Vëmendje për viktimat!

Analizë Opinion

Nga Enver Robelli 

Para se në tastierat e kompjuterëve dhe të telefonave mobilë t’i shlyeni ato tri shkronjat e famshme për të treguar patriotizëm digjital që në vitin 2020 s’kushton asgjë, do të ishte mirë të mendohet për një kategori që s’mund të flasë më: viktimat. Sepse pa viktima nuk do të ishte themeluar asnjë gjykatë.

Viktimat ekzistojnë, kanë emra, mbiemra, familje, i përkasin etnive të ndryshme. Në jetën publike duhet të ketë hapësirë për kujtim të së kaluarës, sidomos për viktimat, por, natyrisht, edhe për heronjtë. Duhet të ketë drejtësi për viktimat!

Asnjë grup shoqëror nuk mund ta rrëmbejë hapësirën publike dhe historinë me një narrativ ekskluziv. Faji është individual dhe nuk mund të kolektivizohet dhe t’i vishet tërë Kosovës apo historisë së saj. Glorifikimi i një narrativi dhe heshtja e të vërtetave të tjera shoqëruese të këtij narrativi e shpalos një shoqëri pa ndjeshmëri për viktimat.

Si mund të jetë e mirë një shoqëri nëse nuk ka ndjeshmëri për viktimat, mes tyre edhe bashkëkombës? Nuk mund të flitet me vite për vrasje të pasqaruara, të bëhet politikë e të mblidhen poenë elektoralë, por njëkohësisht të mos bëhet asgjë për t’u përballur me këtë kapitull, sepse përherë nga një pjesë e madhe e shoqërisë është shpresuar se këtë kapitull eventualisht mund ta ndriçojnë vetëm të huajt, siç quhen në Kosovë europianët perëndimorë dhe amerikanët.

Mund të ketë përpjekje për zhbërjen e të gjitha gjykatave, por kjo vetëm do t’i çel rrugë bashkësisë ndërkombëtare që Gjykatën Speciale me seli në Hagë ta legalizojë si gjykatë të OKB-së.

Profesorët e drejtësisë që janë gjykatës në Gjykatën Speciale thotë se kjo është e mundur sipas shembullit të Libanit. Atëherë në atë gjykatë do të kishte edhe prokurorë, gjykatës dhe hetues rusë e kinezë. Këso ide ka pasur qëmoti, por europianët dhe amerikanët kanë qenë kundër.

Por prej askujt, as prej europianëve, as prej amerikanëve që besojnë në drejtësi dhe sidomos në drejtësinë tranzicionale nuk mund të pritet se do të kenë mirëkuptim nëse një grup saboton drejtësinë, ndërsa herë pas here vdesin njerëz në rrethana krejtësisht të panjohura dhe pastaj merret vesh se mund të kenë qenë dëshmitarë apo figura me shumë informacion mbi anët e ërrëta të së kaluarës.

Share: