Mund të vraposh, por nuk i shpëton dot burgut

Analizë Opinion

Nga Dritan Hila

Të futesh në politikë që 27 vjeç, të jesh fëmija i preferuar i elektoratit tënd, të mendosh se tashmë je në një moshë të nderuar ku mund të shijosh frytet e një jete dhe papritmas të gjendesh në mes të jashtëqitjes njerëzore në burg, ky është një fat i keq.

Roberto Formigoni, politikani italian që kishte pothuajse 40 vite në politikën italiane dhe që në vitin 1984 parlamentar europian, është dënuar përfundimisht me 5 vjet dhe 10 muaj burg të cilat ka filluar t ì vuaje  në datën 22 shkurt.

Në moshën 72 vjeçare, beqari i artë i cili quhej nga shtypi “qiellori”, do të masë qelinë për vitet e ardhshme, për akuza të cilat në veshët e shqiptarëve tingëllojnë shaka.

“Dreka dhe darka luksoze, shëtitje me jaht dhe një vilë në Sardenjë”. Vila në Sardenjë është në fakt goditës,  por vështirë të ketë kushtuar më shumë se disa vila në gjirin e Lalëzit apo në rrethinat e Tiranës.

Me përbuzje prokurorja Laura Piedo theksoi se paratë për hardallosjet e Formigonit vinin nga ilaçet e hequra të sëmurëve.  Ish presidenti i Rajonit Lombardia për më shumë se 20 vite, i cili në vitet 2005 u mburr për reformën spitalore që bëri e cila sipas tij i kursente Rajonit rreth 1 miliard euro në vit, ne fakt , nëpërmjet fondacioneve dhe shoqërive të rregjistruara jashtë Italisë, i kishte marrë arkave të shtetit mbi 78 milionë euro.

Nepotizëm, tarafe, klientelizëm ishin disa nga akuzat e hershme ndaj tij, të ngritura nga shtypi. Por asgjë nuk e prekte personin i cili diti ti shmangej edhe ciklonit “Duar të Pastra”.  Kur në Itali plaste furtuna, Formigoni zgjidhte Milanon dhe kur ujërat qetësoheshin shkonte në Romë herë si deputet dhe herë si senator.

Në Milano ishin të njohura teprimet e Formigonit. Restorant me vetëm një tavolinë dhe kuzhinier personal në Via Como ishte një ndër preferencat e tij. Vetëm aty mund ta takoje. Tarifa bazë, 2 mijë euro personi.  Arkat me shampanjë nga më të përzgjedhurat, ekstra.

Por ora e së vërtetës ra edhe për Formigonin. Duke dëshmuar se nëse ka një Zot në jetën publike, ajo është drejtësia.

“Do përpiqem ta përballoj” ishin fjalët e tij pas dënimit përfundimtar. Ngushëllime erdhën nga të gjithë ata të cilët kanë punë me drejtësinë italiane. I pari, Berluskoni.

“Mund të vraposh por nuk mund të shpëtosh”, ishin fjalët e oficerit amerikan në Bagdat i cili arrestoi Abu Abbas, terroristin palestinez që kishin 20 vite që e ndiqnin.  I shkon rastit të Formigonit, nje nga kameleonët dhe abuzuesit më të mëdhenj të politikës italiane të kapërcyellit të shekullit. Ngjan si e thënë për të gjithë të kërkuarit nga drejtësia apo që duan ti shmangen asaj. Ngjan  më aktuale se kurrë në Shqipëri ku prej 14 vitesh, çdo vit vidhet aq sa eshte rritja ekonomike vjetore.

Është shpresë se herët ose vonë edhe këtu dikush do të japë llogari për vjedhjen që po i bëhet popullit më të varfër të Evropës. Dhe për të qenë të qartë, nëse ndodh, rrjeta do të kapë si ata me mandate të freskëta edhe nga ata me mandate të djegura.  Dhe ata e dinë mirë, ndaj po nxitojnë.

“You can run but you can’t hide”, është shprehja që shqiptarët presin ta dëgjojnë sa më shpejt.

Share: