Vendimi i vajzës se Azemit, Rudina Hajdari për të mos djegur mandatin e deputetes ka shkaktuar reagime të shumta, jo vetëm ne skenën politike, por edhe në opinionin publik. Për këtë çështje ka folur edhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili u shpreh i rezervuar gjatë komentit në rubrikën “Opinion” në News 24. Sipas tij, deputetja e PD-së, Rudina Hajdari është në moshë të re dhe ‘gabimet e saj’ duhet të shihen jo si pengesë, por si elementë mësimi.
“Nuk preferoj të bëjë koment për Rudinën. Është në një moshë që po rritet dhe po piqet. Mbiemri Hajdari është shumë i rëndësishëm. Hajdari është në momentit dhe në moshën që i lejohen gabimet dhe ato janë elementë të mësimit”, tha Mustafaj.
Në kohën kur presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar datën e zgjedhjeve lokale me 30 qershor, opozita vijon betejën për të kërkuar zgjedhje parlamentare, kjo sipas tyre, është rruga e vetme që do zgjidhë ngërçin politik. Ish-diplomati shqiptar, Besnik Mustafaj, tha se shefi i qeverisë, Edi Rama, mund të gjejë kandidatë të pavarur për të krijuar një konfiguracion shumëngjyrësh nga radhët e opozitës për zgjedhjet lokale.
“Edi Rama nuk ka treguar dhe nuk po tregon që është një burrë shteti. Unë besoj se Edi Rama e keqkupton edhe atë që e quani ju “mbështetjen e ndërkombëtarëve”. Evolucioni i ndërkombëtarëve është i pritshëm. Opozita ka shkuar aq larg sa nuk mund të ketë kthim pas. Unë nuk e kuptoj se pse i kërkojnë kthim pas Bashës. Edi Rama ka një natyrë shumë bizantine dhe ai do të gjejë kandidatë të pavarur nga opozita dhe do të krijojë një konfiguracion shumëngjyrësh në zgjedhjet lokale dhe kjo nuk do më çudiste shumë nëse do ta bënte Edi Rama”, tha ai.