Greku Antonis Mavropoulos mund të konsiderohet udhëtari më me fat i momentit. Një episod që me siguri atij i është dukur fat i keq, në të vërtetë i ka shpëtuar jetën. Mavropoulos humbi për vetëm dy minuta avionin që u nis nga Adis Abeba për në Nairobi. Por avioni u rrëzua vetëm pak minuta pasi ishte ngritur në fluturim.
Në një postim në Facebook, ai shprehet se pas zemërimit se humbi avionin, vetëm pak minuta më vonë nuk mund ta besonte se ky ishte fat.
“Policia më çoi në seksionin e saj në aeroport. Oficeri më tha të mos protestoja, por të falënderoja Zotin sepse isha i vetmi pasagjer që nuk arriti të hipte në bordin e fluturimit ET302, i cili u rrëzua”, shkroi ai në një postim të titulluar “Dita ime me fat”.
Avioni i Ethiopian Airlines u rrëzua paraditen e së dielës, duke u marrë jetën 157 personave që ishin në bord: 149 pasagjerë nga 30 vende të botës dhe 8 pjesëtarë ekuipazhi. Mes tyre ishin edhe 19 punonjës të një organiztate pranë Kombeve të Bashkuara.