Politika shqiptare do jetë edhe më keq pas Covid-19?!

Analizë Opinion

Nga Ben Andoni

Kanë mjaftuar pak javë për të kuptuar sesa bajate është politika e përditshme, që bëhet tek ne. Më shqetësues është fakti, se pas disa javësh, kur të kthehet normaliteti i munguar kuptohet se e gjithë kjo periudhë e madhe reflektimi do të shikohet që nuk ka shërbyer për asgjë.

E ndjen këtë në luftën pa-kompromis të faktorit të brendshëm politik dhe anatemën ndaj njëri-tjetrit por edhe në mungesat e strategjive afatshkurtra, si kjo e Covid-19 për t’u përshtatur. Nga ana tjetër, e gjithë kjo po nxjerr handikapin e madh të një opozite, që tashmë është e bllokuar dyfish: njëherë prej vendimit të paprecedent për ikjen nga parlamenti dhe e dyta prej fatit të keq, që po ndodhet në kulmin e një pandemie, të paparë në kohët tona: koronavirusit. Dhe, për të neutralizuar fuqinë e madhe të qeverisë Rama, jo pak herë konfuze, ajo bën gabime pas gabimesh. Dhe, atëherë kur mundej t’i paraprinte me shembujt e saj të mirë dhe me fuqinë e logjikës, ajo e prish me anatemat pa sens dhe me kritikat pa masë.

Kryeministri ka gjetur kohën më të papërshtatshme për t’i qesëndisur e jo pak herë edhe për ti fyer me cinizmin e tij të natyrshëm.

Ndërkohë që politikanë të dy anëve, kuptohet me numra më të pakët sesa para Covid-19, mundohen të vazhdojnë luftën e llogoreve, ku çdo gjë që bëjnë shefat respektivë të partive hidhet poshtë dhe nëpërkëmbët. Do të duhej jo pak, që të vlerësohej vendimi i qeverisë shqiptare për të përcjellë grupin jo fare modest të 30 mjekëve dhe infermierëve drejt Italisë. Kjo nuk ndodhi, ashtu si u përdor shëmtuar. Nga ana tjetër, as nuk përfillen fare masat e propozuara të opozitës, që duket se shpesh nuk janë në kohë dhe vendin e caktuar, porse për respekt mund të konsideroheshin. Ashtu si opozita nuk mundi kurrë të zbriste në terren, si të ishte pjesë normale e realitetit, por u mundua ta nxijë gjithçka.

Dhe, e fundit, ndoshta jo më pak e rëndësishme ajo që po ndodh me intervistën e fundit të kryeministrit Rama, në përplasjen me një punonjës italian policie, që duket se po ngjall sërish pasojat e një Ligji, që ka shkaktuar aq shumë probleme mes politikës. Bëtë një ligj, që e katranosi më shumë, paçka se në rrjetën e tij ranë jo pak persona. Me të gjitha, e kupton, se politika shqiptare është çështje ditësh të mos fillojë e të sillet shumë më keq sesa deri më tani, pra sa të bjerë trau i pakalueshëm i Covid-19. Nuk është ndonjë gjë e rrallë, të paktën kur shikon rastin e Polonisë dhe Hungarisë, këtë e beson. Dhe, Shqipëria nuk është përjashtim i asaj që po ndodh në historinë politike në Lindje. (Javanews)

 

 

Share: