Qeveria dhe lepuri

Opinion

Kohët e fundit, pikërisht pas tërmetit studentor të dhjetorit të kaluar, Kryeministri ynë i nderuar vendosi, për arsye që edhe dihen edhe nuk dihen, t’i bëjë një transfuzion të pjesshëm qeverisë së tij po aq të nderuar, duke i dhënë asaj gjak të ri përmes zëvendësimit të gjashtë ministrave me disa të rinj, emrat dhe CV-të e të cilëve nuk ngjallën ndonjë entuziazëm të veçantë në radhët tashmë të bindura deri në plogështi të Partisë Socialiste. Komentet, analizat dhe kritikat në mediat tona të nderuara me këtë rast nuk e tronditën dhe as e shqetësuan kreun e lavdishëm të qeverisë sonë po aq të lavdishme, sepse me siguri, si në çdo veprim të tij, ai u mbështet fuqishëm te parimi i njohur, sipas të cilit qeveria e zë lepurin me qerre.

“Të zësh lepurin me qerre”, të paktën sipas “Fjalorit të gjuhës shqipe” (Tiranë, 2006), do të thotë të veprosh pa u ngutur për të kryer një punë të vështirë, ta marrësh shtruar. Mirëpo, qerrja e qeverisë, edhe pse ndërroi gjashtë nga rrotat e saj, nuk e ka fort të lehtë punën, sepse, pavarësisht udhëheqjes së ndritur nga personazhi po aq i ndritur i Edi Ramës, ende nuk po i përcakton qartë përparësitë e saj afatshkurtra, afatmesme e afatgjata. Përse nuk po i përcakton? Thjesht fare: Sepse nuk ka vetëm një lepur për të zënë!

pse nuk ka vetëm një lepur për të zënë! Po, ç’është e vërteta, të shumtë janë dhe, mjerisht sa vijnë e po shtohen, problemet social-ekonomike në Republikën e Rraskapitur të Shqipërisë: Varfërim galopant, korrupsion po aq galopant, kriminalitet edhe më shumë galopant, emigracion edhe më tepër galopant etj., etj., me një fjalë, zhgënjim e dëshpërim përherë e më të thellë në nivel kombëtar. Oh, gjithë këta lepuj, të cilët, për t’i zënë njëherë e mirë, qeveria, pra, qerrja e zotit Rama, duhet t’i ketë rrotat vazhdimisht të vajisura, të grasatuara më së miri! Mirëpo, këta lepuj, që shtohen pikërisht si lepujt, vrapojnë në drejtime të ndryshme dhe, në këtë pikë, kam përshtypjen, madje bindjen, që zoti Edi Rama nuk e ka fare të lehtë t’i mbledhë e t’ua mbledhë, sepse me njërën dorë mban frerët e qerres qeveritare dhe me tjetrën “tepsinë”, të cilën bën çmos ta ruajë që të mos i bjerë në çdo kthesë të papritur të rrugëtimit të tij aventuror.

Nga ana tjetër, ndoshta ngaqë jam nën ndikimin e pavetëdijshëm të filmave amerikanë me kaubojë, qerrja qeveritare shpesh më ngjan si një karrocë e ngarkuar me barut, të cilën kauboji ynë kryeministror e nget me shpejtësi sepse qielli po nxihet, stuhia po afron, rrufetë po bien përherë e më afër dhe qerrja qeveritare rrezikon të shpërthejë duke u hedhur në erë bashkë me qerrexhiun. Ndërkohë, për shkak të rrugës gjithë gropa e gunga, ndonjë rrotë e qerres mund të dalë vendit e të thyhet, çka, në këtë rast, do ta detyronte qerrexhiun ta ndërronte atë. Gjithsesi, ky ka njëfarë përvoje në ndërrimin e rrotave, veçse e keqja nuk ka fund: Po sikur, për dreq, t’i thyhen jo më gjashtë rrota, por të tëra rrotat njëherësh?

Këtë pyetje ia shtrova pardje A. Nusit, një tifozi apo, më saktë, një fansi të flaktë të zotit Kryeministër. A mund ta marrin me mend lexueset dhe lexuesit e mi të sotëm se ç’përgjigje më dha ai? “Oh, – ma ktheu me një siguri të habitshme – mos u shqetëso fare, o profesor profet fatkeqësish! Kryeministrit tonë rrufetë i rruajnë bishtin se ai është i zoti t’ia dalë edhe vetëm fare!”. Tejet i çuditur ia ngula sytë dhe e pyeta: “Si kështu?”. Përgjigjja që mora më la pa gojë e pa mend: “Edhe sikur të mbetet fillikat në qerren pa rrota, ai është i aftë ta nxjerrë gomarin nga balta edhe me sy të mbyllur e me veshë të shtuposur, sepse ecën në drejtimin e duhur!”. Pastaj më tha mirupafshim me një pamje prej ngadhënjimtari dhe më kthehu me krenari kurrizin. Kurse unë vrava dhe vras ende mendjen se për cilin gomar e kishte fjalën!

Share: