Na duhet një Amerikë si shembull

Analizë Opinion

Nga Agustin Palokaj

Hedhja e gazit lotsjellës ndaj protestuesve paqësorë, sulmet fizike të policisë ndaj tyre, kërcënimi se ushtria do të angazhohet për t’u përballur me protestat e qytetarëve, janë diçka që do të dënohej ashpër nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ngjarje të tilla do të dënoheshin po të kishin ndodhur në ndonjë shesh në Kinë, në Rusi, në Sudan apo kudo tjetër në botë. Por pamje të tilla javën që shkoi erdhën nga Washingtoni, vetëm disa metra larg nga Shtëpia e Bardhë. Presidenti Trump doli pasi u “pastrua terreni”, eci deri tek një kishë afër, mbajti në dorë Biblën dhe bëri poza për fotografi, bashkë me disa bashkëpunëtorë të tij. Një pamje mjeruese, që zemëroi jo vetëm qytetarët, por edhe klerin e krishterë të asaj kishe. Një keqpërdorim i aparatit shtetëror, keqpërdorim edhe i religjionit dhe i librit të shenjtë. E bëri këtë pak minuta pasi mbajti fjalim, ku kërcënoi se do të nxjerrë ushtrinë në rrugë. Diçka që edhe ekspertët, edhe politikanët në Amerikë e kontestojnë si mundësi ligjore. Fati që në Amerikë, edhe në kohën e Trumpit, funksionojnë kontrolli dhe balanca e pushtetit, dhe as presidenti, i cili ka shumë gjëra në duar, nuk i ka të gjitha mundësitë për të bërë çfarë të dojë.

Presidenti Trump ka ardhur në politikë nga “reality show” dhe sjellja e tij është gjithmonë një fushatë mediale. Kështu ishte edhe fotoja para kishës, sikur të ishte një hero i cili e kishte fituar një luftë, e tash po lutet për të ardhmen më të mirë. Ai nuk ka ndonjë ideologji, por bën atë që mendon se do të hasë në simpati tek elektorati. Parimet e kishës me siguri nuk janë ato që i ka jetuar Trumpi, i shkurorëzuar dhe i rimartuar, me episode të pahijshme, por ai mbron interesat e konservatorëve radikalë që kinse mbrojnë interesat e të krishterëve.

Bota para Trumpit ishte mësuar me një Amerikë e cila ishte shembull i respektimit të të drejtave të njeriut, lirive të shprehjes. I promovonte dhe i mbronte këto të drejta në tërë botën. Tash ka një president i cili i sulmon mediat sa herë që ato publikojnë diçka që atij nuk i pëlqen. I quan “lajme të rreme” të gjitha raportimet që nuk i shkojnë për shtat. I fyen dhe i përqesh gazetarët. Një pas një i largon bashkëpunëtorët më të ngushtë nëse ata në një moment vënë në dyshim veprimet e tij. Dhe në kohën e tij diplomacia amerikane hesht kryesisht kur shkelen këto të drejta jashtë Amerikës. Mjaftohet me përpilimin e raporteve të Departamentit të Shtetit. Por vetë presidenti impresionohet me diktatorë, i quan ata miq, ndërkohë që prish urat me aleatët kryesorë me të cilët Amerika gjithmonë i ka ndarë edhe vlerat e lirisë dhe të demokracisë.

Tërë mandatin e tij e ka kaluar duke u grindur me BE-në, duke vënë në dyshim NATO-n dhe kontributin amerikan në këtë aleancë. Para Trumpit, Amerika do të ishte në krye të atyre që do të kritikonin veprimet e Rusisë, ndërsa Trumpi në fund të mandatit të tij tenton ta kthejë Rusinë në G-7, prej nga është përjashtuar për shkak të agresionit në Ukrainë. Nën administratën e Trumpit ka pasur një tërheqje të madhe amerikane nga zhvillimet kryesore në botë. Me këtë edhe tërheqje nga përgjegjësia, sepse botës i duhet një Amerikë e fortë, e cila do t’i mbronte vlerat e lirisë dhe të demokracisë.

dhe disa bashkëpunëtorë të tij, në mesin e tyre edhe anëtarë të familjes, me dëshirë do t’i tërhiqnin ushtarët amerikanë nga e tërë bota. Dhe ndoshta do të donin t’i përdornin për t’u përballur me kundërshtarët dhe protestuesit në Amerikë. Një Amerikë e fortë është vetëm ajo që i promovon dhe i mbron edhe të drejtat themelore nëpër botë dhe shërben si shembull për të gjithë. Në kohën e Trumpit, Amerika e ka humbur një epitet të tillë, apo së paku e ka dëmtuar një imazh të tillë që e ka pasur dhe që e meriton ta ketë si lider i botës së lirë dhe demokratike.

Politikanët e Kosovës nuk mund të zgjedhin kush do të jetë në krye të administratës amerikane. E kundërta mund të ndodhë. Politikanët e Kosovës duhet të bashkëpunojnë me administratën amerikane, kushdo që të jetë në krye të saj. Është e dëmshme që politikanët e Kosovës të vazhdojnë të shpifin “antiamerikanizëm” në Kosovë. Ekziston rreziku që dikush t’i kuptojë seriozisht dhe të fillojë të besojë se vërtet në Kosovë ka antiamerikanizëm. Vetëvendosja është po aq “antiamerikane” apo më pak “antiamerikane” sesa që LDK-ja është “antigjermane” apo “antifranceze”. Me të njëjtën logjikë edhe Qeveria Hoti është përplot “antiamerikanë” nëse është e vërtetë se ministrat nga AAK-ja kanë votuar kundër heqjes së reciprocitetit ndaj Serbisë. Sikur LDK-ja të ishte parimore, Qeveria e re do të duhej të kishte rënë menjëherë dhe AAK-ja si “antiamerikane” të largohej nga ajo. Disi duket e palogjikshme që heqja e reciprocitetit ndaj Serbisë të arsyetohet si borxh ndaj Amerikës e që me aq lehtësi të tolerohet një “antiamerikanizëm” i tillë i AAK-së. Por e gjithë kjo është vetëm një lojë dhe propagandë naive.

Nuk i bën nder as Amerikës kur partia më e votuar në Kosovë etiketohet si “antiamerikane”, edhe pse vetë amerikanët me siguri e dinë se kjo është vetëm një propagandë për opinionin e brendshëm dhe për thellimin e përçarjeve në Kosovë.

Në këtë moment është për keqardhje se administrata e presidentit Trump nuk është një shembull i mirë për askënd, as për Kosovën. Me shembuj jo të mirë, me porosi përçarëse, manipulime, të pavërteta, prijnë personalisht presidenti Trump dhe një prej zëdhënësve të tij më besnikë Richard Grenell, që do të ketë post kyç në fushatën zgjedhore të Trumpit. Dështimi i tyre do të ishte një lajm i mirë për tërë botën dhe do ta kthente Amerikën përsëri në shembull të mirë.

e Trumpit është shembull se si sulmohen mediat, si etiketohen kundërshtarët politikë, si nuk bëhet debati i mirëfilltë në shoqëri. Është shembull se si faktet nuk janë të rëndësishme dhe presidenti duhet të ketë të drejtë edhe kur nuk e thotë të vërtetën. Me humor një ish-diplomat amerikan e merrte si shembull se çfarë janë administrata dhe ekipi i ngushtë i Trumpit kur njeriu më serioz aty e ka nofkën “Qeni i çartur”, duke menduar në ish- ministrin e Mbrojtjes, gjeneralin James Matis. Ai pati një rol vendimtar në mbështetje të krijimit të ushtrisë së Kosovës në kohën e Qeverisë Haradinaj. E sot Matiss ashpër ka kundërshtuar sjelljen e Trumpit, për çfarë i janë vërsulur Trumpit me bashkëpunëtorët e tij me fyerje dhe akuza.

Derisa të mos përfundojnë zgjedhjet në Amerikë, të hutuara do të jenë edhe ambasadat amerikane nëpër vende të ndryshme të botës. Ato nuk do të dinë si të veprojnë, sepse nuk mund të dalin kundër presidentit dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, qoftë edhe kur presidenti është Donald Trump. Prandaj nuk ka aq shumë dënime amerikane të keqpërdorimeve të pushtetit, të përdorjes së fjalorit përçarës për sulme ndaj mediave, për politizim të gjykatave.

Janë amerikanët ata që do ta zgjedhin presidentin e tyre. Por nëse përsëri fiton Trumpi, atëherë pasojat do të jenë për tërë botën. Prandaj edhe ne të cilët nuk mund të votojmë në zgjedhjet në Amerikë kemi të drejtë të shpresojmë.

Share: