Mafia dhe krimi majmen kur gjithçka kufizohet në luftë për pushtet

Analizë Opinion

Nga Çapajev Gjokutaj

Ka çerek shekulli që politika jonë i paraqet korrupsionin dhe bashkjetesën me krimin si mëkat të palës kundërshtare. Kjo nuk bëhet për t’i luftuar, aq më pak bëhet për t’i shfarosur. Duke demonizuar palën tjetër e duke glorifikuar veten, shumë shumë mund të sigurosh vota.

Korrupsioni dhe lidhjet politikë-krim janë dukuri transversale, janë shfaqur prej kohësh, lart e poshtë, majtas e djathtas.

Në periudhën e diktaturës, aq armiqësore ndaj tregut të lirë, lulëzoi tregu i favoreve. Shfaqej jo vetëm si përkrahje për shokët e luftës dhe shokët e klasës, por edhe si anësi fisnore, krahinore etj.

Nuk para e njihte paranë, shkëmbimi bëhej në natyrë sipas parimit: po të bëj favor, më rezervo mirënjohje e përkrahje. Bankat më me ndikim në këtë periudhë nuk ishin ato të parave, por ‘bankat e ndereve’, po të huanim sintagmën e Paulo Coelhos.

Me fillimin e tranzicionit periudha e ndereve thuajse përfundoi, filloi ethshëm periudha e parasë. Biznesi i varfër shqiptar, biznesi i qofteve dhe i dyqaneve bosh, vështirë se mund të hynte kaq shpejt në treg. Grupimi social që kish bërë dhe po bënte dukshëm para, ishte ai i mafias dhe i krimit të organizuar.

Kështu shtetarët, dyqanxhinj të favoreve, u orientuan natyrshëm nga marrëdhëniet me mafian. Shtetarët, dmth politikanët, gjyqtarët, krerët e policisë etj. kishin nevojë për para, që t’i iknin barazitizmit stresues. Mafias i nevojiteshin favore që lehtësonin trafiqet dhe pastronin paranë e pistë.

Kjo ishte marrëdhënia fillestare. Si çdo dukuri sociale edhe lidhja krim – shtet/pushtet do të zhvillohej e perfeksionohej. Nga faza e kioskës ‘na favore, më jep para’, do të kalonte në forma më të sofistikuara.

Pas vitit 1996 e në vazhdim do të shkruhej një sagë e tërë e krimit elektoral. Ky lloj krimi shenjon përzierje deri në shkrirje të politikës me krimin, të pushtetarëve me mafiozët.

Slogani ‘vjedhim votat që pastaj të vjedhim Shqipërinë’ që socialistët e thoshnin kur ishin në opozitë, kishte nisur të aplikohej shumë më herët.

Fillimisht sipas normës ‘më jep pare për fushatë e vota, të të jap pjesë Shqipërie kur të vij në qeverisje’. Pastaj iu shtua edhe një opcion tjetër: ‘hajde në vathën time politike, bëhu baron votash, siguro një vend në parlament, që të bashkëqeverisim/bashkëzhvasim’.

Të bën pështypje se kur debatohet lidhja ‘politikë – krim’, vemendja përqendrohet tek ngjarje të ditës dhe lihet në harresë zhvillimi në dekada i fenomenit.

Në vend që të gjejmë rrenjët e së keqes dhe të diskutojmë si ta shkulim me rrënjë e me degë, e kufizojmë gjithçka në luftë për pushtet. Si pasojë ikën Dilua e vjen Pilua, por filmi mbetet po ai, i vjetri. Edhe sistemi mbetet po ai, korracë e ashtëzuar, që nuk lejon as shfaqjen e forcave të reja politike, as alternativa të reja dhe reforma të thelluara, madje as shpresë.

Share: