Aspekte të jetës dhe veprës polifonike të Niko Kazanxaqisit

Kulturë Reportazh / Profil

Nga profesor Nasho Jorgaqi

Niko Kazanxaqis, ky Uliks i kohëve moderne, shtegtoi pareshtur tërë jetën, shtegtoi fizikisht, nga Mali Athos në Tibet, po akoma më shumë, shtegtoi shpirtërisht nëpër universin njerëzor. Fryt i këtij shtegtimi madhështor është trashëgimia letrare polifonike që la pas. Një trashëgimi e gjerë, e begatë, që na flet me aq fisnikëri dhe bukuri për njeriun dhe botën e tij. Është bota në të cilën shkrimtari, siç thotë dhe vet “kërkon të ndërtojë urat e komunikimit në mes mendjes dhe shpirtit”, për ta ribërë njeriun shpirtërisht e për ta ndihmuar atë që të njohë të vërtetën. Në këtë mision gati mesiatik, ai arrin të lartësojë e të mishërojë mendimtarin dhe artistin, njeriun dhe qytetarin, të përfaqësojë e të bëhet zëdhënës i qenies më të lartë që ka krijuar natyra mbi tokë. Është kjo arsyeja, që na shtyn të themi se vepra e Niko Kazanxaqisit ngjan të kthehet me kumtin e saj thellësisht human në një manual të shpirtit njerëzor. Dhe ky shpirt, për të është një dhe i pandarë, pavarësisht nga koha dhe hapësira, nga raca dhe besimi.

Ndonëse Niko Kazanxaqisi ishte krijues i gjithanshëm, romancier e dramaturg, mendimtar dhe eseist i shkëlqyer, ai e quante veten kryesisht poet, madje poet tragjik dhe epik. Në këtë pohim ka një të vërtetë të pakundërshtueshme po të marrim parasysh se poezia ishte dhe mbeti indi kryesor mbi të cilin u ngjiz dhe lindi e gjithë vepra e tij letrare. Por poezia, nga ana tjetër paraqitet tek ai dhe si një vokacion artistik më vete. Kazanxaqisi krijoi dhe botoi vjersha dhe poema gjate gjithë jetës, veçanërisht në prag të Luftës së Parë Botërore. Ato përfshijnë dhjetëra vepra poetike, në mijëra vargje. E filloi me sonetet, siç janë poemat “Edipi”, “Termopilet”, etj. të publikuara në vitin 1914 dhe arriti apogjeun artistik me veprën monumentale “Odiseja” (1938). Ky epos i kohëve të reja, i pashoq për llojin e vet e që përmban 33.333 vargje dhe që poeti i kushtoi afro tre dekada, duke shkruar shtatë variante është një krijim krejt origjinal. Nëpërmjet këtij miti të ri helenik, ai synoi të japë mesazhe të përjetshme dhe të vërteta universale.

Por Kazanxaqis, përveç soneteve dhe poemës “Odisea”, krijoi dhe një varg poemash, që ai i quajti tercina. Ato i shkroi në vitet 1932-1937, por sa qe gjallë, për arsye që nuk i dimë nuk i publikoi asnjëherë. Të 21 tercinat panë dritën e botimit vetëm tre vjet pas vdekjes (1960). Ishte ky një kapitull i poezisë së tij, sa i panjohur për publikun aq dhe i një natyre  krejt të veçantë. Vetë titujt e poemave flasin për portretizimin që poeti u bën disa prej figurave themelore të historisë dhe kulturës, siç janë Dante, El Greko, Xhinxhiskani, Lenini, Don Kishoti, Muhameti, Niçe, Buda, Krishti, Moisiu, Shekspiri, Aleksandri i Madh, etj. Kazanxaqisi arrin të japë kuintesencën e këtyre fytyrave madhore, thelbin historik, por edhe kredon e filozofisë së tyre. Është një poezi që synon të rrokë përgjithësime të gjera dhe të depërtojë në thellësi të mendimit njerëzor. Kjo shpjegon karakterin e saj tepër abstrakt, herë herë të pakapshëm dhe bën që çdo qasje me të, të kërkojë formim të vërtetë intelektual. Vetë autori është i ndërgjegjshëm për abstraksionin dhe nebulozën e poezisë së tij, prandaj në hyrjen e këtyre poemave shkruan:

Në këto këngë do të doja të shprehja turbullimin dhe harenë që më japin shpirtrat, të cilët kanë ushqyer shpirtin tim. Ato janë mëmat që më kanë ushqyer me dashurinë e tyre, ashtu siç e përfytyroj unë, të përkushtuara, këmbëngulëse, pa interes… Sot po i jap këto këngë. Në mes njerëzve që unë njoh, vetëm shtatë a tetë, ashtu siç e parandiej do të provojnë kënaqësinë e leximit. Të tjerët, do të ndjehen ngushtë e do t’i flakin. Gjuha e tyre, vargu, ritmi, “Monarku u padukshëm” që i drejton, mënyra e hareshme, e kursyer, e dëshpëruar, siç e përfytyroj unë aventurën individuale dhe universale, përtej çdo frike, e gjitha kjo është e papranueshme për ta. U lutem atyre të më ndjejnë. Unë nuk kam bërë asnjë sforcim për t’u pëlqyer atyre. Edhe sikur të kisha tentuar do të kisha dështuar. Vetmia më ka bërë pak të hidhur, por gëzimi që provoj duke shkruar është aq i madh, sa nuk kam të drejtë të kërkoj shpërblim tjetër.

 

Nasho Jorgaqi

Është fare e qartë se kemi të bëjmë me një poezi elitare. Të tilla paraqiten dhe dy poemat “Buda” dhe “Krishti”. Në tërësi vepra e tij është përshkuar nga nota filozofike, por në poezi ato i dha të koncentruara, si një sintezë të doktrinave më të mëdha filozofike të historisë njerëzore duke nisur nga budizmi dhe krishterimi deri te socializmi dhe filozofia moderne. Interesimi intelektual dhe lidhja shpirtërore e poetit me Budën dhe Krishtin, kanë qenë të pranishëm në gjithë jetën e tij. Ai jo vetëm do t’i studionte thellë, por dhe do t’i përjetonte, duke shkelur si pelegrin nëpër vendet e tyre të shenjta. Kazanxaqisi do të bënte jetën e oshënarit nëpër shpellat e Malit Athos apo në shkretëtirat e Sinajt, siç do të përfalej dhe meditonte nëpër tempujt budistë nga Tibeti në Japoni. Ishin këto lidhje e përjetime të forta e të thella, që bënë të mundur të përftohen këto dy poema, të cilat sado abstrakte dhe me figuracion të vështirë që paraqiten, përmbajnë mesazhe origjinale të poetit helen.

Dramaturgjia është dimensioni tjetër krijues i Niko Kazanxaqisit. Ajo përfaqësohet me veprën e tij të parë të këtij lloji, tragjedinë “Komedia”. Ai shkroi tërë jetën në këtë gjini dhe fryt i këtij përkushtimi janë një varg tragjedish. Diapazoni i tyre i gjerë në kohë e në hapësirë, dhe tematika komplekse gjithënjerëzore, bëjnë të pulsojnë probleme ekzistenciale dhe mësime të mëdha të historisë. Prometeu dhe Uliksi, Krishti dhe Buda, Kolombi dhe Kapodistria, janë heronjtë e tragjedive të tij, të cilët duke i sjellë në kohën tonë, autori arrin t’u kumtojë brezave të rinj mesazhe të përjetshme dhe aktuale.

Janë këto kumte, që mishërohen dhe përcillen dhe te tragjedia “Komedi”, e cila hapi për herë të parë siparin e dramaturgjisë së Niko Kazanxaqisit. E shkruar në moshën 26 vjeçare dhe e botuar në 1909 në revistën “Kritikistoa” me pseudonimin Petros Psiloritis, ajo u ribotua gjysëm shekulli më vonë në apogjeun e lavdisë së shkrimtarit.

Edhe pse një vepër e fillimeve letrare, “Komedia” me vlerat e saj ideoartistike jo të zakonshme shënon debutimin triumfues të Kazanxaqisit, si në dramaturgji, ashtu dhe në letërsi. Është kjo arsyeja, se përse ajo ka tërhequr vëmendjen e studiuesve, jo vetëm si vepër solide e cila i ka qëndruar kohës, por edhe për brendinë domethënëse dhe idetë e rëndësishme që synon t’u përcjellë lexuesve dhe shikuesve. Origjinaliteti duket që në krye: ndonëse kemi të bëjmë me një tragjedi, me tragjedinë më të thellë njerëzore, autori e titullon veprën në mënyrë paradoksale komedi. Pra, komedia si shfaqje e tragjedisë në jetën e njeriut.

Ngjarja është në dukje e thjeshtë, po të kemi parasysh se ajo zhvillohet brenda kufijve të shtrënguar të një akti. Brenda këtyre kufijve zhvillohet dhe zgjidhet konflikti më i madh i ekzistencës njerëzore. Lufta në mes jetës dhe vdekjes, tragjedia e njeriut për të mos iu dorëzuar vdekjes, qëndresa e përkohshme njerëzore përballë asgjësimit të përjetshëm.

Shkrimtari sjell dhe bashkon në një skenë hermetike dymbëdhjetë personazhe. Të mbyllur në një dhomë pa dalje, këta njerëz që u takojnë moshave dhe kategorive të ndryshme shoqërore, të kërcënuar nga vdekja presin deri në çastin e fundit ardhjen e shpëtimtarit. Në këtë situatë, në mes tyre shpërthen një debat sa i dhimbshëm aq dhe absurd. Një portë e rëndë që ruhet nga dy sfinksa mermeri, qirinjtë mortorë që digjen dhe tiktaku ritmik i orës përftojnë atmosferën misterioze të tragjedisë që po ndodh. Burra dhe gra, besimtarë dhe skeptikë, normalë dhe anormalë, të gjithë së bashku përbëjnë një kolektiv njerëzor në miniaturë. Është ky kolektiv i vogël, i kthyer në simbol, që vihet përballë vdekjes dhe nga ballafaqimi me të, personazhet e paemër diferencohen dhe zbulohen si karaktere.

Në këtë çast të mbramë manifestohet qartë se lufta e tyre ka të bëjë me instinktin e mbijetesës, kurse shpresa me besimin te Zoti. Shkrimtari shtjellon kështu problemin më ekzistencial: raportin e njeriut me vdekjen, po dhe iluzionin e përhershëm te feja si një alternativë shpëtimi.

Kjo e fundit, që lidhet me aspiratën e njeriut për të fituar pavdekësinë, prej së cilës ka lindur dhe legjenda e njohur e Sizifit, bart gjithë thelbin tragjik të veprës. Dualiteti vdekje-pavdekësi merr një tingëllim tronditës dhe sjell një element novator deri në atë shkallë sa e bën Niko Kazanxaqisin pararendësin e një letërsie, që do të lind dyzet vjet më vonë nën emrin e ekzistencializmit, me përfaqësues të njohur si Beketi, Sartri e të tjerë.

Tragjedia e njeriut vdekatar para vdekjes te “Komedia” jepet nga Kazanxaqisi në pamje të parë me qëndrime të ndryshme, kurse vdekja paraqitet kurdoherë e njëjtë, e pandryshueshme, e barabartë dhe e prerë me të gjithë, pa asnjë alternativë. Ballafaqime të tilla, sa universale aq edhe të përjetshme, e bëjnë shkrimtarin gjenial të heqë përfundime filozofike me një vërtetësi të pakundërshtueshme. Përpara verdiktit të pashmangshëm të vdekjes, përpjekja e njeriut për të mbijetuar, iluzionet e shpëtimit nga mëshira e Zotit, besimi dhe nënshtrimi para çdo feje krijojnë situata sa komike, aq dhe tragjike, të cilat autori i paraqet me realizëm dhe psikologjizëm të thellë. Personazhet qëllimisht janë paraqitur konvencionalë, me minimumin e të dhënave konkrete pasi në rastin më sublim, siç është çasti para vdekjes ato nuk kanë kurrfarë rëndësie, s’ka rëndësi se ç’kanë qenë, ç’kanë bërë e ç’kanë menduar. Secili është i detyruar t’i nënshtrohet një dënimi të paapelueshëm. Për autorin tragjedia e vdekjes ka dhe aspektin komik dhe këtë ai e sheh te shpresa e njeriut se zoti një ditë do t’i vijë në ndihmë e do ta shpëtojë.

Niko Kazanxaqisi tregohet që në veprën e parë skenike mjeshtër i shquar  dramaturgjisë. Duke ndjekur traditën e letërsisë antike, ai i përtërin në kohët e reja, tragjedinë si gjini, e bën atë të tingëllojë bashkëkohore. Kjo pasqyrohet qartë te “Komedia”, kur tema filozofike e vdekjes, pozita e rëndë e njeriut para saj, zbulohen e mishërohen artistikisht, me hetime të holla dhe ngarkesë psikologjike, me situata origjinale, përmes një dialogu individualizues dhe një gjuhe të shkathët e lakonike. Edhe në këtë vepër ndjehet poezia, fryma e saj gjallëruese, elementi bazë mbi të cilën ngrihet krijimtaria e Kazanxaqisit.

 

2.

Ekziston një literaturë e tërë studimore dhe dokumentare, biografike dhe memuaristike, epistulare dhe bibliografike kushtuar Niko Kazanxaqisit. Nën dritën e tyre, figura e tij zbulohet para brezave të lexuesve, si në dimensionet e njeriut ashtu edhe në ato të artistit të madh. Falë këtyre burimeve kuptojmë më mirë mesazhet e tij dhe depërtojmë më thellë në universin kazanxaqian.

Në radhë të parë, tërheqin vëmendjen letrat e Jorgo Zorbës dërguar shkrimtarit. Nuk janë letra të heroit të romanit “Jeta dhe aventurat e Aleksi Zorbës”, por të prototipit të tij, njeriu të gjallë që e frymëzoi autorin, për të krijuar figurën tanimë të njohur botërisht. Procesi i ngjizjes së kësaj figure është ndoshta unikal në praktikën letrare, po të kemi parasysh historinë e njohjes dhe miqësisë së shkrimtarit me Jorgo Zorbën. Ata u takuan fare rastësisht në Malin Athos, më 1914 në rrethanat e Luftës së Parë Botërore. Kazanxaqisi kish shkuar atje për të bërë një jetë të vetmuar intelektuale në kërkim të së vërtetës, kurse Jorgo Zorba punonte druvar për të përballuar jetën.

Druvari që ishte një fshatar i thjeshtë nga Kolindra e Maqedonisë greke, tërhoqi menjëherë vëmendjen e shkrimtarit me natyrën e tij të çiltër e të gëzuar, po dhe me mençurinë natyrale dhe dinakërinë e pa të keq, që i kujtonte heronjtë e romaneve të vjetër pikaresk. Akoma më shumë atë e bëri për vete shpirti i tij aventuresk, që u zbulua dalëngadalë në sytë e shkrimtarit. Dhe kjo do të bëhet e mundur sidomos në takimin e dytë, në 1917, kur Kazanxaqisi e merr Zorbën ta shoqërojë dhe ndihmojë në projektet e tij për hapjen e një miniere qymyri në Mani. Pasi puna e minierës u dështoi dhe ajo u mbyll, ata ndahen nga njëri tjetri. Kazanxaqisi shkon në Zvicër dhe Zorba mbetet në Greqi, por lidhjet shpirtërore nuk ndërpriten, përkundrazi. Më 1919, ata takohen përsëri dhe kësaj here në Kaukaz, ku Kazanxaqisi gjendej aty me një detyrë shtetërore, kurse Zorba i ftuar nga një mik i tij. Miqësia e tyre pasurohet dhe forcohet me ngjarje dhe aventura të tjera, gjë që i jep mundësi shkrimtarit ta njohë më thellë karakterin dhe botën e brendshme të Zorbës. Pas disa muajsh, ata largohen nga Kaukazi. Dhe gjatë kthimit ndahen për të mos u takuar më kurrë. Zorba shkon në Serbi, ndërsa Kazanxaqisi, endet nëpër Europë, por përsëri lidhjet do të vazhdojnë. Në mes tyre do të vendoset një korrespondencë disa vjeçare, dëshmi kjo e pashembullt në mes një shkrimtari dhe heroit të tij.

Biografët e Kazanxaqisit i kushtojnë rëndësi të madhe përmbajtjes dhe natyrës së këtij letërkëmbimi. Në mënyrë të posaçme kanë vlerë të madhe letrat e Zorbës, të cilat hedhin dritë të fortë mbi botën e tij dhe flasin për lidhje të brendshme dhe përngjasime të dukshme në mes atij si prototip dhe heroit të ardhshëm të romanit. Ato jo vetëm japin informacion të pasur për jetën dhe punët që bën, por ç’është më e rëndësishme, janë padashur dhe një parashtrim e sintezë e qartë e botëkuptimit, e filozofisë dhe e motiveve që e kanë udhëhequr Zorbën në jetë. Letrat e Zorbës janë të gjata, me tone të ngrohta vëllazërore, krejt të çlira dhe transparente. Ato i ngjajnë një rrëfimi, përmes të cilit ai i hap zemrën mikut për çdo gjë. Në to rrjedh jeta e tij, natyrshëm, pa poza e pazbukurime. Kështu, marrim vesh se ai vazhdon të punojë minator diku në Serbi dhe se gjatë kësaj kohe ai është martuar katër herë dhe se ka një valle fëmijësh. Por rrëfimi i tij për realitetin e përditshëm merr karakter përgjithësues kur jep mendime dhe mediton për jetën dhe vdekjen, për dashurinë dhe problemet ekzistenciale.

Ja se çfarë i shkruan në mes të tjerash Zorba, ky njeri fare i thjeshtë artistit të madh: “E quaj fatkeq atë njeri të moshuar që varet nga fëmijët… Nuk kam frikë nga vdekja, sepse s’është asgjë, ashtu siç nuk jam dhe unë… edhe Zotin nuk e kam aspak frikë. Nuk arrij të gjej asgjë që të më çlirojë nga kjo frikë… Do ta quaja fatkeqësi të madhe të pranoja se jam plakur sepse atëherë do të më duhej të gjunjëzohesha para çdo gjëje që unë urrej, do të humbisja lirinë.

Zoti dhe djalli, ndoshta më ndihmojnë për t’i shpëtuar varfërisë. Nuk duhet të besojmë se Zoti është i plotfuqishëm… Mjerimi im është… i pashërueshëm. Mençuria ime është një budallallëk e asgjë tjetër. Mendoj se jeta e njeriut është një vijë që ngjitet e zbret dhe çdo njeri i arsyeshëm ecën me fre në dorë. Prej kësaj rrjedh proverbi “Është fatkeq ai që i ka frerët e liruar”. Unë për vete i kam lidhur frerët prej shumë vitesh dhe tani s’kam frikë nga asnjë rrezik. Vrapoj natë e ditë, me shpejtësi dhe forcë të madhe andej nga ma dikton gjendja shpirtërore… Unë kudo që vete martohem… Jam i lirë të them gjithmonë të vërtetën. Mjafton, që të mos më kërkojnë që të nënshtrohem… E vetmja gjë që më ka mposhtur është gruaja… Kam dobësi të çuditshme, të jashtëzakonshme… E konsideroj gruan si pjesë të trupit tim”.

Mjaftojnë këto fragmente për të kuptuar se Kazanxaqisi, ka marrë nga Zorba jo vetëm shëmbëlltyrën e jetës së tij, por edhe tharmin e shumë prej ideve themelore për romanin që do të shkruajë. S’ka dyshim se ai është magjepsur nga filozofia krejt e virgjër e një njeriu të thjeshtë siç është Zorba.

Miqësia e shkrimtarit të madh me minatorin e thjeshtë do t’i bëjë ballë ndarjes dhe kohës së gjatë. Ata nuk do të shkëputen shpirtërisht nga njëri – tjetri deri në vitin 1942, kur Zorba vdes prej urisë. Elena Kazanxaqis, gruaja e shkrimtarit dëshmon se kjo vdekje e gjeti Nikon në ishullin Egine dhe e tronditi jashtë mase. I vendosur aso kohe këtu, ai po shkruante romanin dhe ngjarja e dhimbshme i dha impulse aq të fuqishme sa e kreu veprën e nisur brenda disa javëve. Ky ishte akti i fundit i Jorgo Zorbës, i madhështisë dhe solidaritetit të tij njerëzor, që u bë pikënisja e një kryevepre letrare.

