Nga Gjergj Meta
Nuk ka një emër tjetër akti terrorist në Zelandën e Re, kundër dy komuniteteve myslimane që po luteshin në xhamitë e tyre, përveçse ligësi. Ka ndodhur edhe herë të tjera një gjë e tillë dhe sa herë që ndodh është thjesht e urryeshme. Njerëz të pafajshëm që vriten nga njerëz të tjerë të cilët nuk pranojnë se në botë ka vend të për gjithë dhe se të mendosh, besosh, jetosh ndryshe nga të tjerët nuk është një krim.
Fatkeqësisht terrorizmi është i pabesë dhe e kemi parë në gjithë këto kohë në Lindje të Mesme, në Europë, në Afrikë, Amerikë e tani edhe në një kënd të botës ku njerëzit shkojnë se duan t’i qëndrojnë larg luftës dhe së keqes. Por e keqja mbërrin kudo. Ajo ka një mision, po aq sa e mira, vetëm se e keqja nuk kursen asnjë mjet për të arritur qëllimin e saj, për të sunduar jetën e njerëzve. Këto janë krime që nuk kanë asnjë justifikim përveçse urrejtjes patologjike ndaj të ndryshmit, ndaj atij që mendon e beson ndryshe nga unë. Dhe është po aq kriminal justifikimi i terrorizmit. Do të jetë e vështirë për një botë si kjo e jona të mësojë të jetojë në paqe edhe pse kjo nuk është e pamundur. Kur njeriu humb arsyen, dhe dhuna është kundër arsyes së shëndoshë, kthehet në një trup pa rregulla dhe jeta e tij është një xhungël, shoqëria kthehet në një xhungël, ku i vetmi ekuilibër është ai i luftës për mbijetesë.
Duke qenë se aktualisht bota është një tigan që po zien e nuk po gjenden valvula që t’ia heqin presionin, në mënyrë që të mos shpërthejë, është e nevojshme që të mbajmë antenat ndezur për të mos rënë në batakun e urrejtjes. E megjithatë nuk na është dhënë një botë tjetër për të jetuar, nuk kemi një planet rezervë ku të shkonim. Edhe po ta kishim do ta ndotnim njësoj si këtë. Dhe në fakt nuk kemi pse t’i ikim kësaj bote e kësaj shoqërie, por mund ta bëjmë më të mirë atë. Ngjarje si kjo, përveç dhimbjes dhe zemërimit, mund të ngjallin edhe dëshirën për diçka ndryshe, më të bukur e më të drejtë. Meqë nuk na është dhënë një mundësi tjetër atëherë këtë të vetmen mundësi mund ta kthejmë në mundësinë e botës tonë. Por nga t’ia nisim? Këto ditë është nominuar për çmimin Nobel një adoleshente suedeze me emrin Greta Thunberg për shkak të angazhimit të saj për klimën. Një adoleshente nga ata që jemi mësuar ne të rriturit t’i kritikojmë gjithmonë se janë të papërgjegjshëm, se janë të brishtë dhe nuk dinë asgjë nga jeta. Ajo po i jep një leksion botës dhe këto ditë në shumë qytete të Europës, pikërisht të rinjtë kanë dalë në sheshe për të protestuar kundër ndotjes globale. Më ngjajnë shumë me ata të rinj universitarë shqiptarë që para disa muajsh kërkuan ndryshimin e diçkaje në sistemin universitar, por në fakt kërkonin një ndryshim më të rrënjësishëm.
Janë të rinjtë ata që do ta bëjnë ndryshimin, ata që mund të luftojnë terrorizmin ndaj njerëzve e ndaj planetit. Këta të rinj janë shenja ndoshta se të rriturit nuk po bëjnë sa duhet e që rrugën po ua tregojnë disa fëmijë, të brishtë e të rinj, të papërfillur, por plot me entuziazëm. Ata janë pa paragjykime dhe nuk ngrenë mure, por ndërtojnë ura. Krishti ka thënë para dy mijë vjetësh se atyre dhe të gjithëve që bëhen si ata (si fëmijët) u përket Mbretëria e Hyjit. Ne e kemi në dorë mundësinë për ta bërë më të mirë botën ku jetojmë.
Pa dashur të bie në delir, por më duket se modeli që kemi ofruar si shoqëri shqiptare në këto kohë, dhe e kam fjalën për bashkëjetesën fetare, në mos qoftë shembull për të tjerë, së paku të jetë një vlerë për ne që të vazhdojmë ta ruajmë e ta kultivojmë çdo ditë. Madje të lutemi që garanti i kësaj klime të mirë bashkëjetese të mos jetë vetëm vullneti i mirë i yni, por forca e Zotit. Në profilin tim në Twitter dje dikush më kishte bërë një koment duke cituar dijetarin islam Rumi dhe dua ta citoj këtu: “Përtej së drejtës dhe padrejtësisë është një vend. Atje ne do të takohemi”. Unë nuk do të doja ta lija takimin me njerëzit që janë njëkohësisht si unë dhe të ndryshëm nga unë për atje, por do të doja të takoheshim këtu, tani.