Ambasadori Slloven Japelj i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta, marrëdhëniet midis dy vendeve të forta

Politikë Rajon/Botë Sociale

Ambasadori i Republikës së Sllovenisë në Republikën e Shqipërisë, z. Peter Japelj, i prezantoi të enjten Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta.

 

Presidenti Meta shprehu vlerësimin e tij për marrëdhëniet e shkëlqyera e të konsoliduara  mes Shqipërisë dhe Sllovenisë. Ai falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Sllovenia i jep Shqipërisë, veçanërisht në kuadrin e integrimit evropian dhe zbatimit të reformave. Presidenti Meta theksoi bashkëpunimin në lidhje me të rinjtë, si edhe nënvizoi rëndësinë e hapjes së perspektivave për ata. Ai gjithashtu shprehu besimin për forcimin shkëmbimeve në fushën ekonomike.

 

Ambasadori Japelj falënderoi Presidentin Meta për vlerësimin dhe theksoi se marrëdhëniet  miqësore midis dy vendeve do të përmirësohen më tej. Shqipëria është një partner i rëndësishëm dypalësh, rajonal dhe shumëpalësh. Midis dy vendeve nuk ekziston asnjë çështje e hapur dhe Sllovenia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në të gjitha fushat e nevojshme, duke marrë parasysh rolin e saj si një faktor stabiliteti në rajon. Ambasadori Japelj u pajtua me nevojën për të çuar bashkëpunim ekonomik midis Sllovenisë dhe Shqipërisë në nivele më të larta.

 

Ambasadori i ri i Sllovenisë në Tiranë është diplomuar për drejtësi në Universitetin e Lubjanës. Ai e filloi karrierën e tij diplomatike në vitin 1996 dhe që atëherë ka shënuar një përvojë shumë të pasur në shumë pozicione kyçe në vend, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, si dhe jashtë vendit, në përfaqësitë diplomatike Sllovene.

 

Ambasadori Japelj është një diplomat karriere, i cili është dalluar gjatë shërbimit të tij në misionet diplomatike të Sllovenisë në Vjenë, Berlin dhe në Bashkimin Evropian në Bruksel. Ai flet rrjedhshëm gjermanishten, anglishten dhe serbo-kroatishten, si edhe është njohës mjaft i mirë i gjuhës frënge dhe spanjolle. Ai është i martuar dhe ka një vajzë.

Share: