Nga Skënder Minxhozi
Procesi i Bashkëpunimit të Europës Juglindore është ndër nismat më të vjetra të bashkëpunimit ballkanik, pas rënies së komunizmit në rajonin tonë. Në Sarajevë ka nisur Samiti i rradhës i kësaj nisme, me pjesëmarrjen e 13 presidentëve e ministrave të jashtëm. Shqipëria vendosi të mos e dërgojë ministrin e jashtëm Cakaj, në një gjest solidarizimi me Kosovën, e cila nuk njihet nga Bosnje-Hercegovina. Presidenti Thaçi vendosi tërheqjen nga Samiti për shkak të qëndrimeve të këtij vendi ndaj Kosovës.
Siç vihet re, ndodhemi para situatës klasike, kur duhet të marrim një pozicion zyrtar ndaj axhendës diplomatike të vendit, për shkak të problemeve që Kosova vijon të ketë në rrafshin e njohjes dhe të bashkëpunimit me vende të ndryshme të botës. Një rrethanë që qeveria jonë e ka zgjidhur duke u tërhequr nga Samiti i Sarajevës, por që Presidenti Meta nuk e ka marrë parasysh, duke konfirmuar pjesëmarrjen.
Kur Ilir Meta bën gafa e budallallëqe, siç po ndodh këto orë me krizën e brendshme politike, është mirë që kjo t’i thuhet publikisht. Ashtu siç ka ndodhur me një numër mediash e gazetarësh që janë shprehur në këtë drejtim. Por është gjithashtu e këshillueshme që kur kreu ynë i shtetit merr një vendim të arsyeshëm, edhe kjo të thuhet hapur e pa ndroje. Vendimi i Presidentit për të përfaqësuar vendin tonë në Samitin e Sarajevës është i drejtë dhe buron nga detyrimet kushtetuese të autoriteteve më të larta të vendit tonë në politikën e jashtme.
Shqipëria nuk e ndihmon dot Kosovën duke u tërhequr nga përfaqësimi në takimet e nivelit të lartë në rajon dhe në botë. Përkundrazi, ajo e ndihmon kauzën e afirmimit të shtetit të ri kosovar duke qenë prezent në këto takime të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ne duhet të luftojmë që ta tërheqim Kosovën në strukturën e institucioneve e organizatave ndërkombëtare, e jo të dalim edhe vetë prej tyre artificialisht. Prezenca jonë në këto takime të nivelit të lartë, e ndihmon shumë më tepër Kosovën sesa dezertimi i sforcuar i axhendës tonë diplomatike shtetërore.
Të mos kalojmë sërish në improvizime të tipit “çam”, kur ish-ministri i jashtëm recitonte elegji për Tumankuqen në parlament dhe kur diplomacia ju bind qorrazi një aleance politike krejt pa vlerë dhe perspektivë. Samitet janë aty për t’i nderuar ata që i organizojnë, por më shumë, për të nderuar energjitë që një shtet investon në ndërtimin e asaj konjukture diplomatike dhe përfitimet që mund të marrë prej kësaj pjesëmarrjeje./javanews.al