Niko Kazanxaqis vjen pranë nesh jo vetëm përmes librave të tij, por edhe me kujtimet që kanë shkruar shumë nga të afërmit dhe njerëzit që patën fatin ta njohin apo të bashkëpunojnë me të. Në mes tyre dallohen kujtimet e të shoqes, Elenës, gruas së dashur dhe besnike, që i qëndroi pranë gjatë tërë jetës me një stoicizëm të pashoq. Themi kështu, sepse nuk ishte e lehtë të bashkëjetoje me një njeri si Kazanxaqis, i cili duke u përkushtuar dhe gllabëruar i tëri nga ethet e krijimit bënte një jetë krejt më vete. Ai shpesh i ngjante një asketi apo eremiti, që mbyllej thuajse hermetikisht në botën e artit dhe gati harronte njerëzit më të dashur.

Elena Kazanxaqis e kish pranuar këtë sakrificë cfilitëse në emër të dashurisë për të, por edhe për faktin se ishte e ndërgjegjshme se përkushtimi i saj i shërbente punës krijuese të artistit të madh. Në kujtimet e veta, ajo arrin të vizatojë karakterin dhe psikologjinë e të shoqit, ato tipare të veçanta që evidentonin natyrën e tij si njeri. Humanizmi i thellë ishte emëruesi i përbashkët i gjithë personalitetit të tij. Prej këtij humanizmi vinte etja e pashuar për të vërtetën, të cilën ai nuk rreshti së kërkuari duke e kthyer jetën fizike herë-herë në një kalvar. Më shumë se sa midis njerëzve, Kazanxaqis të vërtetën, do ta hetonte dhe kërkonte në vetmi dhe është vetmia shfaqja kryesore e ekzistencës intelektuale dhe e veprimtarisë së tij krijuese. Sipas të shoqes, vetmia atë sikur e shenjtëronte dhe falë vetmisë ai arrinte ato kulme shpirtërore, që e bënin zot të disa të vërtetave.

Me vetminë e Kazanxaqit janë marrë dhe hulumtuesit dhe studiuesit e biografisë së tij. Është tanimë e vërtetuar se krijimet më të mira ai i ka realizuar në periudha të tërheqjes nga jeta shoqërore e politike, përgjatë arratisjeve afatgjata nëpër male e shkretëtira, në vende të largëta e të veçuara, në mes qiellit dhe tokës, i pushtuar i tëri nga jermi i kërkimit dhe i krijimit. Kështu, ai u tërhoq disa herë në Athos, shtegtoi nëpër Serbi, vajti deri në Japoni, u ngjit në Tibet, u end nëpër shkretëtirën e Sinajt, shkoi dhe u mbyll dhe në malet e Bohemisë. Edhe vdekja e zuri tek udhëtonte nëpër hapësirat e pafund të Kinës. Gjithnjë vetëm dhe si njeri krejt i panjohur e larg çdo pritje zyrtare dhe përkujdesjeje të të tjerëve. Atij i mjaftonte vetja dhe mendimet universale.

Me këtë mision të shenjtë, Kazanxaqis, do të qëndronte për muaj të tërë në vetminë e maleve të Bohemisë në vite ’20. “Do të zhytem, – shkruante ai –  vetminë absolute në mes dëborave”. Dhe kur shkon atje, do të pohonte se “kurrë më parë shpirti im s’më është shfaqur në një thellësi të tillë… Tani unë ndjej të vetmen gjë që i përshtatet shpirtit tim… vetminë”. Duke e konsideruar vetminë si shfaqjen kryesore të jetës së vet, ai do ta formulonte atë me fjalët: “Do të doja gjithnjë të jetoja nëntë muaj në një vetmi absolute dhe tre të tjera të udhëtoja. Shumë vetmi, udhëtime të ethshme dhe përsëri vetmi, ja ritmi im”.

Me këto mendime dhe ritme jete Niko Kazanxaqisi lartësoi nëpër vite ngrehinën madhështore të veprës së tij të pavdekshme. Kjo vepër, më e përkthyera e letërsisë helene në gjuhën shqipe,  ka kohë që ka ardhur dhe në Shqipëri duke fituar zemrën dhe mendjen e shqiptarëve, falë kumteve fisnike të njeriut dhe shkrimtarit të madh, me të cilin kemi arësye të krenohemi dhe ne fqinjët e tij të përjetshëm.

Share: