijëve të mi, se më keni thënë për një Prek Hoxha që ai rri në Malsi të Madhe dhe nuk del. Prokuroria m’i ka bllokuar pronat, nuk i shes dot.Ilir Sokoli: Unë 70.000 ia kam Ed Memcës se nuk ua jepte djemve të tu, as Bertit dhe as Tonit. Hina unë garant. Kemi lekë edhe në Dobrac se kena shku i kena marrë me Tonin, të dy ata e dinë si unë. O prefekt 1000 mijë dollarë a euro me të lujt, qa të thotë Ilir Sokoli e ca përmend me emra e me fiks, domethënë ti mua s’më ke asnjë lekë, unë kam hallin tan me heq njerëzit mar.
Vladimir Sokoli: Nëse ti merresh me këto kërcënimet, do futet shteti e do futet kjo, dëgjo se fjalët e tepërta janë fukarallëk. Në qoftë se ti ke plan me ju thanë atyre të tjerëve se janë më trima, zotni në qoftë se këtij i preket një qime floku, si kemi bo muhabet bashkë… im vëlla Iliri ka ndejt më shumë me fëmijët e tu sesa me mu…
Shkrimin e plotë e gjeni sot në Gsh.al